Trajneri i Mançester Junajtid, Hoze Murinjo, në një intervistë për gazetën portugeze “Record”, shprehet se tashmë është një trajner akoma më i mirë se më parë, pasi e kontrollon më mirë veten dhe sjelljen e tij.

I njohur për sjelljet e tij polemizuese në të kaluarën, dhe me listën e gjobave që vazhdonte e rritej prej komisioneve disiplinore, portugezi është përjashtuar shumë herë nga stoli për grindjet e tij të ashpra me zyrtarët e ndeshjeve, apo edhe me lojtarët e trajnerët kundërshtarë. “Sot jam trajner më i mirë se më parë sepse mund t’i kontrolloj emocionet e mia. I përballoj vështirësitë me më shumë pjekuri, gjë që më bën të jem me këmbë në tokë.”

Teksa pyetet për periudhën e mirë që po kalon tek Mançesteri në këtë fillim sezoni, 54 vjeçari shprehet: “Viti i kaluar nisi keq për ne, por në fund arritëm të bënim diçka të mirë, duke fituar Europa Ligën dhe Kupën e Ligës. Por këtë vit kemi nisjen më të mirë të kampionatit që prej kohës së Sir Aleks Ferguson, edhe pse nuk e dimë si do përfundojmë. Në një kampionat tjetër, kjo formë do të thoshte se e kishim fituar ligën, por në Angli kjo nuk do të thotë asgjë”, përfundoi portugezi./p.sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: