Dinamo ndan mendjen për stolin. Artan Mërgjyshi pritet që të drejtojë ekipin në Kategorisë e Parë. Do të jetë një rikthim në shtëpi për 54-vjeçarin, i cili ka qenë futbollist dhe trajner te blutë.

“Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë teknikut se është rënë parimisht dakord. Zyrtarizimi është vetëm çështje kohe, duke qenë se në këtë moment fokusi është te zgjidhja e problemit me lojtarët e sezonit të kaluar.

Pas mbylljes së sezonit në Superiore, në skenë doli edhe emri i gjermanit Tomas Brdariç. Ai ishte më shumë një dëshirë e drejtuesve, por pista u zbeh gjatë rrugës. Si përfundim: kanë zgjedhur një dinamovit, i pari në periudhën “Bardhi”.

Kujtojmë se nën presidencën e tij skuadrën e kanë drejtuar Bledi Shkëmbi, Bledar Devolli dhe Rodolfo Vanoli, që nuk kanë pasur asnjë lidhje me Dinamon. Emërimi i Mërgjyshit me siguri do të pritet mirë edhe nga tifozët, të cilët e kanë dashur gjithmonë një dinamovit në pankinë.

Artan Mergjyshi

RIKTHIMI – Përveçse futbollist, Artan Mërgjyshi ka qenë disa herë më parë në stol dhe në strukturën drejtuese të klubit kryeqytetas. Ai e ka trajnuar këtë skuadër për herë të fundit në sezonin 2011-2012. Më parë ka mbajtur edhe pozicionin e drejtorit sportiv dhe të ndihmëstrajnerit.

Tani kthehet pas 10 vjetësh në shtëpinë blu. Gjatë kësaj periudhe, Mërgjyshi ka drejtuar shumë skuadra në Kategorinë e Parë dhe në Superiore, siç janë Kastrioti, Apolonia, Besa, Laçi, Bylisi dhe së fundi Korabin. Me dibranët bëri një punë mjaft të mirë, ndonëse drejtuesit e shkarkuar dy javë para fundit të kampionatit.

STAFI – Detaje më të hollësishme për kontratën e Artan Mërgjyshit do të mësohen pas prezantimit të tij. Në atë kohë do të bëhet gjithashtu e qartë se cilët do të jenë ndihmësit e tij në stafin teknik të Dinamos për sezonin e ri.

Trajneri do të ketë gjithë kohën e nevojshme për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ri, që si qëllim të vetëm do të ketë rikthimin e menjëhershëm në elitë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb