TIRANË

Ish-ministri dhe analisti Besnik Mustafaj ka komentuar situatën politike në vend, duke nisur nga djegia e mandateve të opozitës dhe reagimet nga ana e maxhorancës. Lidhur me anulimin e seancës së nesërme parlamentare nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi, Mustafaj tha në rubrikën “Opinion” në News24 se shpreson të jetë e fundit. Ai tha se parlamenti ose duhet të vazhdojë detyrën kushtetuese ose duhet të shkrihet dhe të ketë zgjedhje.

“Vendimi i zotit Ruçi është sigurisht një mënyrë për të shmangur tensionet që mund të dalin jashtë kontrollit. Nuk më çudit dhe as më indinjon kjo që ka bërë zoti Ruçi. Parlamenti i Shqipërisë duhet të vazhdojë detyrën e tij kushtetuese ose të shkrihet dhe të shkojë në zgjedhje. Realisht shpresoj që të jetë e fundit”, tha Mustafaj.

Për sa i përket mandateve, Mustafaj deklaroi se ky është një radikalizim nga ana e opozitës dhe se nëse dështon do ketë një dëm të madh moral dhe psikologjik.
“Unë s’do marr përsipër të gjykoj nëse kishte të tjera alternativa apo nëse kjo është me mira që mund të bënte PD. Jemi para faktit të kryer. PD konsumon aktin më ekstrem politik. Nëse dështon do jetë një dëm shumë i madh për PD-në dhe demokracinë në Shqipëri. Opozita do pësojë një dëm të madh moral dhe psikologjik.
Ka disa arsye pse themi nëse dështon. Kur bën një analizë duhet menduar dhe mundësia e keqe jo vetëm e mira. Kjo opozitë, këta deputetë, opinioni publik shqiptar kanë përballë Edi Ramën si person, që është dhe kryetar i maxhorancës dhe në jetën politike nuk ka pasur politikanë që kanë qenë kaq refuzues për të dëgjuar opinionin”, u shpreh Mustafaj.

Referuar fjalëve të Ruçit se opozita ka pasur kohë sa maxhoranca për të folur në Kuvend, Mustafaj tha se opozita nuk është marrë kurrë më seriozitet dhe asnjë sugjerim nuk është marrë parasysh.

“Është e vërtetë që opozita ka pasur kohë në Kuvend por nuk është dëgjuar nga maxhoranca. Nuk dimë asnjë rast që maxhoranca ka marrë me seriozitet sugjerimet e opozitës. Mundësia që kjo masë radikalizimi e opozitës të dështojë në objektivat e veta vjen edhe për shkak të sjelljes pa kuptim politik që ka kryetari i maxhorancës.

Në qoftë se ai refuzon të lexojë këtë pakënaqësi, nëse nuk lexon këtë radikalizim, atëherë ne po shkojmë drejt një polarizimi jo vetëm të politikës por edhe opinionin publik. Kryeministri nuk ka as nerva as inteligjencë politike për ta lexuar”, u shpreh Mustafaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb