“Është e vështirë të gjesh fjalët, sepse kemi folur kaq shumë herë për gjërat që nuk shkonin, saqë tani duket sikur i përsërisim ato”, thotë Astrit Hafizi kur pyetet për Kombëtaren. Ai e ka ndjekur me vëmendje ndeshjen e fundit dhe thotë se jo vetëm që skuadra nuk funksionon, por tani më në fund njerëzve iu hapën sytë.

“Disa e konsiderojnë sikur ka plasur ‘bomba’, por në fakt, ne gjatë gjithë këtyre viteve kemi pasur probleme”, shprehet ish-trajneri i Shqipërisë për “Panorama Sport”.

Hafizi, çfarë nuk shkon me Kombëtaren shqiptare?

Është e vështirë të gjesh fjalët, sepse kemi folur kaq shumë për gjërat që nuk shkonin, saqë tani duket sikur i përsërisim ato. Nuk shkojnë shumë gjëra, por mbi të gjitha unë mendoj se nuk ka një filozofi të qartë mbi bazën e së cilës duhet të veprojë. Pothuajse improvizohet gjithnjë dhe ka aq shumë ndryshime, saqë skuadra tashmë e ka humbur fillin.

Është faji i trajnerit apo përgjegjësitë duhen ndarë?

Trajneri është i pari që përballet me kritikat kur gjërat nuk shkojnë mirë. Unë jam trajner vetë dhe nuk kam kurrë qëllimin ta denigroj apo ta ul punën e një kolegu. Mirëpo kur unë bëja kritika edhe pas ndonjë fitoreje, një pjesë e opinionit sportiv me emocionet e tifozëve thoshin “ky nuk flet mirë as kur fitojmë”…

Por unë nuk jam tifoz, jam trajner dhe nuk mund të hesht kur ka gjëra që nuk shkojnë edhe pas një fitoreje. Kam qenë i drejtpërdrejtë sepse shikoja se mungonte një gjë thelbësore: loja e qartë dhe e thjeshtë. Këtë nuk e kemi bërë gjatë viteve të fundit.

Pse nuk është bërë, sipas jush?

Mendoj se gabimet nuk nisën dhe as nuk përfunduan me Izraelin. Ne kemi pasur probleme që në fillim me Rejën. Mirëpo merrnim ndonjë fitore si ato me Hungarinë dhe kalohej në heshtje gjithçka. Jo, nuk është kështu.

Shikoni ku është Hungaria sot dhe ku jemi ne… Hungaria mund Gjermaninë dhe kryeson grupin, ndërsa ne nuk bëjmë dot as gjërat më elementare apo “trekëndëshat” që quhen në botën e futbollit.

Sipas jush, është problemi i skemës që përdor trajneri apo i lojtarëve?

Mos u “fiksoni” kaq shumë pas skemës. Lojtarët janë si plastelinë: mund t’i japësh formën që do, por duke ia njohur mirë cilësitë dhe temperamentin e më pas ta vendosësh në pozicionin e duhur dhe në momentin e duhur në fushë.

Nuk ka asnjë problem skema 3-5-2, mjafton që të gjesh lojtarët adapt për atë punë. Por edhe me skema të tjera, unë nuk jam aspak kundër. Problemi është te lojtarët, nëse i përshtaten apo jo. Ne nuk i kishim lojtarët për skemën 3- 5-2 gjatë kësaj periudhe dhe nuk i morëm maksimumin këtij grupi. Besoj se potencial ka me shumicë në përbërje të ekipit, por duhet t’u marrësh më të mirën. Por nëse mendon vetëm të mbrohesh, kjo është punë tjetër pastaj…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb