PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kërkoi të enjten në Bruksel, bashkëpunimin dhe mbështetjen e vendeve evropiane për liberalizmin e vizave për Kosovën.

Këtë deklaratë, Kryeministri Mustafa e bëri gjatë pjesëmarrjes në punimet e samitit të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të grupit të Partive Popullore Evropiane (EPP), që po zhvillohet në Bruksel.

Në hapje të punimeve, Joseph Daul, kryetar i Partive Popullore Evropiane, shprehu kënaqësinë që sot edhe Kosova po qeveriset nga një parti anëtare e EPP-së.

Kryeministri Isa Mustafa gjatë fjalës së tij në punimet e samitit të zgjeruar të Partive Popullore Evropiane i informoi të pranishmit me programin qeverisës të Qeverisë së Kosovës.

Ai nënvizoi objektivat që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, shtetin ligjor dhe integrimin evropian.

Më tej, kryeministri Mustafa kërkoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e vendeve evropiane që edhe qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë si dhe për nënshkrimin sa më parë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Gjithashtu, kryeministri Mustafa kërkoi që të shikohen mundësitë e bashkëpunimit bilateral, që do të krijonte mundësi për punësim sezonal të qytetarëve të Kosovës.

Në Samitin e zgjeruar të grupit më të madh të partive në Parlamentin Evropian EPP, ishin të pranishëm edhe liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, si kancelarja gjermane Angela Merkel, Mariano Rajoy, Viktor Orban, udhëheqës të Bashkimit Evropian si dhe krerë të tjerë të partive të djathta evropiane.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: