TIRANË- “Nuk ka ujë për arsye të mosfurnizimit nga ndërmarrja e ujësjellësit” Është ky njoftimi i publikuar në çdo pallat të Komunës së Parisit nga administratorët e tyre. Por ky shqetësim i mijëra banorëve të kryeqytetit i ka detyruar ata ta blejnë ujin për konsum.

Duke e pranuar një problem të tillë këshilltari për marrëdhëniet me publikun pranë Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë, Ilir Hoxha shprehet se kjo situatë lidhet me rritjen e madhe të temperaturave dhe mungesës totale të reshjeve duke sjellë si zgjidhje të përkohshme botet me ujë në kryeqytet.

Vetëm një ditë më parë News24 trajtoi dhe problemin e mungesës së ujit në Yzberisht e për këtë UKT pranon problematikën por jep edhe një zgjidhje.

“Për rastin e Yzberishtit në fund të muajit tetor do të përfundojë depoja e madhe e Yzberishtit, një investim i UKT. Kjo depo ka një kapacitet prej 4 mijë metër kub ujë dhe me vënien në punë të saj, i jepet zgjidhje edhe furnizimit me ujë të kësaj zone”, tha Hoxha.

Prej kohësh kjo situatë është evidentuar në zona të cilësuara pikat fundore nga ujësjellësi, të cilët janë Komuna e Parisit, Kombinati, Yzberishti dhe Kodër Kamza.

“Ne po u vijmë në ndihmë qytetarëve përmes boteve. Janë 40 bote në ditë të cilat shpërndahen në këto zona. Vlen të theksohet rënia e jashtëzakonshme e nivelit të prurjeve të burimeve nga ku ne e marrim ujin. Selita në momentet që po flasim është në 30% të kapacitetit, Shën Mëria 70-80 %. Stacioni i pompimit të Laknasit poshtë 50%.

Ne po u japim të gjithë banorëve të Tiranës komplet sasinë e ujit pra rreth 3100 litra ujë në sekondë pasi Bovilla po punon me kapacitet të plotë. Impianti i Bovillës është me 1650 litra ujë në sekondë, burimet e tjera po i menaxhojmë më shumë kujdes. E rëndësishme që qytetaret dhe në këto ditë të nxehta të jenë sa më të kursyer në përdorimin e ujit të pijshëm mos ta përdorin atë për arsye banale siç është larja e trotuareve apo vaditja e kopshteve”, tha Hoxha.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: