Libri më i ri “Gjysmë shekulli me pendë në dorë” që përmbledh shkrime të Mustafa Krujës, të botuara në gazeta të ndryshme të kohës, ka në faqet e tij, edhe një dorëshkrim që mendohet se u përket viteve 1950. Në të ai analizon Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, tregon të përbashkëtat e dallimet mes tyre, flet për karakterin e dy udhëheqësve, por pa lënë mënjanë edhe mënyrën me të cilën ata e ushtronin pushtetin.

Pjesë nga libri

PSE ENVER HOXHA ÂSHT NË KRYE?
Si mbërrîni Enver Hoxha me dalë në krye të gjithë shokvet të tij komunista e me marrë në dorë frêjt e regjimit komunist në Shqipní? Âsht nji pyetje qi bân gjithkush pa dijtun me i gjetun nji përgjegje të bindshme. Për mue përgjegja âsht fare e thjeshtë. Sepse Enver Hoxha përmblidhte në veten e tij nji shumë cilsinash mâ të madhe ndër shokët qi kishte. Dirigjentat e komunizmës shqiptare, si vlera intelektuale ishin përgjithsisht zero a pak përmbi këtê. Enver Hoxha, me kulturën e tij frênge të freskët, të përcipët sa të duësh, por xhixhilluese në nji vênd e medis nji turme injorantash, bânte përshtypje sidomos përmbi të rîjt, të tânë gjymsakë për kah ditunija. Fare pak shokë qi mund t’i bâjshin konkurrencë në këtê fushë i ka eliminue me cilsí tjera mâ të përshtatshme situatës.
Në pistak të moshës për me qênë i preferuem prej djelmnís komuniste kundrejt tjerve me moshë të shtwme e mâ pak guximtarë se ai, si edhe kundrejt të rîjve mâ pak të mësuem e mâ pak të stërvitun ndër valët e jetës se ai dhe me rivalitete ndër vete ; ambicioz pa kurrfarë shkrupulli idealisti e prandej i gatshëm me pranue e zbatue swmbyllas, me disiplinë të përsosun, urdhnat e gjerarkivet komuniste, të tâna slave, prashtu i përkrahun e i parapëlqyem edhe prej atyne, s’duhet me u çuditun aspak për daljen e atij tipi përmbi shokët në skenën tragjike të revolucjonit komunist shqiptar, as me u bjerrë ndër mistere fantastike për t’a spjegue.

Nji njeri vetëm ka qênë qi mund t’i bânte konkurrencë serjoze Enver Hoxhës: Mehmet Shehu. Ky, me djalektikën demagogjike të pashoqe për turmat e padijshme komuniste, e len Enverin shumë mbrapa. Por për squetí e për dhelpní, si edhe për shkëlqimin e përciptë të kulturës s’i afrohet fare. Mehmet Shehu ka natyrën e nji bishe të tërbueme, qi nuk pajtohet me karakterin e Shqiptarit, sado i çoroditun qi të jetë. Ai mâ se nji herë, thonë, ka vûmë buzët monstruoze ndër plagët e freskta të viktimave të tija për me thithun currilat e gjakut të ngrohët të tyne e me u dejun me tê faqe turmës qi e rrethonte. Enver Hoxha, ndonse i pashkrupull, s’ka mbërrîmë kurrë në këtë shkallë degjenerimi të natyrës njerzore. Mehmet Shehu, pra, turmavet komuniste shqiptare ka mundun me u shtimë mënderë e dridhën, por bashkë me këtê edhe nji neverí të pamasë.

Përkundrazi Enver Hoxha në botën e vet ka dijtun të fitojë edhe mjaft simpatí. – se edhe Stalini e Tito s’kanë mujtun me e gjykue të përshtatshëme nji bishë si Mehmet Shehun me e vûmë në krye të nji populli qi kanë dashun t’a bâjnë për vete.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb