PRISHTINE- Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar ndaj deklaratave të ish-Shefit të SHIK-ut të Shqipërisë, Fatos Klosi, i cili ka thënë se me politikën e Rugovës kurrë nuk do të çlirohej Kosova. Mustafa ka thënë se pikërisht ishte figura e Ibrahim Rugovës që ndikoi në çlirimin e Kosovës.

Ndërkohë, Klosi ka thënë se Rugova kishte filozofi pa krye dhe i kishte bërë fyerje luftës së Kosovës në takimin me Milloshevicin. Fatos Klosi ka bërë disa akuza të rënda në adresë të oficerëve FARK-ut të Bujar Bukoshit që rrinin në Tiranë. Ish-shefi i shërbimit informative kombëtar ka thënë se i ka lutur disa herë ata që të shkojnë për të luftuar në Kosovë, por ata kanë hezituar.

Klosi ka folur edhe për vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqit duke thënë se SHIK se ka vrarë atë por se tjetër kush kishte interes për vrasjen e Krasniqit. “Kosova u çlirua, sepse pati në krye një burrështetas të urtë e të mençur, të respektuar brenda e jashtë vendit, Presidentin Ibrahim Rugova. Kosova nuk do të çlirohej kurrën e kurrës po të varej nga shërbimet informative, siç ishte edhe SHIK-u shqiptar, sepse shërbime të tilla me sjelljen e tyre më shumë u kanë shërbyer regjimeve dhe Serbisë, vëllavrasjes e hasmërive të brendshme, sesa pavarësisë së Kosovës dhe interesave kombëtare. Pa infiltrim dhe përzierje të SHIK-ut, UÇK do të ishte më unike dhe lufta do të ishte më e organizuar.”, -citohet në mesazhin e Mustafës.

Më tej ai theksoi se: “Sot na vjen keq kur shohim se nga një gojë e keqe e një kryespiuni, spërkatet figura e Ibrahim Rugovës. Një fjalë popullore thotë: arni për thesin. Spiunët arnohen me të tyret, por nuk arnohen me figurën e Ibrahim Rugovës.”.

FATOS KLOSI: KONTRIBUTI IM GJATE LUFTES KA QENE SHTETEROR
Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë (SHIK), Fatos Klosi, të cilit i është njohur statusi i veteranit të UÇK-së, ka deklaruar se kontributi i tij gjatë luftës në Kosovë ka qenë shtetëror në kuadër të shërbimit që drejtonte. Në një intervistë për “Epokën e re”, Klosi ka thënë se ndihet krenar që ka pasur rastin ta ndihmojë luftën e UÇK-së.

“E quaj veten me fat që kam arritur të rreshtohem krah për krah me çunat që e bënë luftën në Kosovë. Lufta e UÇK-së ishte një luftë e madhe për gjithë kombin shqiptar, sidomos për Kosovën”, ka deklaruar Klosi. Klosi, i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë shef i SHIK-ut të Shqipërisë, u është kundërpërgjigjur edhe akuzave për vrasjen e Ahmet Krasniqit, ish-ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Bujar Bukoshit. Ai ka mohuar se ka gisht në vrasjen e Krasniqit. Në këtë kontekst, Klosi ka deklaruar se shteti shqiptar nuk ka pasur kurrfarë interesi të vritej Ahmet Krasniqi.

“Qeveria shqiptare dhe shteti shqiptar nuk kishin asnjë interes të vritej Ahmet Krasniqi. Meqenëse kjo vrasje ndodhi në territorin shqiptar, shteti shqiptar ka përgjegjësi për atë që ndodhi. Është absurde të mendosh se shteti shqiptar e bëri atë gjë. Nuk mund ta bënte këtë gjë dhe pse ta merrte këtë përgjegjësi të kotë. Zoti Krasniqi as nuk i prishte e as nuk i ndreqte punë shtetit shqiptar”, ka thënë Klosi. Po në këtë intervistë Fatos Klosi ka folur edhe për themelimin e Gjykatës Speciale.

Ai ka vlerësuar se më mirë do të ishte që autoritetet e Kosovës ta themelojnë këtë gjykatë. Klosi ka deklaruar se pretendimet e kësaj gjykate do të jenë të njëjta me të Tribunalit të Hagës. “Pretendimet e Gjykatës Speciale duket se do të jenë të ngjashme sikurse të Gjykatës së Hagës. Ky proces kërkon argumente, kërkon prova dhe jam i sigurt se këto gjëra nuk janë aq të kollajshme. Megjithatë, në një farë mënyre e kam mirëpritur themelimin e kësaj gjykate, jo se shpresoj se do të bëjë ndonjë gjë të madhe, por më në fund do të përmbyllet përfundimisht ky problem”, është shprehur Klosi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: