PRISHTINË- Nga mbledhja e sotme e qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa, ka uruar që në Shqipëri të mos ndodh gazi lotsjellës dhe i ka bërë thirrje opozitës kosovare të kthehet në Kuvend, të dialogojë dhe të debatojë, të heq dora nga dhuna dhe ultimatumet.

“Unë sot edhe në emrin tim, edhe në emrin tuaj, e ftoj opozitën të kthehet në Kuvend, të heq dora nga dhuna dhe ultimatumet, të dialogojë dhe të diskutojë në Kuvend, dhe opozita të bëhet pjesë dhe të vazhdojë si pjesë e të gjitha procese demokratike të cilat janë të rëndësishme për vendin tone”, u shpreh ai.

Kryeministri Mustafa tha se, i fton po ashtu edhe të gjithë dashamirësit tjerë, edhe nga Kosova, por tani edhe nga Shqipëria, qoftë përfaqësues të institucioneve të ndryshme, apo intelektualë, të subjekteve të pavarura, të cilët nuk kanë nevojë të ndjellin asnjë konflikt në Kosovë. “Unë uroj që në Shqipëri të mos ndodh gazi lotsjellës në Parlamentin Shqiptar, as në rrugë, sepse të gjithë ne i dimë se cilat kanë qenë pasojat e sjelljeve të tilla të vitit 1997. Dhe po ashtu, konstatoj se eksponentët e asaj dhune nuk mund ta moralizojnë askënd, nuk mund të moralizojnë për demokraci as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Ne e marrim përgjegjësinë për gjendjen që është këtu, dhe këtë përgjegjësi e kemi marrë nga qytetarët tanë, dhe këtë përgjegjësi do t’ia referojmë dhe t’ia adresojmë qytetarëve, votuesve dhe demokracisë së vendit tonë”, tha kryeministri kosovar Isa Mustafa.

E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt, të 61-tën me radhë, sot pasdite, ka miratuar Projektligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës dhe vendime tjera të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar, ka miratuar dy vendime për miratimin në parim të nismave për lidhjen e marrëveshjeve financiare për IPA 2014 dhe IPA 2015, për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Marrëveshja përfshinë një fond prej 2 milionë euro, që do të ndahet proporcionalisht në mes të dyja vendeve dhe fuqizon marrëdhëniet fqinjësore në mes të dy shteteve.

Në këtë muaj që nisi, javën e ardhshme, bëhet një vit që nga zgjedhja e qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës në 9 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit. Pas zgjedhjes, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, për vitin 2015 kishte paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.

Bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri do t’i japim prioritet maksimal, deklaronte në 16 janar në konferencën e parë për shyp si kryeministër, Isa Mustafa, i pyetur nga ATSH, duke theksuar axhendën evropiane të përbashkët të dy shteteve.

“Ne, në një formë, i kemi bashkërenditë objektivat tona që në fund të muajit mars të kemi një takim të dy qeverive në Shqipëri. Në këtë takim ne do të merremi me çështje konkrete të bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimit arsimor, të bashkëpunimit kulturor dhe të axhendës sonë të përbashkët evropiane, sepse jemi dy vende, të cilat kanë para së gjithash axhendë evropiane”, theksonte Mustafa.

“Do të mundohemi që çështjet e bashkëpunimit tregtar dhe të bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e eneregjtikës t’i bëjmë si çështje të bashkëpunimit dhe si çështje të cilat duhet të zgjidhen”, shtonte ai. “Janë disa çështje të bashkëpunimit në fushën e arsimit, të cilat janë përafruar shumë, janë duke punuar dy ministritë tona dhe mendoj se deri në takimin e radhës ato do të definohen shumë më mire”, shprehej kreministri i Kosovës, Mustafa.

“Bashkëpunimi i Kosovës me Shqipërinë është një bashkëpunim që ka një karakter dhe natyrë krejtësisht tjetër në raport me bashkëpunimin me vendet e tjera, dhe ne do t’i japim prioritet maksimal këtij bashkëpunimi”, theksonte kryeministri kosovar, Isa Mustafa, për ATSH-në.

Ai deklaronte kështu derisa qeveria e re kosovare përgatitej edhe për mbledhjen e dy qeverive, të Shqipërisë e Kosovës, “Një tokë – Një Popull – Një ëndërr”, e cila është mbajtur në Tiranë, në 23 mars 2015, e që pasonte të parën historike në Prizren të 11 janarit 2014.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb