Nga: ZONJA KATERINA

1 kg patate
1-2 fileto pule
1 qepë të thatë
1-2 thelpinj hudhër
½ lgj salcë
2-3 speca
1 lk kerri
1 lk piper i kuq
4-5 lgj vaj ulliri

Beshameli:
5-6 filxhanë qumësht
2 lgj gjalpë
2 lgj niseshte
2-3 lgj miell misri
1-2 kokrra vezë
Kripë, piper i zi, arrë moskat
150 gr djath kaçkavall

Pastrojmë patatet dhe i presim në feta të rrumbullakëta. I vendosim patatet në një tavë që nuk ngjit (ose mbi një letër kalk), i spërkasim me vaj ulliri, kripë, piper të zi dhe piper të kuq dhe i vendosim patatet të piqen në furrë në temperaturën 200 gradë për 20 minuta.

Ndërkohë në një tigan me pak vaj ulliri shtojmë qepën, hudhrat e grira imët, specat të prera në kubikë, fileton e pulës gjithashtu në kubikë, kripë, piper të zi dhe piper të kuq. I kaurdisim të gjithë përbërësit bashkë për 1-2 minuta, më pas shtojmë salcën, e mbulojmë tiganin me kapak dhe e lemë për 6-8 minuta në zjarr sa të përgatisim beshamelin.

Në një tenxhere hedhim miellin, niseshten dhe qumështin, i përziejmë në sobë duke shtuar dhe 1 lugë gjalpë. E lemë masën të lidhet dhe të bëhet kremoze dhe më pas shtojmë vezët duke i përzier shpejt që të mos ngjiten. Rregullojmë shijen me kripë, piper, arrë moskat dhe gjysmën e sasisë së djathit të grirë në rende.

Nxjerrim patatet nga furra. Lyejmë një tavë të thellë me pak vaj dhe vendosim një shtresë me patatet e pjekura, hedhim salcën e përgatitur, shtrojmë përsëri një shtresë patate. Mbi patate vendosim një shtresë beshamel, një shtresë salcë, përsëri një shtresë patate dhe në fund beshamel. E spërkasim sipërfaqen e musakasë me djath të grirë në rende dhe copëza gjalpë dhe e vendosim në furrë në temperaturë 180-200 gradë për 40-45 minuta.
(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb