Dinamo ka nisur dje stërvitjen në kryeqytet me 15 lojtarë. Ka pasur mungesa, pasi disa futbollistë kanë marrë leje, ndërsa ka pasur edhe të tjerë me probleme shëndetësore.

Është çështje ditësh ose orësh zyrtarizimi i blerjeve të para të bluve. Pritet që skuadrës së trajnerit Bledi Shkëmbi t’i bashkohen minimalisht 4 lojtarë, të cilët do të përforcojnë të tre repartet dhe kjo do të thotë se formacioni do të ndryshojë jo pak, por në 40% të tij.

Kuptohet që lojtarët e kërkuar në merkato llogariten për titullarë, por rrjedhimisht blutë do të përforcojnë edhe stolin, që deri në këtë moment të sezonit nuk ka qenë ai që mund t’i zgjidhte ndeshjet Dinamos. Përveç portës, me formatimin e skuadrës së re, ndryshon gjithë pjesa tjetër e formacionit, më shumë mesfusha.

“Panorama Sport” zbulon se Sabien Lilajt dhe Sherif Kallakut u ka mbetur vetëm firma në kontratë me blutë, pasi kanë arritur marrëveshje.

Diçka e tillë do të bëhet në ditët e para të janarit. Dje Kallaku ka takuar drejtuesit blu dhe në parim ka mbyllur gjithçka. /Panorama Sport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb