PRISHTINE- Themelimi i Gjykatës Speciale nuk do të jetë i lehtë, por Kosova do ta kalojë edhe këtë sfidë. Kështu ka deklaruar sot kryeministri Isa Mustafa në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Mustafa flet edhe në lidhje me takimin e tij të parë me kryeministrin serb, Vuçiç, problemin e vazhdueshëm me migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës dhe sfidat me Listën Serbe në procesin e formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Mendoj që duhet të jetë një takim më tepër njoftues në këtë fazë në të cilën edhe do të hapet agjenda e çështjeve të cilat do të diskutohen në periudhën e ardhshme, sidomos gjatë këtij viti. Unë, qeveria dhe parlamenti i Kosovës duhet të jemi të njoftuar me temat që do t’i trajtojmë në Bruksel me Serbinë në nivel të dy kryeministrave. Qëllimi ynë është që dialogu të shkojë përpara, që dialogu të jetë konstruktiv dhe që nga dialogu të dalin rezultate të cilat pastaj do të mund të zbatohen. Ne dëshirojmë që edhe profili i dialogut si edhe përmbajtja dhe kornizat e dialogut të jenë të tilla që të garantojnë qëndrueshmëri që mos të vijmë në situatë që njëherë të dialogojmë dhe të merremi vesh në Bruksel dhe pastaj të ulemi së dyti dhe të dialogojmë se si të zbatohen marrëveshjet që arrihen në Bruksel, por që të arrijmë deri te marrëveshjet që mund të zbatohen pa probleme”, tha Mustafa.

Duke folur për krijimin e Gjykatës Speciale tha se nuk është çështje shumë e lehtë që të bëhet një gjë e tillë. “Mirëpo unë mendoj që një pjesë të kësaj sfide ne e kemi kapërcyer në Kuvend në mandatin e kaluar sepse e kemi një pëlqim të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të themelohet Gjykata Speciale”, u shpreh Mustafa.

Kryeministri ka folur edhe për ikjen e qytetarëve nga Kosova.

“Mendoj që është detyrë e jona, jo vetëm e qeverisë por edhe e të gjitha institucioneve të Kosovës dhe e shoqërisë civile që të krijojmë ambient dhe bindje që njerëzit nuk duhet të shkojnë dhe kërkojnë shpëtim e zgjidhje jashtë Kosovës. Ne këtë shtet e kemi bërë që njerëzve tanë t’u sigurojmë kushte të jetesës, t’u sigurojmë vende pune, që ata të sigurojnë jetën e tyre brenda Kosovës dhe këtë duhet ta bëjmë”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Po si mund të ndalet trendi i largimit, Mustafa u shpreh “Ne me dhunë nuk do ta ndalojmë. Natyrisht që të gjitha ministritë duhet ta bëjnë punën e vet, edhe Ministria e Brendshme po e bën të vetën në mënyrë që të bashkërendis veprimet edhe me faktorin ndërkombëtar. Por assesi që të përdorë dhunë sepse lëvizja e qytetarëve është e lirë dhe ne nuk mundemi të sillemi në mënyrë joligjore e arbitrare ndaj kësaj dukurie”.

Duke folur rreth kritereve për liberalizimin e vizave, ai tha se kriteret është vështirë të përmbushen të gjithat.

Sipas tij, edhe vendet e tjera nuk i kanë përmbushur të gjithat, mirëpo janë toleruar sepse është parë më e rëndësishme që ata të inkuadrohen në këtë zonë sesa që të mbeten të izoluar.

Mustafa ka folur edhe për Listën Serbe, duke thënë se është mirë që Lista Serbe është brenda qeverisë.

“Në kontaktet që deri më tani i kam pasur edhe me Listën Serbe, ministrat dhe zëvendëskryeministrin kam vërejtur sjellje konstruktive dhe interesim të tyre që të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve. Ne nuk mundemi tash që ata t’i detyrojmë të flasin siç flasim ne apo që ata të mendojnë siç mendojmë ne, por është me rëndësi që ata janë këqyr dhe janë pjesë e institucioneve të Kosovës dhe do të jenë pjesë e vendimmarrjes”, u shpreh Mustafa.

(ma.ar/tg/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: