Mungesa e 2 pistoletave në Qëndrën e Furnizimit të Materialeve Teknike, në ish-repartin 100 në Mullet ka ngritur në alarm Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat të cilët e kanë referuar çështjen në prokurori për të nisur hetimet.

News 24 mëson se në verën e vitit të kaluar, në muajt Qershor- Korrik ky repart iu nënshtrua një rikonstruksioni dhe gjithë pajisjet u inventarizuan.

Pas përfundimit të rikonstruksionit në këtë objekt u krye një audit për materialet e magazinuara dhe rezultoi se mungonte një kuti me 2 armë të tipit pistoletë.

Menjëherë është njoftuar SHÇBA e cila ka kryer kontroll dhe e ka referuar çështjen në prokurori për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Gjatë kontrollit është konstatuar se nuk janë shkelur rregullat e sigurisë së objektit dhe nuk ka pasur thyerje nga jashtë të vendit ku qëndronin të magazinuara armatimet, prandaj dyshimet bien për një inventarizim jo të saktë të armatimit nga ana e punonjësve. Prokuroria e Tiranës ka thelluar hetimet dhe po kryen marrjen në pyetje të personelit si edhe rakordime të librave të shërbimmit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb