Qeveria e Kosovës e cila drejtohet nga Albin Kurti, e ka konsideruar si jo ligjërisht të obligueshme Marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në Washington mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Kjo sepse sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ditë më parë deklaroi se kjo marrëveshje nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend. Deklarata e Kryeziut ka ngjallur reagime të shumta. Me këtë rast ka reaguar edhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Mustafa për Klankosova tha se kjo marrëveshje do të zbatohet pavarësisht se çka deklaron një zëdhënës i cili flet në emër të Kurtit. Ai theksoi se nuk njeh ndonjë kryeministër, i cili i ka mbijetuar shkeljeve të marrëveshjeve me SHBA-të.

“Marrëveshja do të zbatohet, pa marrë parasysh çfarë deklaron zëdhënësi, i cili shprehet në emër të Kryeministrit Kurti. Nuk e njoh ndonjë qeveri apo kryeministër që i ka mbijetuar shkeljeve të marrëveshjeve me SHBA-të dhe mospërfilljes së shtetit amerikan. Duhet të theksohet se marrëveshja është bërë shtet me shtet, Kryeministri i Kosovës me Presidentin e SHBA-së. Është marrëveshja e parë dhe më e rëndësishmja që e ka bërë Kosova në këtë nivel të lartë”, tha Mustafa.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb