TIRANE – Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, e para që kur ai është zgjedhur në krye të Qeverisë së Kosovës; ai shoqërohet nga Zv.Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Kujtim Shala.

Kryeministri Rama, në takimin që pati me z.Mustafa dhe më pas në konferencën e përbashkët për mediat, pasi vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe vijimin e marrëdhënieve dypalëshe, njoftoi se mbledhja e përbashkët e dy qeverive do të mbahet më 23 mars në Tiranë dhe në të synohet krijimi i një hapësire të përbashkët mes dy vendeve për sipërmarrjet dhe zhvillimin ekonomik, pa pengesa administrative.

MUSTAFA: SIÇ PATEM SUKSES ME ARSIMIN E KULTUREN, TANI DO FOKUSOHEMI ME SHUME TEK EKONOMIA

Kryeministri i Kosovës, Mustafa, u dekalroi mediave se: “ne e konsiderojmë me rëndësi të veçantë, marrëveshjen për bashkëpunim ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Janë arritur rezultatet shumë të mira në arsim, kulturë dhe do të bëjmë përpjekje që këto të shprehen edhe në marrëdhëniet tregtare, në zhvillimin ekonomik dhe fokusimin kryesor do ta bëjmë këtu. Ne llogarisim se kemi mundësi të madhe bashkëpunimi në energjitikë dhe infrastrukturë e ato do të jenë fushat nëpërmjet të cilave ne do të lidhemi dhe në rajon. Përkrahjen tuaj ne e konsiderojmë të veçantë, pasi Kosova ka nevojë në këto momente të lidhet me shumë vende, që nuk e kanë njohur ende,” theksoi ai.

Rama vuri në dukje se “kemi një seri hapash të rëndësishëm administrativë për të kapërcyer, me qëllim që territoret e dy vendeve tona të jenë një e vetme për të gjithë sipërmarrjet këtej e andej kufirit. Synojmë që dokumentat e njohura në njërën anë të kufirit të njihen automatikisht në anën tjetër, – tha ai, – dhe sipërmarrësit të mos vonohen më shumë se 5 minuta në kufi. Po ashtu, ne do të heqim një sërë procedurash dhe rregullimesh që e rëndojnë të gjithë procesin e ndërveprimit për biznesin dhe bashkëpunimin për dy shtetet.”

META TAKON MUSTAFËN: MBËSHTESIM IMPLEMENTIMIN INTEGRAL TË MARRËVESHJES KOSOVË-SERBI

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta është takuar sot me Kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa me të cilin vlerësuan forcimin e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve dhe diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Kosovë e në rajon.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i uroi mirëseardhjen Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa në Tiranë dhe duke vlerësuar bashkëpunimin mes forcave politike të Kosovës, e siguroi atë njëkohësisht për mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë në konkretizimin e përpjekjeve të përbashkëta të dy qeverive respektive me qëllim rritjen e cilësisë së bashkëpunimit dypalësh dhe atij rajonal. Në këtë kuadër u nënvizua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit mes dy parlamenteve reciproke.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pandërprerë të Shqipërisë ndaj konsolidimit institucional dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës, duke theksuar se Kosova mbështetet tek përkrahja e Shqipërisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë në funksion të avancimit të axhendës së saj rajonale dhe ndërkombëtare.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u shpreh se sfida e përbashkët e Shqipërisë dhe Kosovës, ashtu si edhe e vendeve të tjera të rajonit tonë mbetet forcimi ekonomik e social i vendeve tona, dhe në këtë drejtim Shqipëria mbështet avancimin e dialogut dhe implementimin integral të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet të japë rezultate të prekshme në terren për qytetarët.

Kryetari Meta dhe Kryeministri Mustafa ndanë bindjen e përbashkët në përfundim se fokusimi i punës së përbashkët në eliminimin e barrierave burokratike dhe në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës i shërben kuadrit më të gjerë të projekteve strategjike të ndërlidhjes rajonale, i cili është edhe një prej prioriteteve kryesore të integrimit evropian të të gjitha vendeve të rajonit.

BASHA: VETËM LUFTA PA KOMPROMIS KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT DO TI ÇOJË SHQIPTARËT NË EUROPË SI QYTETARË TË DENJË‏
Kryetari i Partisë Demokratike priti sot në një takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa i cili shoqërohej nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Hashim Thaçi si dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Kujtim Shala.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryetari Basha e vlerësoi këtë vizitë si një moment të rëndësishëm në rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Zoti Basha ka ritheksuar në këtë takim vendosmërinë dhe angazhimin e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare për të mbështetur të gjitha nismat që synojnë zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm, ekonomik, institucional, kulturor, tregtar, investimet e ndërsjellta dhe çdo masë tjetër harmonizuese në dobi të rritjes së mirëqenies së qytetarëve të të dy vendeve dhe integrimit sa më të shpejtë në Bashkimin Europian.

Kryeministri Mustafa e falënderoi zotin Basha për kontributin e jashtëzakonshëm dhe të vazhdueshëm të Partisë Demokratike në qeverisje dhe në opozitë për Kosovën, njohjen e plotë të pavarësisë së saj dhe përpjekjet për realizimin e projektit madhor të integrimit euroatlantik të Kosovës.

Në takim u vlerësua fakti që Republika e Kosovës është shndërruar në një shembull të respektimit të të drejtave të njeriut dhe në një faktor stabiliteti e bashkëpunimi në rajon.

Z. Basha ka vlerësuar progresin e rëndësishëm të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte dhe marrëveshja e arritur për drejtësinë. Vijimi i mëtejshëm i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve në terren ka një rëndësi të madhe, si përsa i përket mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, por edhe për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.

Me shqetësim u diskutua dhe emigrimi masiv i qytetarëve nga Kosova dhe Shqipëria. Kjo situatë është një detyrim edhe më i madh për dy vendet, – tha zoti Basha, – për të gjetur rrugët dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës dhe rritjes e besimit të qytetarëve tek institucionet permes forcimit te shtetit ligjor dhe luftes pa kompromis kunder krimit te organizuar dhe korrupsionit.

Duke u ndalur në situatën në Shqipëri kryetari i PD z.Lulzim Basha theksoi se kapja e shtetit dhe promovimi i personave me precedent kriminal deri në nivelet më të larta të qeverisjes ka prodhuar pasiguri të lartë për jetën e qytetarëve. Ditët e fundit opinioni publik është tronditur nga akuzat që vijnë nga radhët e mazhorancës për skenarë me larje hesapesh dhe vrasës te paguar që implikojnë drejtpërdrejt krerët e shumicës. Kjo situatë dhe sjellja e mazhorancës në raport më të inkriminuarit por dhe me procedurat antiligjore dhe antidemokratike të ndërmarra prej saj në këtë një vit e gjysmë kanë sjelle kthim pas në të gjitha reformat dhe standardet demokratike të arritura deri në këtë moment, rrënim të ekonomisë,rritje të varfërisë dhe pasigurisë, rritje galopante të korrupsionit dhe kane zhbërë besimin e qytetarëve për të ardhmen çka e dëshmon dhe niveli i shtuar i emigrimit dhe dëshirës për t’u larguar nga vendi.

Partia Demokratike mbetet thellësisht e vendosur për të çrrënjosur sëbashku me qytetarët shqiptarë këtë fenomen ogurzi të kapjes së institucioneve dhe të burimeve ekonomike nga oligarkia e krimit përfundoi zoti Basha”.

BERISHA PRET KRYEMINISTRIN E KOSOVES, SHPREH BESIMIN SE MAZHORANCA DO T’I VAZHDOJE REFORMAT

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është pritur sot dhe nga ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili i ka shprehur atij besimin se “mazhoranca e krijuar do të shfrytëzojë të gjithë potencialet për të vazhduar reformat në mënyrë që Kosova te garantoje rritjen ekonomike dhe mbrojten e ekonominse në mënyrë që ajo të mos njohë recesion.”

PD njoftoi se Mustafa shprehu kënaqësinë për këtë takim si dhe vlerësimet më të larta për bashkëpunimin e gjatë dhe përkrahjen e pakufishme të zotit Berisha në të gjitha proceset, në njohjen, konsolidimit dhe integrimin e Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj në arenën ndërkombëtare. Zoti Mustafa u shpreh se Kosova tani është futur në një fazë shumë të rëndësishme të zhvillimit të saj e cila kërkon përsëri mbështetjen e gjithanëshme të Shqipërisë dhe në mënyrë të vecantë për kontributin e zotit Berisha.

Berisha e vlerësoi vizitën e delegacionit kosovar në Shqipëri pasi, sic theksoi ai, cdo vizitë i shërben kapërcimit të pasojave të ndarjes së imponuar dhe të padëshiruar midis dy pjesëve të kombit. “Në këtë kontekst, theksoi Berisha, e shoh me shumë rëndësi vizitën tuaj në Shqipëri, pasi i jep një shtysë më të madhe marrëdhënieve midis dy vendeve dhe dy anëve të kombit”.

Ish kryeministri pershendeti vendimin e qeverise se Kosoves per t’i hapur rruge veprimtarise se Gjykates se vecante per Kosoven. Me kete vendim qeveria dhe legjislativi i Republikes se Kosoves deshmojne respektin e palekundur ndaj ligjit nderkombetar dhe luajalitetin ndaj SHBA dhe aletëve tanë te tjerë. Ai shprehu bindjen se miratimi i kuadrit të nevojshëm ligjor per kete çeshtje dhe jo nderlikimi i saj është absolutisht interesi me i mirë për Kosoven dhe qytetaret e saj.

TAKIME EDHE ME PRESIDENTIN NISHANI DHE KREUN E PD, BASHA

Kryeministri Mustafa, përveç takimit me homologun Rama, do të pritet nga kryeparlamentari Ilir Meta si edhe nga Presidenti Bujar Nishani dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha.

Gjatë vizitës, kryeministri Isa Mustafa po ashtu do të zhvillojë takime edhe me personalitete tjera të shquara të jetës politike e akademike në Republikën e Shqipërisë.

(ar.sh/d.b/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb