NGA VJOLLCA KONGJONI*

TIRANË- Sportelet e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit janë përballur me një fluks të lartë të subjekteve fizikë dhe juridikë për regjistrime biznesi prej më shumë se dy muajsh.

Madje me nisjen e fushatës kundër informalitetit numri i aplikimeve ka arritur deri edhe në 1500 në ditë. Kjo ka bërë që shumë qytetarë të presin me orë të tëra në radhë për të formalizuar aktivitetin e tyre duke i shtuar kostot këtij procesi. Pikërisht për tu ardhur në ndihmë të gjithë subjekteve drejtoresha e QKR, Vasilika Vjero sqaron se regjistrimi fillestar i bizneseve është një proces që mund të kryhet shumë thjesht edhe përmes  platformës online.

“Ju bëjmë thirrje qytetarëve që të aplikojnë online regjistrimet. Platforma online është pa asnjë kosto shtesë për biznesi. Nuk ka një rëndesë për biznesin, është falas, u kursen kohë dhe kosto që ata shpenzojnë duke pritur në radhë për orë të tëra. Krahas paraqitjes fizike, QKR u ka ardhur në ndihmë përmes një sporteli informues apo edhe përmes një numri telefoni për të kërkuar ndihmë, ku persona të specializuar do tu japin të gjitha përgjigjet e duhura”, apelon Vjero.

Për drejtoreshën e QKR është shumë e rëndësishme që më parë se subjektet të haqin një biznes duhet të marrin të gjithë informacionin e duhur, për të kuptuar më tej edhe procedurat e platformës online që në rastin e deklarimit të bilanceve pranë Tatimeve është ligjërisht e detyrueshme pasi në të kundërt gjobiten.

“Sot biznesi do të regjistrohet vërtetë pranë QKR-së të cilën mund ta bëjnë edhe fizikisht, por më tej do t’ju duhet të deklarojnë detyrimet tatimore që është tërësisht online. Pra është një detyrim ligjor që taksapaguesit të paraqesin online bilancet e tyre.  Ndaj është e rëndësishme që përpara se të hapin një biznes ata duhet të informohen për të gjitha procedurat dhe kriteret për të ushtruar aktivitetin e tyre. Ne kemi pasur një eksperiencë shumë të mirë të deklarimeve të bilanceve online pranë QKR-së. Gjatë këtyre muajve rreth 16 mijë biznese kanë depozituar bilancet online, kjo tregon se kjo platformë mund të funksionojë shumë mirë, është e thjeshtë për tu përdorur nga të gjithë individët, ndoshta edhe me pak asistencë nga ana jonë. depozitimi i bilanceve është detyrim ligjor pasi mund të ketë edhe gjoba në rast të mos respektimit të afateve të depozitimit të bilanceve”, deklaroi Drejtoresha e QKR-së.

Platforma on line e regjistrimit është e thjeshtë dhe pa asnjë kosto shtesë, mund të kryhet në çdo orar dhe në çdo vend pa qenë nevoja të shkohet pranë institucioneve.

Këtë e demonstrojnë për kamerën tonë operatorët e QKR-së, përmes një shembulli konkret.

“Për të bërë aplikimin duhet të futen në portalin i Albania. Hyn tek regjistrimet dhe nis plotësimi i të dhënave personale. Të dhënat e kartës së identitetit, e-mail, numër telefoni. Pasi vendosim këto të dhëna më pas shtypim butonin regjistrohu”, sqaroi ajo.

Pas konfirmimit të regjistrimit në portal hapi tjetër është kalimi tek zgjedhja e shërbimit të kërkuar. Me konfirmimin përmes emalit të regjistrimit, subjektet do të kenë  certifikatën e regjistrimit, të cilën mund ta përdorin si dokument zyrtar.

“Më pas për të kërkuar shërbimin e regjistrimit klikohet mbi e-shërbime, pasi gjendet si shërbim kliko mbi përdor dhe më pas do të shfaqen të gjitha format që qkr ofron për aplikimin on line.  Më pas shfaqet forma e aplikimit  ku do të plotësohen të gjitha kriteret e detyrueshme, si emri i aktivitetit, adresa e saktë, emrin e personit mbi të cilin do të regjistrohet biznesi, xhiron vjetore të parashikuar, llojin e biznesit i vogël apo i madh, . pas plotësimit, shtyp butonin regjistrohu dhe automatikisht jepet konfirmimi i regjistrimit nëse të dhënat janë aplikuar të sakta dhe regjistrimi është kryer me sukses. deklarimi  i regjistrimit vjen menjëherë e konfirmuar në adresën e e-mailit ku paraqitet certifikata e regjistrimit, një dokument që mund të përdoret nga subjektet si vërtetim i regjistrimit të biznesit”, thotë Vjero. Kjo platformë është lancuar nga QKR që në muajin shkurt të këtij viti dhe përdoret nga në pjesë e mirë e bizneseve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: