Akademiku dhe Profesori Artan Fuga nuk beson se Këshilli Politik do të arrijë të bëjë ndryshime rrënjësore në Reformën Zgjedhore.

Fuga thotë se e gjitha është një gënjeshtër si të arrihet konsensusi dhe si mos arrihet pasi sipas tij ”nuk do të ketë Papë”.

Nga ana tjetër Fuga thotë se në 4 vite janë po këta politikanë që nuk kanë bërë asgjë për këtë problem dhe tani sillen si nxënësit që bredhin gjithë ditën dhe kujtohen për detyrat në pushim .

 

STATUSI NGA ARTAN FUGA

Si luan me kohën Këshilli Politik?

Tym i i bardhë apo tym i zi

Në media rinisën edhe njëherë të shfaqen skemat e gatshme. A do të dali “tymi i bardhë”, pra a do të ketë një konsensus për reformën zgjedhore midis partive politike të përfaqësuara atje në Këshillin Antikushtetues Politik, apo do të dali “tymi i zi”, pra në natën e 31 majit, si afat i fundit, nuk do të kishte sikurse nuk pati kompromis!

A thua se aty po zgjidhet Papa i Romës në Mesjetë dhe ne jemi besimtarët që te Këshilli Politik shohim vetë mëkëmbësin e Perëndisë mbi tokë, ne besimtarët e sëmurë me Covid që me sy të përbëlluar lutemi : Aman more na nxirrni tym të bardhë se po vuajmë shpirtërisht dhe bota po na duket ferr?

Aman pak tym të bardhë!

Dhe kujt t’i lutem pa? Atyre që janë të nginjur me rrogat e dala nga taksat tona, që duhet të jenë as më pak e as më shumë por shërbëtorët e paguar të së mirës publike, pra shërbëtorët tanë, dhe që paguhen pikërisht për të kryer detyrat që kanë marrë përsipër.

Krijojnë ankthe qesharake sikur vallë ora 24°° e natës të 31 majit paskësh qenë çasti kur duhej hedhur në hapësirë anija kozmike gjysëm private dhe gjysëm shtetrore që do të çonte dy astronautë drejt një stacioni kozmik në hapësirë!

Pika që nuk na bie, në fakt pika që s’u bie atyre që ndërkohë që bota shkon drejt pushtimit të hapësirës nuk kanë qenë në gjendje të na japin ca rregulla fare të thjeshta ku ne si qytetarë të shkojmë të hedhim votën në kutinë e votimit dhe vota jonë të numurohet saktë!

As kaq nuk kemi bërë dot! Ja ku jemi! Aq sa jo në vendet perëndimore, por as në Ballkan këto çështje kaq bajate, kaq mediokre, kaq idiote, desha me thënë, të konsiderohen sikur po zgjidhet mëkëmbësi i Jezusit në tokë, ai Bariu i shpirtrave, dhe ne presim që nga Pallati Mesjetar i Kongreseve të Partisë të dali tym i bardhë apo tym i zi.

Tym i zi po i del Shqipërisë nga flaka që i kanë vënë dhe ne idiotët qendrojmë me sytë andej nga oxhaku për të thënë : Ore tymi është i bardhë apo i zi?! Ndërkaq sipas shprehjes nuk ka tym pa zjarr, Shqipërisë i ka rënë zjarri anëekënd!

As mos prisni të ndryshojë gjë në një Kod gjoja të ri zgjedhor! Absolutisht nuk do të ndryshojë asgjë themelore. Tregohen naivë politikë ata që shpresojnë madje që pa një urdhër nga lart, pra nga jashtë, partitë politike do të heqin dorë nga listat e mbyllura, ku radhën e kandidatëve në listë e përcakton kryetari i partisë, për të shkuar në lista të hapura ku zgjidhen nga listat e kryetarëve ata që marrin vota më shumë nga elektorati.

Por para sesa të vijmë këtu, sepse do kohë kjo punë, le të themi se përse krijojnë idenë se aty te Pallati Mesjetar i Kongreseve të Partisë po ndodh një gjë e madhe, po pritet t’i vihet flaka diçkaje, pritet tymi, sikurse në dasmat tradicionale kur në mëngjesin e dasmës komshiet prisnin që në çatinë e familjes me dasmë të valvitej flamuri i çarçafit të bardhë me njollat e gjakut të nderit!

Media rend, “tymi i bardhë”, “tym i zi”, ja ja po afrohet te dera e Pallatit Mesjetar vetë filan fisteku i shoqëruar nga një shqytar, nga një avokat, nga vetë mbajtësi i vulës të Marrëveshjes, dhe nga dy të tjerë, nga mbajtësi i vulës të partisë dhe tjetra nga zjerësja e kafeve turke te lokali i partisë!

Kanë hyrë,
dolën,
rihynë,
njeri po shihet duke telefonuar,
zjarr, tym i bardhë,
jo mo nuk është tym i bardhë,
është një re sipër Malit të Dajtit,
tym i zi,
blozë,
jo qenka si gri,
midis së zezës dhe të bardhës,
sa është ora vlla?
24 pa tridhjetë sekonda,
29,
28,
27,
lëre të lutem,
mos ma shto ankthin,
do të më pushojë zemra,
mirë zemër, po të le!

Cfarë është ky ankth fallco që krijohet?

Janë si ata nxënësit e këqinj që bredhin gjithë ditën dhe detyrat e shtëpisë i bëjnë në pushimet midis orëve gjithë nxitim! A thua nuk kanë pasur katër vite të merreshin me një gjë kaq idiote, kaq banale, kaq mediokre, pra me mënyrën si do të votohej! Cfarë kanë bërë gjithë këto 48 muaj të paguar me verdhushka, drëng, cash, nga ne?

Ky makth i lojës në cejtnot, pra në mungesë të kohës është pikërisht vetë loja, vetë alibia, vetë mashtrimi i madh që na bëhet neve qytetarëve. E ka fajin edhe media që shkon dhe i ndjek. Lërini mo pa vëmendje, sikur asgjë nuk po ndodh, sepse në fakt asgjë e rëndësishme as po ndodh dhe as do të ndodhi, dhe keni për të parë si do të shfryhen nga fotot ku dalin a thua se kanë gjë në dorë ata që janë aty.

Qesharake!

Pse është lojë kjo gjoja mungesë kohe, kjo zgjidhje e momentit të fundit.

E para për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik që në fakt i ka braktisur partitë dhe lojrat e tyre politike të mërzitshme. E dyta për t’a tërhequr vëmendjen e opinionit nga problemet e ditës. E kthejnë gjënë përmbys. Nëse shqetësimi i vërtetë i qytetarëve është si të ndikojnë me votën e tyre fatin e vendit dhe të Shqipërisë, partitë politike e kthejnë mbrapsht çëshjen: Problemi është si do të votojmë? Sepse ne duhet ta mbrojmë votën nga vetë ne, e kuptoni o qytetarë apo jo? E treta sepse duhet të tregojnë se atje te Pallati Mesjetar i Kongreseve po u bëka nami, partitë politike po u grindkan keq, po u hakan me grushta me njera tjetrën, po përballet bota e vjetër me të renë, drita me errësirën, hajdutët me policët, e bardha me të zezën. O Zot, ata e kanë të qartë që asgjë në thelb nuk do të ndodhi nëse dikush nga larg, nga lart, desha të them nga jashtë, që i ruhen si djalli nga temjani, nuk do t’u impononte një zgjidhje tjetër!

Krijojnë ankthe si kobure të pashkrepura me anë të mediave dhe deklaratave bombastike duke e ditur që një ndryshim i vërtetë i Kodit Zgjedhor, as më pak e as më shumë, të bëhej si i njerit nga 30 a 40 vendet evropiane a më gjerë, a i vendeve afrikane, që s’u vimë as të maja e thojit për këtë çështje, do të sillte tërmete politike në parti, pushtet, ekonomi, që do t’u ngjanin vullkaneve që djegin me flakët e ferrit të gjithë mëkatarët duke i nxjerrë tymin nga themelet deri në çati ndërtesës të së Keqes.

Ka dekada që ndodh e njejta gjë sepse meqë në debat janë vendosur vogëlsira, duke i vendosur para një çasti kohe që pritet me ankth, vogëlsirat duken si gjëra të mëdha për të cilat ne besimtarët që shohim ngjyrat e tymit në qiell, dhe asgjë tjetër, të themi : çfarë arritjeje madhështore, sa u lodhën, sa të papajtueshëm janë me njeri tjetrin? Ata janë përfaqësuesit tanë të vërtetë!!!

Një gënjeshtër e madhe! Asgjë nuk do të ndodhi!

Do ketë tym të bardhë, por nuk do të ketë Papë!

Ndërkohë që Jezusi vuan dhe qan, Djalli ka vendosur një fishekzjarr në oxhak dhe nxjerr prej tij tymin e zi të përhershëm, dhe duke na hipnotizuar na bën të shohim mbi oxhak një si re të bardhë që ne të bërtasim para asgjësë:

Tyyyyyyyym i baaaaardhë!

Tym i Zi!

Asgjë nuk do të ndodhi!


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb