Në vigjilje të derbit të kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit e cila do të zhvillohet mbrëmjen e së hënës në orën 19:45 në stadiumin “AIR Albania”, i ftuar në emisionin “Sport News” në “NEWS 24” me moderatoren Enxhi Biba ishte legjenda dhe ikona e klubit të Partizanit, Ledio Pano, i cili “skanoi” supersfidën e javës së gjashtë të Kategorisë Superiore:

Historia e derbit – “Derbi është historik për të gjithë Shqipërinë, është kryendeshja e kampionatit. Këto vite janë bërë shumë 4 çdo vit. Derbi më kryesor i kampionatit është ky i ditës së hënë, janë dy ekipe që kanë vlera. Kanë kaluar shumë vite nga viti 1986 kur isha te ekipi i parë i Partizanit.

Atëherë kishte dy derbi ndonjëherë edhe tre. Derbi pritej nga një entuziazëm i madh. Stadiumi “Qemal Stafa” mbushej plot. Gjithmonë vinin dy orë përpara ndeshjes, shkonim direkt për të parë fushën. Shihnim që stadiumi ishte i tejmbushur. Ishte kënaqësi të luaje kundër Mingës, Kolës, Muçës, Lekbellos, Alimehmetit, Dajës. Partizani kishte lojtarë të mëdhenj si Muça, Hoxhelli, Shehu, Tomori të cilët ishin emra dhe histori në klubet e tyre.

Tifozët – Tani ndeshja është bërë më e shpejtë, sigurisht ajo që nuk më pëlqen mua është derbi mes dy tifozerive. Janë të zjarrta, janë më të mëdha në vend, por me fjalët fyese janë e ulin “Fair Play”-n e ndeshjes. Duke pritur këtë derbi të ditës së hënë jam mendimin timin që të jenë sa më “Fair Play”, si “Fanatics”-at po ashtu dhe “Guerillsat” të mbështesin ekipet e tyre dhe jo të fyejnë njëri-tjetrin.

Të huajt – Derbet deri para viteve 1990 kishin një veçori tjetër. Ka lojtarë të huaj sot që nuk e ndjejnë vlerën e fanellës ku luajnë, edhe ndeshja nuk mund të ketë pasionin, entuziazmin e kaluar. Mungon shpirti, dëshira dhe për të dhënë maksimumin për atë fanellë që mban veshur. Do të doja që Partizani të ishte pak më mirë, pritshmëritë i kisha të mëdha. Mungesat mund ta penalizojnë Partizanin dhe finalizimet gjithashtu. Ndeshjen e fundit kishte probleme në qarkullimin e topit dhe në fazën mbrojtëse.

Trajneri – Një trajner nuk e ka shumë të vështirë për të folur me një lojtar, ata duhen të japin maksimumin dhe më të mirën e tyre. Është folur pas rezultateve zhgënjyese për Dajën. Nuk është e mirë të flasim për Ilir Dajën sepse e dimë se çfarë trajneri është.

Partizani – Jam pak skeptik për te Partizanin, mendoja se mund të eci më tepër, por lojtarëve duhet t’i japësh kohën e tyre. Me këto ndeshje që kam parë Partizani duhet të ishte pak më mirë, ekipi do pak kohë që të stabilizohet.

Tirana – Përderisa Tirana është në krye ka diçka më shumë. Si Xhixha dhe Ngo janë lojtarë goli, Xhixha ka dhënë shumë te Laçi. Puna më e madhe që kanë dhënë te Akademia po japin frytin e tyre si ekip. Tirana e ka më të lehtë që ti marrin te akademia dhe është rritur me frymën e Tiranës sesa të blejë lojtarë të tjerë.

Kush fiton – Dëshira është që të fitojë Partizani, por në momentin aktual të dy ekipet nuk është se kanë dhënë një vlerë të jashtëzakonshme, por them te Partizani ose barazimi edhe pse kanë mungesa të rëndësishme.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb