Kreu i LDK, Isa Mustafa ka kërcënuar Ramush Haradinajn, pasi ky i fundit vijon të artikulojë qëndrimin e tij për të marrë postin e Presidentit.

Mustafa ka thënë se LDK është e gatshme në çdo kohë t’i kërkojë qeverisë të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime për ata që nuk e kuptojnë rendin, disiplinën, apo që ndjekin axhenda personale dhe shpërdorojnë paratë publike.

Ai shton se qeveria do të jetë efikase dhe e përgjegjshme, dhe asnjë temë tjetër nuk e zhvendos nga ky qëllim.

 

STATUSI NGA ISA MUSTAFA

 

Proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve.

 

 

Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Ëashington apo në Bruksel do të jetë më përmbajtësor dhe më i qëndrueshëm, nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga Kryeministri dhe kabineti i tij i ngushte me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës.

 

Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë.

 

 

Qeverisja e vendit me prioritete luftimi i Pandemisë, rimëkëmbja ekonomike sikurse edhe dialogu për njohje reciproke, kërkon respekt institucional ndaj Qeverisë por gjithësesi edhe brenda Qeverisë. Një politikë qeverisëse dhe një zë qeverisës i bashkërenditur me Kryeministrin.

 

LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.

 

Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj, që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim. IM

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb