TIRANË

Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj ka folur në rubrikën “Opinion” në News24 për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe marrëveshjen për qeverinë e re, me kushtin që 100 ditët e fundit do të drejtohet nga një kryeministër shqiptar.

Mustafaj tha se është surprizë sepse dhe kur Ali Ahmeti e thoshte në fushatë askush nuk e besonte por sipas tij është një arritje dhe pse simbolike. Ai deklaroi se lidershipi shqiptar në Maqedoninë e Veriut tregoi pjekuri të re.

“Ka surpriza sigurisht sepse surprizë ka qenë një nga sloganet e BDI-së dhe Ali Ahmetit, është koha për një kryeministër shqiptar. Askush nuk e besonte. Unë personalisht kam shkruar që kjo nuk bëhet, që do jetë e vështirë të ndodhë. Ai arriti një diçka. Në mënyrë simbolike ne do kemi një kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit të qeverisë që filloi procesi për krijimin e saj. Në këtë kuptim është një surprizë sepse kjo tregon një rritje të ndjeshme të rolit të faktorit shqiptar në institucionet qendrore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Besoj se BDI, personalisht Ali Ahmeti, lidershipi shqiptar atje tregoi një vetëdije të re, një pjekuri të re dhe pritet tashmë se sa ndikim do ketë kjo rritje në përmbushjen e mëtejshme të të drejtave të shqiptarëve. Kryeministri shqiptar është simbolik por është hera e parë. Të zgjedhur në mënyrë institucionale dhe në sajë të negociatave politike”, deklaroi Mustafaj.

Sipas tij, thyerja e tendencës për një qeveri të rreshtuar në mënyrë nacionaliste është një shërbim i madh për vendin.

“Mos harrojmë se Zaev që e pranoi këtë kompromis ishte ai që në fushatë tha se kjo nuk do të ndodhë kurrë. Thyerja e një tendence për t’u rreshtuar në mënyrë nacionaliste etnitë në Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet kësaj marrëveshje është një shërbim shumë i madh që i bëhet në radhë të parë Maqedonisë. Çdo rreshtim etnik është në dëm të kohezionit të kësaj Republike dhe kthim mbrapa në kohën e tensioneve e përplasjeve ndëretnike. Është simbolike por është e rëndësishme në 100 ditët e fundit sepse do udhëheqë procesin zgjedhor. Një kryeministër shqiptar që do tregojë kapacitetet janë një provë e re për komunitetin shqiptar për kapacitetet e tij shtet formuese.
Ka qenë një pozicion shumë i vështirë, një aftësi negociuese nga ana e BDI-së, një shtrim parimor i problemit. Po të kemi parasysh deklaratën që bëri pas Ali Ahmeti, ka qenë shtrim i problemit në perspektivën e interesit të përgjithshëm, jo veç interesit të shqiptarëve. Përveç kësaj janë marrë disa nga ministritë e rëndësishme që do drejtohen nga shqiptarët. Si ministria e mbrojtjes, ministria e jashtme dhe kryetari i parlamentit”, tha ai.

A është për banorët e Maqedonisë së Veriut pavarësisht nga etnia, një qeveri premtuese?
“Ne nuk njohim ende emrat, sepse dhe personaliteti i njerëzve që do drejtojnë institucionet ka shumë rëndësi. Marrëveshja politike është një letër nëse nuk mishërohet përmes personaliteteve të afta. Ende nuk mund të gjykojmë për kompozimin e qeverisë. Interes i kësaj marrëveshje është në faktin se kjo marrëveshje siguron paqe ndëretnike, kohezion shumë të madh, i shërben rritjes së kohezionit të kësaj shoqërie dhe stabilitet politik. Duke pasur këto elemente, ekonomia ka më shumë mundësi për tu zhvilluar, kultura po ashtu, qetësia shpirtërore. Kjo marrëveshje është njësoj në interes të çdo qytetari pavarësisht përkatësisë etnike”, deklaroi Mustafaj.

Ai prenoi se në rritjen e VMRO ka ndikuar vendimi i BE-së. “Në kohën kur negociohej marrëveshja dhe kalohej në parlament. Zaev ishte shumë optimist dhe bëri një deklaratë që u mbajt, sepse këto ishin zgjedhje të parakohshme. Kështu ndodhi. Gjithmonë zgjedhjet e parakohshme pavarësisht nga arsyeja, i shërbejnë opozitës. Kjo ka ndikuar. Mos harrojmë se Zaev, LSDM bëri një performancë jo aq të shkëlqyer, mori një deputet më shumë duke qenë në koalicion me një parti shqiptare. Pa këtë parit shqiptare brenda koalicionit që edhe kjo ishte një novitet, se e afroi drejt integrimit në BE dhe u anëtarësua dhe në NATO.
Bashkësia shqiptare, partitë shqiptare që ishin në mbështetje të kësaj marrëveshje sollën një mobilizim më të madh të lektoratit shqiptar për të marrë pjesë në zgjedhje”, deklaroi ai.

Sa i përket takimit në SHBA mes Kosovës e Serbisë më 2 shtator, Mustafaj tha se kjo që pritet është shumë më mirë se takimi që u prish dhe sipas tij synohet njohja reciproke përmes bashkëpunimit ekonomik.
“Unë besoj se kjo është një gjë shumë e mirë që do të ndodhë. Shumë më mirë se ajo që u prish. Pavarësisht se do bëhet nga të njëjtët aktorë tashmë është i kontrolluar më qartë qëllimi. Qëllimi që të nesërmen e dështimit të takimit të parë u përcaktua më qartë nga Grenell që do të jetë vetëm ekonomik. Tashmë dihet që një samit i tillë nuk synon lënien pas dore të BE-së, nuk është karshillëk me BE, është në një farë mënyre me një bashkëpunim parapërgatitës. Nuk u tha nga Lajçak e BE që nuk e dimë çfarë do diskutohet. Është një hap i rëndësishëm sepse Uashingtoni Shtëpia e Bardhë po i qaset këtij dialogu përmes rritjes së bashkëpunimit ekonomike. Të bindur se bashkëpunimi ekonomik do të krijojë një ind të tillë që do ta bëjë të domosdoshëm dhe bashkëpunimi politik dhe njohjen reciproke. Është e provuar, problemi është se sa do të jetë konsistente administrata e Trump në presionin mbi Beogradin për të mos parë vetëm interesin e vet në këtë bashkëpunim por për të parë interesin e të dy palëve”, deklaroi Mustafaj.

Por a mund të ketë efekt në vende si Ballkani, parimi i bashkëpunimit ekonomik? Mustafaj thotë se varet nga projektet.

“Nisma e Berlinit këtë thelb kishte, rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Ballkanit për krijimin e një ndërvarësie ekonomike, të tillë siç u ndërtua në origjinë BE. Me të njëjtën filozofi, nisma e Berlinit synonte të vepronte dhe në Ballkan, sa ia arriti kjo nuk varet vetëm nga atje por kryesisht nga kryeqytetet. nuk është vetëm tek deklaratat e vullnetit të mirë politik por dhe në projekte. Ka disa projekte të financuara të Serbisë nga nisma e Berlinit sepse përfaqësuesit e Shqipërisë shkojnë pa përgatitur me duar në xhepa”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb