Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas një njoftimi të LDK-së, kryetari Mustafa ka thënë se kjo parti është e fokusuar që dialogu të filloj shpejtë dhe të rezultoj me njohje reciproke, si dhe të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Miroslav Lajçak me anë të një postimi në Twitter, e ka falënderuar Mustafën për siç e ka quajtur ai një bisedë konstruktive për situatën politike, koronavirusin dhe pritjet për Kosovën.

Lajçak ka thënë se me Mustafën janë pajtuar për prioritetin që ka vazhdimi i dialogut.

Një marrëveshje e arritur mes Kosovës e Serbisë, sipas Lajçak do të përshejtonte rrugën evropiane të këtyre dy vendeve.

“Faleminderit Isa Mustafa për një bisedë konstruktive për situatën aktuale politike, koronavirusin dhe pritjet për të ardhmen. U pajtuam për prioritetin që ka vazhdimi i dialogut. I njëjti duhet të çojë drejt një normalizimi të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë që do të përshpejtonte rrugën e tyre evropiane”, ka thënë Lajçak.

Lajçak është emëruar në fillim të muajit prill si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb