LONDER – Zhoze Murinjo po planifikon një rikthim të menjëhershëm në stolin e një skuadre, duke hedhur poshtë spekulimet se ai do kërkonte të pushonte përpara se të niste aventurën e re. 52-vjeçari u shkarkua për herë të dytë nga Çelsi të enjten pas krizës më të rëndë të epokës Abramoviç.

Përmes një deklarate të lëshuar nga përfaqësuesit e tij ligjorë, portugezi konfirmoi se ai do të vazhdojë që të jetojë në Angli dhe nuk do të ndjekë ndeshjet e ekipeve të mëdha nga shkallët e stadiumit për të shmangur spekulimet.

“Gjatë karrierës së tij, Zhoze ka zgjedhur ndonjëherë të largohet nga klubi, por vetëm Çelsi është klubi që ka vendosur që ai duhet të largohet. Por ai nuk do të marrë pushimet. Nuk ndihet i lodhur dhe nuk ka nevojë për to. Ai është shumë pozitiv dhe sheh përpara. Për shkak të dashurisë së tij për futbollin, ju do ta shikoni Zhozenë në disa stadiume për të mbështetur miqtë e tij. Por ai nuk do të ndjekë asnjë ndeshje të rëndësishme, sepse nuk dëshiron që të nxisë spekulimet për të ardhmen e tij. Zhoze do të vazhdojë të jetojë në Londër dhe shpreson që familja e tij të lihet e qetë. Ai nuk do të flasë për situatën e tij në të ardhmen e afërt dhe dëshiron që media ta respektojë këtë vendim. Murinjo është shumë i kënaqur që u rikthye te Çelsi për t’u dhënë tifozëve një tjetër titull, i cili u mungonte prej shumë vitesh. Ai është shumë krenar për 8 titujt e tij te Çelsi dhe falënderon tifozët për mbështetjen e tyre gjatë dy aventurave të tij në klub”, thuhej në deklaratë. (panoramasport)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: