104-vjetori i lindjes së Musine Kokalarit, ndër të parat shkrimtare e politikane gra në vend, u kujtua në Muzeun Historik Kombëtar. Figura e gruas që sfidoi komunizmin pa u thyer, ndonëse kaloi jetën në burgje e në internim vjen më e plotë përmes ditarit.

Mbesa lexoi nga ditari i Musinesë një të shtunë prilli ku në kryeqytet u vranë 17 veta nga komunistët. “Hija e vdekjes ndjehet në qytet” thotë Musineja ndërsa flet për plagë të hapura teksa pritej liria.
Te jetëshkrimi i saj nga lindja te letërsia, vrasja e vëllezërve, programi i Partise Social Demokrate, memorandumi për diplomatët e huaj në Tiranë e deri te arrestimi, foli drejtori i Muzeut. Dorian Koçi tha se “Musineja u përgjua e u survejua deri në vdekje”.

Më tej, mbesa Linda Kokalari, rrëfeu ndjesinë që jepte takimi me të. Linda Kokalari tha se “e kam takuar disa herë që kur isha fëmijë e derisa shkova 18 vjeçe e ajo ishte në spital. Disa gjëra nuk i kuptoja, por atë nuk e mbyti e keqja që e rrethoi. Kishte mirësi në sytë e saj”.

E arrestuar për kontaktet me Ballin Kombëtar, si themeluese e Partisë Socialdemokrate dhe si bashkëpunëtore e atyre që donin të rrëzonin pushtetin Popullor, Musineja, e kaloi jetën ne burg dhe më pas në internim pas ardhjes së komunistëve në pushtet. E shkolluar në Romë, Musineja ishte ndër të parat femra të angazhuara në jetën publike kundër komunistëve, duke kërkuar hapur pluralizmin politik. Do të shuhej e vetmuar në Rrëshen pas një sëmundjeje të rëndë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb