Është gjithnjë djaloshi babaxhan që i thotë gjërat siç i mendon. Këtë herë është ekzaltuar nga djemtë e rinj të Superiores që luajtën kundër Katarit dhe e pranon se u befasua për mirë nga lojtarët e kampionatit shqiptar. Intervista telefonike me Hamdi Salihin për “Panorama Sport” u krye gjatë kohës që ai ishte duke drekuar me dy miqtë e tij të përhershëm, Ervin Bulku dhe Isli Hidi, ndaj dhe nuk i shpëtoi dot ngacmimeve për ndeshjen Tirana-Vllanzia që do të luhet këtë të diel në stadiumin “Selman Stërmasi” për javën e 12-të. Salihi ka luajtur me të dyja ekipet dhe shpreson që shkodranët në fund të ngrenë titullin, por duhet të luftojnë fort deri në fund. “Nuk ishte rastësi që e mundën Tiranën në ndeshjen e parë, edhe pse të dielën kam një parandjenjë që mbyllet në barazim 1-1”, thotë asistenti i Rejës për gazetën.

Salihi, si ju duk Kombëtarja “bio” nga kampionati shqiptar?

Shumë mirë të them të drejtën. Djem të shkëlqyer, shumë profesionistë dhe me një dëshirë të madhe për të dhënë më të mirën. I tejkaluan edhe pritshmëritë që kisha.

Në ç’kuptim?

Shikoni, ndonjëherë ne të stafit e teprojmë me merakun që kemi për djemtë e rinj, sidomos ata që vijnë nga Superiorja. Por realisht mua më kanë pëlqyer shumë.

Është merak apo paragjykim?

Merak. Janë djem që kanë luajtur shumë pak së bashku, pavarësisht se njihen prej kohësh me njëri-tjetrin. Por paraqitja kundër Katarit ishte vërtetë e mirë.

Shqipëria humbi në fund me rezultatin 1-0…

Po, por bëmë një goxha ndeshje. Ishim të gjithë paksa të preokupuar edhe sepse Katari është një skuadër që luan futboll të shpejtë. Kisha parë ndeshjet e fundit me Kilin, ata vërtetë luajnë shpejt, por ne ia dolëm shumë mirë. Arbitri na mohoi edhe një penallti në dëm të Hadrojit. Për mua ishte penallti sade.

Për çfarë vlen një ndeshje si kjo, aq më tepër që nuk u transmetua në TV?

Vlen për këta djemtë e rinj që të provojnë eksperiencë të re, të ndiejnë peshën e fanellës, por edhe për t’u thënë të gjithëve se Kombëtarja është aty për të gjithë.

Ku jeni në këtë moment?

Jam duke drekuar me dy miqtë e mi, Ervin Bulkun dhe Isli Hidin.

A do t’i kërkoni Bulkut që t’ju sugjerojë më shumë emra nga Superiorja në të ardhmen për Kombëtaren?

Bulku e ka merak vetë atë punë…(qesh). Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb