• * BSH ul në nivele historike normën bazë të interesit, vlera e lekut në 1.75%

TIRANË- Banka e Shqipërisë ka ulur në nivele historike normën bazë të lekut në nivelin 1.75%.Ulja me 0.25 pikë përqindjeje argumentohet nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë si një formë stimuli për rigjallërimin e ekonomisë e cila vijon të rritet me ritme të dobëta.

“Megjithatë kërkesa agregate, prodhimi dhe punësimi, janë poshtë niveleve të tyre potenciale dhe presionet afatmesme mbi inflacionin mbetet të dobëta. Informacioni i ri ekonomik dhe financiar ka qenë në linjë me parashikimet tona por rritja ekonomike dhe ecuria e kredisë kanë rezultuar në kahun e poshtëm të tyre. Megjithatë në ndryshim nga parashikimet paraardhëse,projeksionet aktuale sugjerojnë se kthimi I ekonomisë në ekuilibër dhe I inflacionit në objektiv do të kërkojë një kohë disi më të gjatë.

Por pavarësisht kësaj mase Guvernatori Sejko sqaroi se stimuli monetarë nuk mund të zëvendësoj reformat e domosdoshme strukturore.

“Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se stimuli monetar ofron kohën e nevojshme për kryerjen e reformave strukturore dhe zbut koston e këtyre reformave në ekonomi, por ai nuk është në gjendje të sigurojë rritje afatgjatë ekonomike dhe nuk duhet parë si një zëvendësues i tyre”, tha ai.

Një reformë e rëndësishme sipas Sejkos mbetet edhe ajo e kredive me probleme të cilat kërkojnë një seri ndryshimesh rregullative dhe ligjore.

“Kemi ndryshuar ato ligje dhe rregullore që kanë të bëjnë me ekzekutimin e kolateralit ligjin e falimentit të cilat i japin procesit një shtysë dhe mundësi më të mirë për rikuperimin e kredive me problem. Kemi ndryshuar ato rregullore që kanë të bëjnë me procesin e ristrukturimit të kredive me problem njëkohësisht dhe ato rregullore që kanë të bëjnë me trajtimin fiskal për fshirjen e kredive nga bilanci”, u shpreh Sejko.

Ndërkohë Guvernatori i është përgjigjur interesit të gazetarëve për mungesën e ish-guvernatorit Ardian Fullani në përurimin e ambienteve të reja të Bankës së Shqipërisë. Sejko tha se ka qenë një gabim protokollor pasi në këtë ceremoni mungonin edhe ish-guvernatorë të tjerë. Megjithatë ai u shpreh se do ishte mirë që të kishte mbaruar çdo proces gjyqësor në ngarkim të paraardhësit të tij.

“Për të qenë i drejtpërdrejt dhe i sinqertë me axhendën e ftesave është marrë protokolli sepse unë jam kthyer në momentin e fundit. Guvernatori ka qenë një koleg i vjetër, por nuk është elaboruar protokolli. Nuk ishin ftuar shumë guvernator.

Pavarësisht gabimit protokollor, do donim që të ishin mbyllur të gjitha proceset gjyqësore. Sa i përket fjalimin është interpretim. Fjalimi ishte i shkurtër dhe prezantues dhe jo për t’u kapur me elementë të tillë”, deklaroi Sejko.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: