TIRANE

Kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla nuk ka qenë e pranishme në 3 orët e para të seancës së sotme për shkak të një aktiviteti tjetër, çka ka sjellë që parlamenti sot të drejtohej fillimisht nga nënkryetarja Ermonela Felaj.

Teksa deputeti i PD Flamur Noka mori fjalën në parlament për të folur për procedurë, pas nisjes së fjalimit, Felaj i ka mbyllur mikrofonin, pasi sipas saj nuk ishte duke folur për procedurë.

“Të ketë deputetë në një parlament në botë të flasë për përralla dhe të mos kujtohen për zgjedhësit që e kanë votuar dhe e kanë mbështetur. Është një projekt korruptiv…”, ka deklaruar Noka, por më pas i është mbyllur mikrofoni.
Ai ka kërkuar disa herë të flasë, por Felaj i ka sugjeruar të lejojë kolegët të marrin fjalën. Deklaratës së Nokajt se merr urdhra, ajo iu përgjigj se zbaton rregulloren.


“Nuk po flisni për procedurë. Nuk mund të flisni. Mos e shndërrojmë në debat më kot për një gjë që është krejt e qartë. Zoti Xhaferaj merrni fjalën sepse i është ndërprerë fjala zotit Noka. Nuk marr urdhra nga askush, përveçse nga rregullorja, këtë ua siguroj”, tha Felaj.
Më herët ishte Berisha që foli disa herë dhe as atij Felaj nuk ia kurseu mbylljen e mikrofonit, teksa u çua për të replikuar me kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, por foli për letrën e ambasadës ruse.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb