Nga FATMIRA NIKOLLI*

Portrete të trishta. Fytyra të imta, të tërhequra, femrash shikimpërhumbura, me sy të mëdhenj, buzë mishtore. Fytyra që mendojnë, që kumtojnë, një botë të madhe strukur në një trup. Mandej, tablo të mëdha, plot ngjyra, me një të kuqe gjaku, në të cilat fshihen të tjera portrete, mes ngjyrash e trajtash, mes penelash që kanë prekur sa e sa herë, të njëjtën kanavacë.

“Arti i tij lidhet me pesimizmin bazik të pikturës, që ka karakterizuar edhe pjesën tjetër të artistëve të asaj periudhe. Ato janë reflektim i zymtësisë së kohës, i stuhisë që po afrohej, i reve të zeza që po mbulonin qiellin…”, është thënë për veprën e një prej artistëve më në zë të Kosovës.
Kur në vitin 1993, piktori i njohur kosovar Muslim Mulliqi solli në Tiranë 37 vepra të tijat, nuk e dinte se ato do qëndronin këndej për më shumë se dy dekada.

22 vite pas ekspozitës së çelur në kohën e qeverisë së Bujar Bukoshit, në kuadër të manifestimit “Java e kulturës e Kosovës”, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë i kthen veprat familjes së artistit.

Lajmi u bë publik nga drejtori i GKA-së, Artan Shabani, i cili tregon në një intervistë për “GSH”, historinë e pikturave të Mulliqit. “Me ardhjen time si titullar në këtë institucion premtova mbledhjen e veprave të shpërndara në institucione dhe kthimin tek të zotët, të veprave që janë në GKA, por nuk janë pronë e GKA-së. Në kuadër të kësaj nisme, ne i kthyem familjes Mulliqi, 35 nga 37 veprat që gjendeshin këtu. Dy prej tyre, vetë piktori ia kishte bërë dhuratë galerisë”, – sqaron Shabani.

Mulliqi vetë, u nda nga jeta më 1998-ën, pa i marrë pikturat nga Shqipëria dhe pa e parë Kosovën të lirë. Lufta, duket se ka qenë një ndër shkaqet e zvarritjes së kthimit të këtyre veprave.

Disa vepra të Muslim Mulliqit që gjendeshin në Galerinë Kombëtare të Arteve i janë rikthyer familjes së artistit. Cila është historia e tyre?

Para se të flas për historinë e veprave të mjeshtrit Muslim Mulliqi, dua të them se, me ardhjen time si titullar i institucionit, një ndër përparësitë e mia ishte kthimi i veprave nga institucionet qeveritare dhe dhënia e veprave atyre artistëve që i kishin lënë këtu. Le të themi që këto vepra kishin ngelur një lloj pengu në Galerinë Kombëtare.

Si kanë mbetur?
Janë artistë që kanë ekspozuar, që kanë lënë veprat. Dikush mund t’i ketë harruar. Në këtë rast bëhet fjalë për 37 vepra të ekspozuara në GKA në vitin 1993, nga vetë artisti. 22 vjet më parë, ai ekspozoi këtu e në fund, dy vepra ia bëri dhuratë galerisë, ndërsa 35 të tjerat duhej të ktheheshin në Kosovë. Ato, nuk u kthyen kurrë deri pardje. Ka qenë lufta e Kosovës në mes, ndërsa arsyet e tjera i kam të paqarta. Në një kërkim të bërë në galeri, dolën 100 vepra të artistëve të ndryshëm, që ishin pa dokumente, pa kartelizim dhe pa kontrata. Nuk ishin pronë e Galerisë Kombëtare, por janë vepra të artistëve dhe duhet t’u shkojnë atyre, është e drejtë legjitime.

Artisti vetë, nuk i kërkoi?
Po, por kishte procedura me Doganën, procedura ligjore. Ne nuk mund t’ia japim veprat çdo njeriu të familjes, sepse ka një praktikë ligjore që duhet ta ndjekim. Para disa muajsh, unë i shkrova dy letra familjes, ku i kërkoja me këmbëngulje kthimin e veprave. Pati një korrespondencë me ta, gjë që u finalizua të martën, kur përfaqësuesi i familjes së piktorit erdhi me gjithë dokumentacionin e duhur dhe mori 35 veprat e Muslim Mulliqit.

Ndërkohë artisti është ndarë nga jeta…

Ai është ndarë nga jeta në vitin 1998, por veprat e tij ishin këtu dhe janë ruajtur. Më dukej më se e nevojshme, madje një detyrim moral, që institucioni ynë me korrektësi dhe seriozitet e çoi në fund.

Çfarë paraqesin dhe si janë këto vepra?

Janë kompozime dhe portrete, kryesisht vaj në kanavacë. Mulliqi është një ndër artistët më të njohur të Kosovës dhe vinte nga një familje artistësh në Gjakovë. Ka edhe një çmim në pikturë me emrin e tij që njihet përtej Kosovës, ashtu sikundër emri i tij ka lënë gjurmë në artin e Kosovës.

Piktura e Mulliqit shquhet për një temperament ekspresionist. Ai ka qenë një artist me penelatë të fuqishme, e cila ishte po aq sa poetike dhe e egër. Ka ekspozuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në hapësirat e ish-Jugosllavisë, në Romë, në Tiranë, ndërsa ka punuar si profesor i pikturës në Fakultetin e Artit në Universitetin e Prishtinës. Mulliqi ka marrë pjesë në ekspozita ndërkombëtare në shumë vende të botës, si: Gjermani, Egjipt (Kajro), Francë, Kanada, Indi, Norvegji, Holandë, Finlandë etj. Duhet të them edhe se ai ka qenë nismëtar i themelimit dhe zv.kryetar i Shkencave të Kosovës. Galeria e Artit në Kosovë, e drejtuar nga Erzen Shkololli, mban një ekspozitë me emrin e tij. Ai ngelet një ndër figurat më të njohura të artit shqiptar. Për të gjitha këto, m’u duk me vend nisma e kthimit të veprave të tij pranë familjes së artistit.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb