Sekretari i grupit parlamentar të PD, Arbi Agalliu ka dhënë detaje nga mbledhja e stome e kryesisë së grupit.

Ai ka thënë se këtë të premte, 6 maj, ishte përcaktuar mbledhja e kryesisë, por në të munguan dy zëvëndëskryetarët, Luçiano Boçi dhe Ervin Salianji. Për këtë arsye, Agalliu sqaron se është vendosur një mbledhje tjetër e radhës, të hënën e 9 majit.

Deklarata e Agalliut:

Ditën e djeshme, në profilin e tij personal në rrjetin social Facebook, deputeti z. Luciano Boci ka publikuar një postim, në të cilin, ndër të tjera, ka kërkuar thirrjen e mbledhjes së Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD-së. Kjo kërkesë është përsëritur edhe nga deputeti z. Ervin Salianji, në mbledhjen e djeshme të deputetëve të PD-së. Kërkesat e z. Boci dhe z. Salianji kanë gjetur dakordësinë e Grupit, dhe ditën e djeshme sekretari i Grupit z. Agalliu ka njoftuar rregullisht nëpërmjet telefonit secilin anëtar të Kryesisë së Grupit për zhvillimin e mbledhjes ditën e premte, datë 6 maj 2022, ora 09:15.

Sic është bërë e ditur tashmë, në zyrën e Grupit të PD-së pranë Kryesisë së Kuvendit u paraqitën kryetari, sekretari dhe zëdhënësja e Grupit, ndërsa munguan në mbledhje të dy zëvëndëskryetarët, përkatësisht z. Boci dhe z. Salianji. Pasi u konstatua ekzistenca e kuorumit, me shumicë votash, u vendos zhvillimi i mbledhjeve në mënyrë periodike cdo të premte, ora 09:15, dhe me qëllim që t’u jepej mundësia edhe dy kolegëve që mungonin, u vendos zhvillimi i një mbledhjeje jashtë rradhe ditën e hënë, datë 9 maj, ora 09:15. Sic mund ta kuptoni, vendimet e Kryesisë ishin të një natyre krejtësisht organizative dhe nuk përfshinin vendimmarrje thelbësore, të cilat së bashku me kolegët Alibeaj dhe Pampuri, menduam që duhet të diskutohen në momentin që do të jenë të pranishëm edhe kolegët Boci dhe Salianji.

Sa i përket se cilët janë anëtarët e Kryesisë së Grupit, më lejoni t’ju bëj me dije se neni 16, pika 1 e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë parashikon se kryesia përbëhet nga kryetari, zëvëndëskryetari, sekretari dhe zëdhënësi i Grupit. Rregullorja është lehtësisht të aksesueshme dhe mendoj se cështja e kuorumit është e qartë për këdo.

Nuk ka asnjë lloj nxitimi, por vlerësojmë se është e drejta e cdo deputeti për të diskutuar dhe vendosur për axhendën parlamentare, përfshirë këtu edhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Madje, kjo ishte arsyeja që kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së kërkoi në Konferencën e Kryetarëve shtyrjen e afateve, në mënyrë që Grupi të kishte kohën e nevojshme dhe të mjaftueshme për të dakordësuar qëndrimin e tij lidhur me cështjen e Presidentit të Republikës. E megjithëkëtë edhe pse kolegët nuk erdhën sot, u la që mbledhja të zhvillohej jashtë rradhës ditën e hënë, datë 9 maj, ora 09:15.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: