Në një intervistë ekskluzive për gazetën  “Bota sot”, diplomati dhe studiuesi Shaban Murati, ka thënë se, i ashtuquajturi korrigjim i kufijve është një alibi për të fshehur lëshimet strategjike, që i janë bërë dhe planifikohet t’i bëhen Serbisë.

Sipas tij, ironia është se Serbia ka 20 vjet, që në kohën e Millosheviçit e deri tek koha e Vuçiçit, që ka paraqitur rregullisht propozime për ndryshime kufijsh dhe shkëmbime territoresh.

Profesor Murati, gjatë kësaj interviste ka dhënë analizën e tij edhe për taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe çështje të tjera që ndërlidhen me situatën politike në Kosovë e Shqipëri.

I nderuar, si e vlerësoni gjendjen aktuale politike e shoqërore në Kosovë dhe Shqipëri?

Shaban Murati: Gjendjen aktuale në Kosovë dhe në Shqipëri do ta karakterizoja si një tranzicion i pazakontë politik e shoqëror, që nuk po gjen dot veten të futet në shinat normale të një shteti normal demokratik dhe juridik. Kjo vjen nga dy shkaqe. Së pari nga klasat tona politike, që janë të interesuar ta mbajnë shtetin në këtë gjendje të përhershme pa stabilizimi, sepse nuk kanë objektiv të ndërtojnë institucione, por kulte individësh dhe llogari bankare. Së dyti, vjen nga një  presion dhe ndërhyrje e shteteve antishqiptare dhe lobeve të tyre në Prishtinë dhe në Tiranë, strategjia e të cilëve është të kenë përballë një komb të dobët shqiptar dhe ta pengojnë të bëhet faktor i rëndësishëm në rajon.

Sa ka përparuar gjendja e shqiptarëve në Ballkan nga e kaluara deri më sot?

Shaban Murati: Në shekullin 21 gjendja e faktorit shqiptar në Ballkan ka njohur një progres të jashtëzakonshëm, sidomos me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Por, progresi dhe avantazhi gjeopolitik janë një kategori e ndryshueshme, që do të thotë se arritjet madhore të kombit shqiptar në rajon duhet të mbrohen e të zhvillohen. Roli i ri dhe pozitat e forta strategjike të faktorit shqiptar në rajon janë realitete, që ndodhen nën goditjen e rivaliteteve dhe intrigave të fqinjave, të cilët kanë territore dhe popullsi shqiptare. Gjeopolitikën e re të kombit shqiptar në Ballkan, duhet ta ruajnë të dy shtetet shqiptare dhe faktorët politikë shqiptarë në rajon. Ka prova të përditshme se disa shtete të rajonit dhe forca tradicionalisht antishqiptare duan ta ndalojnë dhe madje ta kthejnë mbrapa këtë progres mbarëkombëtar shqiptar, siç dëshmojnë goditjet që duan t’u japin pavarësisë së Kosovës, integritetit territorial të Kosovës dhe të Shqipërisë, përpjekjet për çarje në aleancat strategjike të kombit shqiptar me perëndimin, etj.

“Bota sot”: Si i vlerësoni zhvillimet aktuale sa i përket dialogut Kosovë-Serbi?

Shaban Murati: Dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE në bazë të rezolutës së OKB të vitit 2010 ka qenë një hap i nevojshëm për të realizuar normalizimin e vërtetë të marrëdhënieve midis dy shteteve, që do të thotë se do të duhej të ishte finalizuar me njohjen midis tyre. Nëse nuk është arritur në atë objektiv, duhet pranuar se është një dështim i BE. Kosova i ka dhënë një ndihmë të madhe Serbisë me nisjen e dialogut në Bruksel, sepse i krijoi Serbisë alibinë për të fituar statusin e shtetit kandidat të BE dhe për të nisur bisedimet e pranimit me BE. Në shkëmbim nuk mori asgjë, e kam fjalën asnjë lëshim politik. Edhe marrëveshja shumë e reklamuar 19 prillit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë u shkel në mënyrë flagrante nga Beogradi, madje Brukseli e lejoi këtë situatë absurde të shkeljes së garancive të BE për këtë marrëveshje. Dinamika e dialogut dhe metodika diplomatike e ndërmjetësimit nga BE lënë shumë për të dëshiruar, sepse Brukseli lejoi një asimetri bisedimesh, çështjesh dhe rezultatesh, që formësoj favorizimin e lexueshëm të Serbisë. BE harroi se Serbia është shteti, që kishte bërë agresionin dhe spastrimin etnik ndaj Kosovës, harroi se Serbia para së gjithash duhet të kërkonte të falur për krimet dhe masakrat në Kosovë, të paguante reparacionet për viktimat dhe shkatërrimet e luftës dhe të detyrohej të njihte Kosovën. Dhe unë jam i sigurt se Serbia do ta kishte njohur Kosovën, nëse BE do ta kishte trajtuar atë gjatë bisedimeve në Bruksel me statusin e shtetit agresor. BE lejoi fenomenin absurd që Serbia, megjithëqë detyrimet e marrëveshjes së vitit 2013 të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, të zhvillonte fushatat e hapura diplomatike ndërkombëtare kundër njohjes se Kosovës, duke kulmuar dy vitet e fundit me absurditetin juridik ndërkombëtar të çnjohjeje të Kosovës. Dhe kundër këtij absurditeti ka reaguar Franca dhe Britania e Madhe, por jo BE, madje as Shqipëria e as vetë Kosova.

Kohëve të fundit është hedhur si ide nga Presidenti i Kosovës çështja e korrigjimit të kufirit me Serbinë, si e konsideroni ju këtë ide?

 

Shaban Murati: I ashtuquajturi korrigjim i kufijve është një alibi për të fshehur lëshimet strategjike, që i janë bërë dhe planifikohet t’i bëhen Serbisë. Ironia është se Serbia ka 20 vjet, që në kohën e Milloshevicit e deri tek koha e Vuçiçit, që ka paraqitur rregullisht propozime për ndryshime kufijsh dhe shkëmbime territoresh, pavarësisht se dikujt në Prishtinë apo në Tiranë i duket sikur kanë zbuluar tani Amerikën. Vetë fakti që flitet për korrigjim kufijsh me një shtet, që nuk e njeh Kosovën për shtet, flet për një pozicion të mjerë diplomatik. Me Maqedoninë dhe me Malin e Zi u zhvilluan bisedime për çështjen e kufirit pas njohjes së Kosovës prej tyre si shtet i pavarur dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Në vend që të shtrojë si objektiv primar të bisedimeve dypalëshe njohjen si shtet të pavarur, Prishtina ka shpikur artifisin e korrigjimit të kufijve, gjë që e ka trimëruar Beogradin, i cili flet për “kufij midis shqiptarëve dhe serbëve”, pra për kufij administrativë.

 

 “Korrigjimi i kufijve” për shumë kë po nënkuptohet edhe si ide për shkëmbim territoresh me Serbinë, pa prekur vijat etnike, si e komentoni ju këtë?

Shaban Murati: Krijimi i shteteve të reja me kufij të rij etnikë është një teori e vjetër nacionaliste serbe, që kulmoi me strategjinë luftë sjellëse të Millosheviçit “të gjithë serbët në një shtet”. Shkëmbimet e territoreve është një lojë e vjetër rurale e udhëheqësve ruralë ballkanikë, që në odat e tyre folklorike gjithmonë ëndërrojnë të bëhen heronj kombëtarë, duke çarë dhe ndarë kufij dhe shtete. Kushdo që njeh sado pak hartën dhe historinë e dhimbshme të Ballkanit e kupton lehtë tragjizmin dhe folklorizmin e një teze të tillë. Fatmirësisht sot ekzistojnë frena ndërkombëtare si NATO, BE, etj. që nuk lejojnë përsëritjen e tragjedive ballkanike.

A ka mundësi që Kosovës t`i bashkohen Presheva, Medvegja e Bujanoci e në anën tjetër të mos preket veriu, ashtu siç po pretendon Presidenti Thaçi?

Shaban Murati: Mendoj se diplomacia serioze nuk mund të hedhë tezat njëlloj sikur ëndrrat në këngë folklorike. Nëse është heshtur gjatë shtatë viteve të bisedime me Serbinë në Bruksel për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nuk mund ta kompensosh duke shitur në publik ëndrra në diell.

 

Cili do të jetë epilogu i fazës finale të dialogut me Serbinë?

Shaban Murati: Epilogu i fazës finale të dialogut me Serbinë duhet të jetë vetëm një: njohja e Kosovës si shtet i pavarur. Çdo devijim nga ky objektiv kombëtar do të thotë devijim nga interesi strategjik i Kosovës dhe i kombit shqiptar.

Si e vlerësoni qasjen e BE-së karshi Kosovës dhe Serbisë?

Shaban Murati: BE ka pasur dhe ka një rol të madh aktiv në dialogun midis dy shteteve. Por nën ndikimin e interesave individuale të njërit apo tjetrit shtet anëtar dhe nën ndikimin e lidhjeve dhe të presionit rus, BE ka rënë pre e një politike të standardeve të dyfishta, që do të thotë se ka ndjekur ndaj Kosovës politikën e shkopit dhe ndaj Serbisë ka ndjekur politikën e karotës, kur duhet të ishte komplet e kundërta. Ndaj dhe nuk ka pasur rezultat.

Mendoni se një qasje e tillë ka ardhur si pasojë e politikanëve të Kosovës?

Shaban Murati: Mendimi im është se gjatë procesit të dialogut të stërzgjatur me Serbinë është shfaqur një dobësi e pajustifikuar nga ana e Prishtinës. Prishtina nuk duhej të ishte pajtuar shtatë vjet me radhë me linjën e të ashtuquajturit dialog teknik, por duhet të ishte pasur objektivin e qartë të intonimit politik të bisedimeve dhe të kërkesave. Pse nuk protestoi dhe nuk bllokoi një herë dialogun për shkeljet flagrante që Serbia i bëri marrëveshjes së 19 prillit 2013 të normalizimit të marrëdhënieve, ku Beogradi kishte nënshkruar detyrimin të mos pengonte Kosovën të hynte në BE. Pse nuk ndërpreu Prishtina bisedimet, kur Serbia bllokoi hyrjen e Kosovës në UNESCO? Qysh ahere unë kam shkruar se u arrit pika e ngopjes e diplomacisë së Kosovës me Serbinë. Pse nuk ndërpreu Kosova bisedimet, kur Serbia publikisht subvencionoi fushatën ndërkombëtare të çnjohjeje të Kosovës? Pse nuk ndërpreu Kosova bisedimet  me Serbinë, kur Serbia dy herë me radhë bllokoi anëtarësimin e Kosovës në Interpol? Është një kronikë dobësie, e cila reflekton një strategji të paqartë dhe mungesë kohezioni politik, diplomatik e kombëtar.

Kosova, është e izoluar dhe përveç se i kërkohet që të heqë taksën dhe toleroj Serbinë, kritikohet vazhdimisht për çdo veprim që vendos shtetësinë e saj. Sipas jush, përse  Serbisë i lejohet që të blejë aeroplanë ushtarakë nga Rusia pa as të vetmin problem, ndërsa Kosova hasë në kundërshtime të tilla?

Shaban Murati: Është krijuar një situatë absurde, kur shteti agresor Serbia ndodhet në një pozitë diplomatike më të favorshme se sa shteti viktimë Kosova. Çështja e taksës, e cila do të duhej të ishte marrë dhjetë vjet më parë dhe jo tani, është një e drejtë sovrane e  një shteti sovran. Duhet pranuar se në BE, që bëri gjithë atë zhurmë për taksën, nuk argumentuan kurrë pse ajo është gabim, por vetëm kërkonin në mënyrë urdhërore heqjen e saj, vetëm për t’i bërë qejfin Serbisë së zemëruar. BE e aplikoi këtë qëndrim për taksën në vazhdim të politikës së paefektshme perëndimore për të joshur Serbinë, që të mos shkojë tek Rusia, pavarësisht se në dëm të  sovranitetit të Kosovës. Sepse është vërtet e habitshme që BE nuk ka reaguar asnjëherë ndaj veprimeve agresive dhe destabilizuese rajonale të  Serbisë. Nuk reagoi BE për bazën ushtarake ruse të Nishit dhe as për bazën e re ajrore ruse të Vojvodinës. Nuk reagoi për manovrat e rrezikshme ushtarake të forcave zbarkuese ruse në territorin e Serbisë. Nuk reagoi për blerjen e armëve të sofistikuara ruse, përfshirë edhe sistemet e raketave ruse. Nuk reagoi as kur Serbia u bë shtet vëzhgues në aleancën ushtarake, të krijuar dhe drejtuar nga Rusia, CSTO. Nuk reagoi as për rikthimin e gjithë garniturës kriminale ushtarake e policore të Millosheviçit në strukturat e sotme të shtetit serb. Nuk reagoi BE as kur shërbimi sekret serb bashkë me shërbimin sekret rus tentuan grushtin e shtetit në Mal të Zi apo kur Serbia ndërhyri direkt në krizën politike në Maqedoni. Nuk ka reaguar BE as për pushtimin de facto serb të Mitrovicës dhe as për provokacionet serbe të tipit të urës apo të trenit.  Dhe befas ngrihet për të kundërshtuar taksën e Kosovës, që si shtet sovran ka të drejtë t’ia vendosë Serbisë. Konstatojmë një politikë të njohur makiaveliane, që nuk merr në konsideratë kush ka të drejtë, por merr anën e të keqit, se i leverdis më shumë për momentin.

Megjithatë, Kosova tashmë ka nisur procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të mirëfilltë, si e vlerësoni këtë hap të institucioneve të Kosovës?

Shaban Murati: Është një vendim i drejtë dhe ligjshëm i çdo shteti sovran e të pavarur. Zhurma artificiale, që ngriti Serbia, Rusia dhe ndonjë shtet evropian,  nuk ka të bëjë me faktin e ushtrisë, por ka të bëjë me këmbënguljen e Serbisë dhe të Rusisë për të mos njohur të drejtën sovrane të shtetit sovran për të ngritur ushtrinë e tij.

Cili do të jetë roli i ushtrisë së Kosovës në Ballkan dhe si çfarë komenti keni për propagandën serbe në këtë drejtim?

Shaban Murati: Roli i ushtrisë se Kosovës si dhe i shtetit të Kosovës në Ballkan  është stabilizues dhe kontribuues në sigurinë dhe në integrimet euroatlantike. Në rrymën e përgjithshme pozitive euroatlantike, ku Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore i shtohen arkitekturës atlantike të sigurisë, ushtria e Kosovës dhe shteti i Kosovës do të ishin vlerë e shtuar për këtë arkitekturë.

Si mund të vije deri te anëtarësimi i Kosovës në NATO?  

Shaban Murati: Anëtarësimi i Kosovës në NATO është objektiv i natyrshëm strategjik i Kosovës dhe i kombit shqiptar. Është një proces që nga pikëpamja politike, gjeopolitike dhe strategjike mund të quhet i pjekur për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Por nga pikëpamja burokratike do të duhet miratimi i katër shteteve anëtare, që nuk e njohin Kosovën, dhe kapërcimi i kësaj pengese mendoj do të jetë çështje kohe.

Në librin tuaj të fundit “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, që u promovua në Prishtinë nëntorin e kaluar, ju këmbëngulni shumë në rendin e prioriteteve, që Kosova duhet të ndjekë në bisedimet me Serbinë. Pse ka rëndësi kjo sipas jush?

Shaban Murati: Në diplomaci përcaktimi i drejtë i prioriteteve në bisedimet me një shtet tjetër ka rëndësi për suksesin e bisedimeve. Unë theksoj në librin tim se prioriteti i prioriteteve, që duhet të ketë Prishtina në bisedimet, është njohja e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës nga Serbia. I mëshoj këtij qëndrimi, jo vetëm se përputhet me interesin strategjik të Kosovës, por edhe sepse kam konstatuar devijime të pafalshme nga ky prioritet. Në udhëheqjen e Kosovës në dy vitet e fundit kanë zënë vend teza shumë të gabuara dhe të rrezikshme, si teza “nuk ka rëndësi të na njohë Serbia”, teza “na mjafton të marrim ulësen në OKB”, teza e organizimit të një konference të re ndërkombëtare për Kosovën, teza e ndryshimit të kufijve para njohjes, etj. etj. Me vjen keq të them, por përvoja e gjatë më bind se të gjitha këto teza e kanë origjinën në Beograd. Ndaj dhe i kam kundërshtuar fuqimisht dhe ndaj përsëris se prioriteti i prioriteteve në bisedimet është njohja e Kosovës si shtet i pavarur./Botasot

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb