Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve se deri më tani nuk ka asnjë vendim nga Bashkimi Evropian për të kufizuar hyrjen e atyre personave që janë vaksinuar me vaksinën kineze Cinovax dhe atë ruse Sputnik V.

“Deri më tani nuk ka asnjë vendim se si mund të lëvizin qytetarët, por nga informacionet e fundit që ne kemi nga OBSH dhe EMA, është se po merren në konsideratë edhe këto dy vaksina, për t’u vlerësuar nga EMA si vaksina për të marrë autorizimin emergjent të tregtimit. Besoj që do të ketë një lajm të shpejt për këtë, por deri tani nuk ka asnjë kufizim të vendosur mbi llojet e vaksinave për të hyrë në vende te BE”, tha ministrja.

Më tej, Manastirliu sqaroi se vendosja e karantinës 14-ditore për emigrantët nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut nuk kishte të bënte me zgjedhjet e 25 prillit, por me pashkët ortodokse.

“Komiteti i Ekspertëve ka apeluar edhe gjatë fushatës zgjedhore që të ruhen masat e distancimit dhe të shmangen grumbullimet. Ne jemi në vlerësim e sipër, situata do të vlerësohet në dinamikë në dy javët e ardhshme. Edhe pse ekspertët e kanë thënë që janë në pritje që të ketë rritje të numrit të infektimeve, ne kemi apeluar përgjatë gjithë kësaj periudhe të fushatës. Është akoma vendi për të ftuar të gjithë qytetarët të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë masat. Sot më shumë se kurrë, duke qenë se kemi një situatë të kontrolluar dhe të qëndrueshme, ka nevojë për ndërgjegjësim e përgjegjësi qytetare për të vijuar në këtë situatë. Dua ta theksoj se fushata jonë e vaksinimit nuk ishte një fushatë për fushatën elektorale. Fushata e vaksinimit, nisur në një kohë shumë të shpejtë dhe bërë në ritme të larta, krijon një situatë apo panoramë sot më të lehtësuar se dje, në raport me epideminë. Ne e kemi bërë hapin tonë, me vaksinimin, dhe do të vazhdojmë, pasi presim vaksina të tjera në muajt në vijim, e nuk do të ndalemi derisa qytetari i fundit të jetë vaksinuar. E kemi vlerësuar situatë me shumë kujdes. Periudha e festimeve të pashkës ortodokse u vlerësua se do të kishte një hyrje të atyre qytetarëve që do të vinin për të festuar, duke qenë se në Greqi e Maqedoni ka pasur rritje të madhe të infektimeve. Në vendin tonë do të kishte numër të lartë qytetarësh që do të vinin për të festuar këtu, pasi dy vendet fqinje ishin të mbyllura. Ndaj e vendosëm karantinë dhe besoj se kemi vepruar në mënyrë të drejtë”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, tha se ka pasur raste të infektimit të qytetarëve pas vaksinimit, por që nuk janë shtruar në spital.

“Ka pasur disa persona që janë infektuar, por asnjë prej tyre nuk është shtruar në spital. Ka pasur raste që kanë shfaqur forma të lehta, por jo shtrime. Në lidhje me mutacionin indian është një diskutim shumë i gjatë, nëse i përket vetëm këtij mutacioni, apo edhe atij britanik. Po bëhet më tepër zhurmë në lidhje me mutacionin indian. Nuk mendohet se mund të jetë ky lloj mutacioni shkaku i madh i përhapjes në Indi. Natyrisht është në Itali e Greqi, por dhe neve po e shikojmë nëse kemi të bëjmë me këtë mutacion”, u shpreh Bino.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb