Luigj Aliaj, një biznesmen në tregtinë e karburanteve, u përball dhjetorin e kaluar me një surprizë të pakëndshme. Pa asnjë paralajmërim, qeveria miratoi një vendim që përcaktonte tarifa të reja për licencimin e pikave të karburantit, ku mes të tjerash, parashikohej shtrenjtimi i tarifës për rilicencimin në qytetin e Tiranës në 5 milionë lekë (afro 36 mijë euro) nga 30 mijë lekë (214 euro) që qenë më parë. Për pjesën tjetër të vendit, tarifat u shtrenjtuan nga 20 mijë në 2 milionë lekë.

Aliaj, drejtues i Shoqatës së Hidrokarbureve, një grup interesi që përfaqëson një pjesë të tregtarëve të karburantit në Shqipëri, tha se qeveria nuk e kishte marrë mundimin as t’i njoftonte për vendimin, e aq më pak, të konsultohej me ta paraprakisht.

Sektori i Hidrokarbureve vlerëson se kostoja e vendimit të ri të palajmëruar të qeverisë pritet të jetë rreth 10 milionë euro në vit, kosto që do t’i kalojnë taksapaguesve. Qeveria nuk e ka marrë mundimin të japë një shpjegim për arsyet që e çuan të ndërmarrë këtë vendim dhe Aliaj thotë se kërkesat e tij me shkrim drejtuar institucioneve për çështje nga më të ndryshmet, mbeten pa përgjigje.

“Jemi drejtuar disa herë me shkresa zyrtare, ministrisë së Financave dhe asaj të Energjetikës, për disa vendime dhe koncesione që kanë krijuar problematika dhe për më tepër po transferojnë kosto tek konsumatori, por nuk kemi marrë përgjigje,” thotë ai.

Sa për konsumatorët, ata pritet ta kenë edhe më të vështirë të kuptojnë se pse janë të detyruar të paguajnë naftën me një nga çmimet më të shtrenjta në botë dhe se çfarë po bën qeveria me taksat që ata paguajnë.

Sipas Nikolin Jakës, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, ndryshimet shumë të shpeshta të legjislacionit dhe pa konsultim paraprak sidomos atij fiskal, kanë krijuar mjaft probleme, pasi sipërmarrja shpesh gjendet e papërgatitur për të ndërmarrë veprime me qëllim amortizimin e humbjeve që mund t’i shkaktohen nga këto ndryshime.

Jaka thotë ndryshimet e befta dhe të pakonsultura përbëjnë shkak për krijimin e situatave abuzive gjatë kontrolleve tatimore në subjekte, të cilët nuk kanë pasur mundësinë e reflektimit të praktikave të reja të përcaktuara në legjislacionin e ri.

Ajo që ne si sipërmarrës kemi kërkuar gjithmonë është: “Së pari, një konsultim paraprak dhe të vazhdueshëm të qeverisë me grupet e interesit për propozimin, hartimin dhe pse jo edhe mënyrës së implementimit të legjislacionit. Kjo kërkesë mbështetet në ligjin për konsultimin publik tashmë të miratuar”, tha Jaka.

Qeveria aktuale propozoi dhe mori miratimin e Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2014 të dy ligjeve që synojnë të rrisin transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve përballë qytetarëve.

Të konsideruar si ligje veçanërisht moderne edhe në krahasim me legjislacione të ngjashme në vendet e zhvilluara, Ligji për Konsultimin Publik dhe Ligji për të Drejtën e Informimit, i detyron të gjitha institucionet publike të konsultohen paraprakisht dhe publikisht para se të ndërmarrin ligje apo vendime, të publikojnë raporte periodike mbi aktivitetin e tyre si dhe t’i përgjigjen kërkesave me shkrim të çdo qytetari për vënien në dispozicion të dokumenteve shtetërore të klasifikuara si jo sekret.

Problemi është se një pjesë e madhe e institucioneve publike, përfshirë Këshilli i Ministrave, i kanë shkelur sakaq disa nga afatet kohore të përcaktuara në këto ligje, ndërkohë që nuk duket se kanë vullnetin e duhur për t’i zbatuar ato.

Mbyllja e institucioneve

Përgjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria kaloi nga një vend diktarorial ku nxjerrja e informacioneve më bazike mund të trajtohej nga autoritetet si “tradhëti ndaj atdheut”, në një vend ku qeverisja filloi të hapej gradualisht ndaj gjykimit të publikut.

Këshilli i Ministrave hapi një faqe interneti në vitin 2003 dhe filloi të publikojë aty vendimet dhe projektligjet që miratonte si dhe një shpjegim të shkurtër për shkaqet që e kishin çuar qeverinë të ndërmerrte këto vendime. Shpjegimet mbi vendimet qenë rrjedhojë e detyrimeve të krijuara nga ligji 9000, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, në nenin 22 të së cilit thuhet se sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave duhet të hartojë dhe publikojë një raport mbi mbledhjen e qeverisë.

Ministria e Financave filloi të publikojë të dhëna mujore mbi të ardhurat dhe shpenzimet e veta që nga viti 2003 si dhe raporte tremujore mbi borxhin publik që nga viti 2007. Në vitin 2010, e njëjta ministri filloi të publikojë analizat tematike mbi të ardhurat dhe shpenzimet, ku jepeshin shpjegime të detajuara për shkaqet e rritjes apo rënies së të ardhurave buxhetore, për shkaqet e rritjes apo rënies së shpenzimeve, etj. Ministria e Bujqësisë hartoi dhe publikoi raport vjetor të detajuar mbi aktivitetin bujqësor.

Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, (2005-2009) si dhe qeverisjes së koalicionit PD-LSI (2009-2013), qeveria publikonte në faqen e saj të internetit vendimet që merrte pak orë pas miratimit të tyre, por pa relacion shoqërues. Gjithsesi, më vonë u zbulua se këto qeveri patën fshehur nga publikimi një numër vendimesh për arsye të paqarta.

Me ardhjen në pushtet të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, Këshilli i Ministrave pushoi publikimin e vendimeve dhe shpjegimeve të vendimeve që ndërmerrte në shtator 2013. Vendimet rifilluan të publikohen në shkurt 2014, pas protestave të gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, të cilët e konsideruan këtë veprim, si një hap i fortë pas në transparencë.

Në dhjetor 2013, qeveria vendosi një precedent që vijoi të zbatohej edhe në vitet në vijim: Projektligji dhe paketa e ndryshimeve ligjore në sistemin e taksave, pasi u miratua në qeveri, nuk u publikua asgjëkundi. Qeveria nuk mori mundimin të shpjegojë se çfarë taksash po rriste dhe pse po i rriste. Në vitet e shkuara, para se buxheti dhe ndryshimet në ligjet e taksave të njohura si Paketa Fiskale, të miratoheshin në qeveri, Ministria e Financave i publikonte ato në faqen e saj të internetit zakonisht në mes të vitit, si dhe jepte shpjegime për gazetarët nëpër konferenca të ndryshme për shtyp.

Në dy vitet që pasuan, precedenti i mospublikimit të projektligjit për buxhetin si dhe mosdhënia e shpjegimeve publike për ndryshimet në ligjet e taksave u kthye në traditë. Kulmi u shënua në vitin 2015, kur projektbuxheti 2016 dhe ndryshimet fiskale shoqëruese u mbajtën të papublikuara edhe pasi qenë miratuar në qeveri dhe kishin filluar të diskutoheshin në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërkohë, Enti Rregullator i Energjisë, ERE, i cili është institucioni që mbikëqyr tregun e energjisë dhe përcakton çmimet e energjisë elektrike, dështoi të publikojë aplikimet e kompanive të energjisë elektrike për çmimet e reja (të rritura) të shitjes në kohën kur i diskutoi kërkesat e tyre në dhjetor 2014. Ndonëse publikimi dhe konsultimi publik mbi një vendimmarrje të tillë është detyrim ligjor, pothuajse askush mes publikut të gjerë nuk qe në gjendje të informohej se çfarë rritjeje çmimesh patën kërkuar kompanitë dhe me çfarë arsyetimi.

Publikime selektive

Ndonëse qeveria aktuale pranoi të rifillojë publikimin e vendimeve dhe projektligjeve që miraton në shkurt 2014 pas disa muajsh ndërprerjeje, me kalimin e kohës u vu re se disa vendime me interes publik rezultonin të papublikuar.

Mes tyre qe një vendim qeverie i cili i akordonte një bonus për koncesion të pakërkuar një kompanie turke për ndërtimin e hidrocentralit Katundi i Ri. Vendimi i 23 dhjetorit 2015, i cili u denoncua më pas nga opozita si korruptiv, pa dritën e botimit vetëm në 7 janar, kur u publikua në Fletoren Zyrtare. Përballur me kritika për mungesë transparence, Kryeministria.al publikoi një shënim më 11 janar, ku argumentohej se nuk i kishte mundësitë për të publikuar në kohë të gjitha vendimet. “Shpeshherë, vendimet e Këshillit të Ministrave kanë nevojë për zbardhje të mëtejshme, çka e vonon publikimin e tyre në këtë faqe,” shkruhet në shënim.

BIRN pyeti një numër institucionesh përmes kërkesave për të drejtë informimi për arsyet e hapave pas të konstatuar gjatë mandatit të qeverisë aktuale në drejtim të transparencës.

Kërkesat iu dërguan institucioneve me qëllimin që të mësohej se për çfarë arsyesh, raportet apo dokumentet që më herët publikoheshin pa kërkesë speficike nga media apo qytetarët, janë ndërprerë së publikuari gjatë qeverisjes aktuale.

BIRN pyeti gjithashtu institucionet për masat që kanë ndërmarrë për të zbatuar ligjin nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”.

Sipas ligjit, institucionet kanë gjashtë muaj kohë për të hartuar një program transparence, për të emëruar një koordinator për transparencën dhe për të publikuar në faqet e tyre të internetit programin dhe një modul komunikimi me publikun në lidhje me kërkesat për vënie në dispozicion të dokumenteve zyrtare.

Kërkesës së BIRN për informacion mbi zbatimin e ligjit, Këshilli i Ministrave u përgjigj përmes sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi, duke thënë se ky institucion është “në përfundim të miratimit të programit të transparencës” por pa shpjeguar arsyet e shkeljes së ligjit. [Kliko këtu për të parë përgjigjen e Kryeministrisë]. Agaçi mohon të ketë pasur vendime qeverie të papublikuara në faqen e internetit kryeministria.al. “Për periudhën që prej muajit shtator 2013 deri tani, nuk ka vendime të Këshillit të Ministrave të pabotuara në “Fletoren Zyrtare” dhe në faqen e saj të internetit,” shkroi ai.

Agaçi nuk komentoi për faktin se në bazë të ligjit 9000, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, neni 22, i takon atij si Sekretar i Përgjithshëm të përgatisë dhe publikojë një raport mbi mbledhjen. Ligji thotë: “Pas çdo mbledhjeje të Këshillit të Ministrave, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave harton një raport përfundimtar për problemet e përgjithshme, të shqyrtuara në mbledhje, i cili bëhet publik.”

Një shikim i faqes kryeministra.al aktualisht, zbulon se raporte të tilla për momentin nuk ekzistojnë. Agaçi sugjeroi si zhvillim pozitiv, hapjen nga kryeministria të një faqeje interneti me adresën Transparenca.al, në të cilën, qeveria reagon herë pas here mbi kritikat e opozitës apo mbi lajmet e ndryshme të publikuara në media, por pa marrë mundimin të publikojë dokumentet e lidhura me çështjet të cilat dëshiron të përgënjeshtrojë.

Pas kërkesës së BIRN, Enti Rregullator i Energjisë publikoi në faqen e saj zyrtare aplikimet që nuk i kishte publikuar në vitin 2014 si dhe relacionet përkatëse. (kliko këtu për të parë përgjigjen e ERE).

Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili kishte pushuar së publikuari raportet e veta statistikore tremujore dhe gjashtëmujore gjatë vitit 2015, iu përgjigj kërkesës së BIRN duke njoftuar publikimin e një raporti gjashtëmujor në faqen e saj të internetit. [Kliko këtu për të parë përgjigjen e ISSH]. Gjithsesi, raporti për gjashtëmujorin e parë 2015, përmbante vetëm gjysmën e statistikave që zakonisht përmbanin raporte të tilla vitet e shkuara. Raportet e ISSH i shërbenin më herët gazetarëve për t’u informuar mbi gjendjen e tregut të punës dhe numrit të të punësuarve në sektorin formal të ekonomisë, një çështje shumë e nxehtë politike kjo.

Ministria e Bujqësisë argumentoi në përgjigjen e saj se hartimi i statistikave të sektorit të bujqësisë i qe hequr si përgjegjësi dhe i kishte kaluar Institutit të Statistikave. INSTAT me të vërtetë publikon statistika mbi bujqësinë, por aty gjenden shumë më pak statistika nga sa publikoheshin vitet e shkuara në raportet vjetore të bujqësisë. Për më tepër, kalimi i përgjegjësisë për treguesit e bujqësisë te INSTAT, nuk e ka penguar Ministrinë e Bujqësisë të publikojë grafikë gjatë vitit të kaluar, vetëm se këto grafikë dukshëm kanë vlerë propagandistike dhe joinformuese, pasi hartohen vetëm për disa të dhëna periferike që tregojnë rritje dhe përmirësime të bujqësisë, por janë larg të qenit tregues të gjendjes reale të sektorit.

Ministria e Financave, mohoi të ketë ndërprerë publikimin e raporteve shpjeguese mbi të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit. “Nuk është e vërtetë që raportet fiskale mujore nuk publikohen,” tha Ministria e Financave. “Publikimi i raporteve fiskale mujore nuk është ndërperë asnjëherë dhe nuk ka një vendim për ndërprerjen e tyre. Ato gjenden lehtësisht në faqen e internetit të Ministrisë së Financave në link-un: http://www.financa.gov.al/al/raportime/programi-ekonomiko-fiskal/raporte-dhe-statistika-fiskale-mujore/statistika-fiskale-mujore. Linku i referuar nga Ministria e Financave në fakt dërgon te seksioni i statistikave fiskale mujore dhe jo te seksioni tjetër i raporteve fiskale mujore, ku më herët janë publikuar shpjegimet mbi statistikat.

Gjithsesi, pas shkresës së BIRN, seksioni i raporteve fiskale mujore në faqen e Ministrisë së Financave, u përditësua me të dhëna të vitit 2014 por jo me të dhëna të vitit 2015. Si shenjë e rezistencës së qeverisë për të mos publikuar raporte ku publiku i gjerë mund të kuptojë më shumë nga gjendja e punëve në vend, në linqet ku duhej të gjendeshin raportet mujore shpjeguese të vitit 2014, nuk janë publikuar këto raporte si vitet e shkuara, por disa raporte të tjera statistikore dhe joshpjeguese. (Kliko këtu për të parë përgjigjen e Ministrisë së Financave)

Mungesë vullneti për zbatimin e ligjit

Një numër organizatash jofitimprurëse kanë zbatuar programe të shumta monitorimi gjatë vitit të fundit, me shpresën se presioni i vazhdueshëm mbi institucionet do të sjellë zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit si dhe të ligjit për konsultimet publike. Në të vërtetë, një pjesë e institucioneve publike kanë filluar sakaq zbatimin e ligjit si dhe i janë përgjigjur kërkesave me shkrim nga gazetarët, organizatat dhe qytetarët duke dorëzuar dokumentacionin e kërkuar. Por disa institucione kyçe, përfshirë Kryeministrinë, deri tani kanë refuzuar të zbatojnë ligjin që ajo vetë ka miratuar.

Në fakt, Res Publica, një organizatë që ka monitoruar zbatimin e ligjit gjatë vitit të parë të zbatimit të tij, thotë se shembulli më i keq i zbatimit të Ligjit është Kryeministria.

“Ky autoritet nuk ka respektuar asnjë standard ligjor. Nuk ka kthyer përgjigje ndaj asnjë prej kërkesave. Nuk ka zbatuar fare programin e transparencës. Nuk ka caktuar koordinator dhe nuk mban regjistër për kërkesat dhe përgjigjet. ResPublika ka fituar procese gjyqësore ndaj Kryeministrisë dhe kjo e fundit vazhdimisht refuzon të lëvrojë informacionet duke mos zbatuar vendimet gjyqësore të formës së prerë.” thuhet në raport.

Rastet e miratimit të ligjeve që në praktikë nuk zbatohen, kanë qenë të shumta në Shqipëri përgjatë 25 viteve të fundit. Ligji i ri për të drejtën e informimit, i cili u miratua në tetor 2014 në Kuvendin e Shqipërisë, lindi pikërisht si nevojë e moszbatimit të një ligji tjetër për të drejtën e informimit të miratuar në vitin 1999.

Ndryshe nga ligji i vitit 1999, ligji i ri parashikon masa ndëshkimore për zyrtarët përgjegjës, të cilët nuk respektojnë kërkesat e tij, dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, thotë se është i gatshëm t’i aplikojë ato.

“Të gjitha institucionet dhe entet publike që nuk publikojnë programin e transparencës janë subjekt i penaliteteve që parashikohen në ligjin për të Drejtën e Informimit,” Dervishi i tha BIRN.

Komisioneri shtoi se ligji detyron institucionet publike, jo vetëm të publikojnë programin e transparencës, por të azhurnojnë atë me regjistrin e kërkesave dhe përgjigjet ndaj tyre, ndryshe programi nuk quhet funksional.

”Vitin e kaluar pranë komisionerit për të Drejtën e Informimit kanë mbërritur 300 ankesa nga grupe të ndryshme të interesit ndaj institucioneve publike të cilat nuk kishin e respektuar ligjin,” Dervishi tha.

“Me mbi 40 vendime të posaçme më 2015, Komisioneri ka urdhëruar institucionet publike të zbatojnë ligjet duke i paralajmëruar për sanksione të mëtejshme. Ndërsa 200 ankesa janë zgjidhur me ndërmjetësim, ku Komisioneri ka ndikuar institucionet në kthimin përgjigjeve,” shtoi ai.

Megjithatë, Dervishi vuri ne dukje se Komisionieri nuk i ka burimet e mjaftueshme njerëzore për te monitoruar të gjitha entet publike për zbatimin e ligjit.

Ky artikull u prodhua si pjesë e iniciativës “Fuqizimi i Bashkëpunimit mes Shoqërisë Civile dhe Gazetarëve Investigativë,” me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

(d.b/Reporter/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: