Kisha e Pllanës e pozicionuar mbi kodrinën mes Lezhës e Milotit, përkundruall Urës së Zogut, ruan të strukur me praninë e saj, një dëshmi të hershme kulture që mbërrin deri në shekullin e XIII. Një ndërhyrje e fundit, rikthen vëmendjen drejt objektit që më shumë se religjion dëshmon trashëgimi.

Dom Nike Ukgjini, meshtari që po kujdeset për restaurimin e saj, thotë se kisha i është e kushtuar martires Shën Barbara.

Ai, vëren se dëshmitë për kishën janë të hershme.

“Format e emrit dalin te ndryshme në dokumente” thotë ai.

E shpallur monument kulture më 1973, ajo mundi t’i shpëtonte kazmës së ateizmit komunist, por humbi vëmendjen e kujdesin. Pamja e saj e sotme,  ka humbur shumë prej shkëlqimit të kahershëm por ende ruan gjurmë të së shkuarës.

“Fillimet duhet të jenë  të shek XII, ka qenë më e madhe. Mark Skura më 1640 thotë se ka qenë si katedrale” vëren Dom Nika.

Por sa mund të justifikohet prania e një kishe të madhe në një zonë si Pllana, në shekujt e mesjetës? Ndërsa historianet rreken te gjejnë kufijtë e principatës së Arbrit e dioqezës së Arbrit, hapesirat e objekteve të kultit flasin edhe për numrin e popullsisë .

Dom Nikë Ukgjini thotë se “ka pasur më shumë se 600 besimtarë. Kisha u dëmtua nga tërmeti dhe nga ushtarët turq”.

Përtej predikimit fetar, gjuhëtarja Ledi Shamku Shkreli e ka përmendur disa herë këtë kishë, si një prej shkollave më të vjetra shqipe, çka i shton rëndësinë objektit.

“Në dokumente del se ka qenë shkollë me 1638. Mësohej shkrim e lexim shqip” tregon Dom Nikë Ukgjini.

Në relacionin e ipeshkvit Nikolle Vlladanji më 1694 flitet për dy altarë, ai i shen Barbarës dhe i Zojës Rruzare. Sot ruhet vetëm një prej tyre, me vizatime të thjeshta dekorative me motive biblike, krejt të vona në kohë.

“Altari u pikturua më 1941 nga ushtarët italiane” thotë Dom Nika ndërsa pranë altarit, ruhen ende format e një kripte që sipas meshtarit janë varre të ipeshkvijve.

Aktualisht restaurimi i kishës është drejt fundit, me projekt te Ministrisë se Kulturës dhe donacione të kishës dhe donatoreve privatë.

“Çatia e dëmtuar ,  kisha pikonte kudo”.

Ndryshe prej shumë kishave me arkitekturë krejt të thjeshtë ne fshatra, kisha e Pllanës, ruan një kthinë te dedikuar për korin, ose për të shtruar numrin e besimtarëve .

Shumëçka prej muraleve është zbehur, por një sforco e madhe bëhet per ta ruajtur.

“Shën Mëhilli dhe Shën Gjergji kanë simbolika të forta fetare”.

E mira dhe e keqja e botës njerëzore vihen përballë, ndërsa ngrehina unike, dëshmon një  historia të shkuar mes dijes e religjionit në fshatin buzë rrugë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb