NGA PROF. ASOC. DR. GËZIM QËNDRO*

Pak përpara ndarjes nga jeta, një i afërmi im, që dikur mbante poste të rëndësishme shtetërore, më tregoi gjatë një feste familjare se si një hetues i kish vënë të dëgjonte bisedën e përgjuar që ai kish bërë me një ish- anëtar të Byrosë Politike të arrestuar asokohe për veprimtari armiqësore. Po bisedonim për një përgjime të cilat zakonisht lidhen me qetësinë dhe fshehtësinë mes atmosferës marramendëse dhe shurdhuese të një feste familjare kështu që shpesh nuk arrija ta ndiqja fillin e bisedës.E pyeta se çfarë dëgjohej tjetër në regjistrim përveç bisedës së tyre. Pasi u mendua më tha se dëgjohej në sfond biseda e dy funksionarëve të tjerë që po drekonin pak më tutje, pastaj biseda me shefin e kuzhinës së hotel turizmit të qytetit që kish ardhur vetë të merrte porosinë duke bërë ndonjë shaka të kujdesshme, zhurma të qytetit dhe plot detaje të tjera të përditshme, të cilat më interesuan më tepër se vetë biseda e regjistruar nga “çimka” diku aty rrotull.

Kjo pasi prej vitesh po merrem me studimin e përditësisë, njërës prej viktimave të harruara të regjimit totalitar, e cila u dëbua nga arti zyrtar dhe përmes zëvendësimit të ritualeve të përditshme me ato që krijoi pushteti në vite u bënë përpjekje, pjesërisht të suksesshme, që ta përzënë krejt nga jeta e shqiptarëve. Po ç’patën me përditësinë?

Michel Foucault-ja e bën të qartë se: “arti i të jetuarit u kundërvihej të gjitha formave tashmë të pranuara apo kërcënuese të fashizmit”. Edhe të komunizmit, do të shtonin ata që e provuan në kurriz variantin shqiptar të stalinizmit. Si një fe e mirëfilltë shekullare që përkon plotësisht me përkufizimin e Rajmond Aronit dhe Emilio Gentiles, komunizmi e shihte me dyshim përditësinë të cilën u përpoq ta ritualizonte për ta patur nën kontroll. Ideologjitë totalitare, qofshin edhe të kundërta, i bashkon “alergjia” ndaj çdo forme të jetës shpirtërore që i shpëton kontrollit politik, përfshirë edhe më të rëndomtat. Kjo pasi nuk mund të vihen nën kontroll meqë ideologjikisht janë të pamanipulueshme. Këto rituale të vockëla, në dukje të pafajshme, të jetës së përditshme provuan se ishin antidote të efektshme ndaj paroksizmit të manifestimeve të ritmuara nga muzika buçitëse me optimizëm rrapëllitës të bandave frymore dhe brohoritjeve entuziaste të festave dhe parakalimeve, injektuese të haresë efemere, entuziazmit të shtirur, dyfaqësisë së imponuar nga frika e ndëshkimit, apo besimit aksiomatik në fitoren e socializmit pas çdo dështimi të radhës. Ato ishin po ashtu limane të sigurta mbrojtjeje psikologjike prej histerisë së propagandës totalitare, mundësi shpëtimi prej deformimit psikologjik. Prandaj ritualet dhe zakonet e jetës së përditshme nuk u lanë jashtë vëmendjes së pushtetit totalitar pasi sa të çiltra dhe të padëmshme në dukje, aq edhe shpëtimtare ndaj eksperimentit të ngjizjes së Njeriut të Ri. Politizimi deri edhe i dollive apo disa zakoneve të festave familjare, fshirja apo grisja nga albumet familjare të atyre fotove ku ndodheshin të afërm të dënuar nga regjimi, ishin shenja se edhe sferat intime të jetës të ritmuara sipas kalendarit fetar apo pagan dhe tradicionalisht të lëna jashtë trysnisë së pushtetit, po viheshin nën kontroll me një zell të papërmbajtur fanatik.

Kisha patur gjithmonë bindjen se regjimi e pati fituar betejën me përditësinë pasi nuk i dha asnjë mundësi të linte gjurmë në artin dhe kulturën e asaj kohe. Por pikërisht aty, gjatë bisedës me një viktimë të përgjimit më shkrepi në mend ideja se isha gabuar. Padashur, me regjistrimet zanore apo filmike, me fotografitë e personave nën përgjim regjimi kishte lënë në dosjet e hetimit dëshmi të pacensuruara të përditësisë tonë.

Si krijoheshin këto dëshmi? Një tekst në internet më sqaroi se si organizohej ky proces nga Stasi famëkeq ku me përpikmërinë tipike gjermane përshkruhej me hollësi nisja e hetimit nga të dhënat e informatorëve, pastaj sipas karakterit të veprimtarisë armiqësore dosja i kalonte seksionit përkatës ku caktohej personeli dhe pajisjet teknike të përgjimit. Pasi bëhej plani i hollësishëm i përgjimit, operacionit i jepej një emër i koduar dhe caktoheshin vendet e përshtatshme për të regjistruar apo fotografuar të dyshuarin. Zakonisht ngriheshin grupe me 3-4 vetë të cilët, ose e ndiqnin të dyshuarin, duke dokumentuar veprimet e tij të dyshimta, ose e prisnin në vendin ku dihej se do të shkonte. Pasi mblidheshin prova të mjaftueshme shefi i operacionit hartonte dosjen me të gjitha materialet pamore apo dëgjimore e cila i kalonte hetuesisë për ndjekje të mëtejshme. Ndonëse nuk mund të presësh nga Sigurimi shqiptar efektshmërinë e Stasit apo simetri procedurash ka shumë të ngjarë që, të paktën, formalisht Sigurimi i Shtetit ndiqte pak a shumë të njëjtën linjë veprimi.

Padyshim që interes të veçantë paraqet sidomos mënyra si realizoheshin këto dëshmi pamore dhe zanore. Siç theksohet në materialin e sipërpërmendur (në mungesë të njohurive rreth mënyrave si punonte Sigurimi shqiptar) pas viteve ’50 pajisjet e përgjimit në vendet e Lindjes u sofistikuan edhe më shumë. Kamerat u fshehën në stilolapsa, kopsa, radiotranzistorë dhe objekte të tjera të përdorimit të përditshëm. Në pamundësi për të parë dëshmitë që mund të jenë në dosjet e përgjimit të Sigurimit gjeta në internet foto vetëm të policisë së Çekosllovakisë së atëhershme (fotot 1, 2 ,3 4). Vepra të vërteta arti! Për shkak të fshehtësisë së regjistrimit fotografi nuk mund ta vinte në sy objektivin, prandaj ai drejtonte me afërsi (nganjëherë duke e fshehur poshtë xhaketës) nga personi nën vëzhgim me shpresën se do ta përfshinte në fushëpamjen e objektivit. Pra, “artisti” nuk e kompozonte imazhin duke ia lënë pothuaj gjithçka rastësisë, çka të kujton një mënyrë fotografimi tepër të njohur, atë të quajtur pin hole, ku po ashtu artisti, këtë radhë, me ndërgjegje, zgjedh të fotografojë pa e parë kompozimin, duke ia lënë rastësisë të realizojë një foto që pothuaj gjithmonë habisin të parin vetë autorin. Fotografia moderne dallon nga ajo klasike jo vetëm për kapjen e çastit, diçka e kryen aparati në të dyja rastet, por sidomos nga shkalla e ndërhyrjes së qëllimtë të artistit. Rezultati është pothuaj gjithmonë befasues, ai ngjan me një kuadër filmi të prerë rastësisht nga shiriti, me kompozim të papritur ku shpesh figura pritet nga kufijtë vertikalë apo horizontalë të kuadrit. Çka e bën të ngjajë (njëlloj si në fotot e policisë çekosllovake) si e shkrepur pa ndërhyrjen e një subjekti kompozues, duke i dhënë tipare të veçanta tipike moderniste.

Afërmendsh, fotografitë  e tilla në policitë e vendeve të Lindjes i bënin persona që nuk kishin lidhje me artin dhe nuk synonin të krijonin vlera të mirëfillta estetike, aq më tepër, moderniste. Ata ishin pjesë e një agjencie që mbante rreptësisht nën kontroll gjendjen politike, që zbulonte dhe mbikqyrte elementët që perceptoheshin si të rrezikshëm për regjimin. Çuditërisht ata janë mohim i konceptit të auctor-it tipik për realizmin socialist dhe përfaqësuesit e vetëm të konceptit postmodern të autorit të shprehur nga Roland Barthes-i në vitin 1957, ku përparësi nuk merr procesi i krijimit, por kushtet e leximit të veprës. Sigurisht që padashur, për shkak të qëllimit dokumentues të fotografisë “artisti” detyrohet të përmbahet me rigorozitet marrëdhënies gestaltiste figurë-sfond, por mendoj, ndonëse nuk kam parë asnjë foto përgjimesh, se nisur nga procedura e fotografimit ku mbisundon rastësia, shumica e tyre ka të ngjarë të kenë kompozime të papritura që thyejnë standardet klasike të kompozimit, me ndriçim shpesh të papërshtatshëm njëlloj si fotot e kolegëve të tyre çekosllovakë. Ka të ngjarë të jenë fotografuar në situata nga më të ndryshmet sepse aty nuk kishte as listë tematikash të detyrueshme dhe as komisione të Lidhjes që vendosnin për cilësinë artistike dhe trajtimin me partishmëri të subjektit.

Nëse edhe në Shqipëri ekzistojnë imazhe të tilla atëhere përballemi çuditërisht me paradoksin që të vetmit “artistë të lirë dhe modernistë” të asaj kohe ishin fotografët e Sigurimit, ndonëse ata nuk e mendonin fare veten si të tillë dhe e urrenin artin modern si të degjeneruar dhe pa vlerë. Ata do të na kenë lënë, ndonëse kundër dëshirës, dëshmitë më mbresëlënëse të atij realiteti, ku moderniteti i kompozimit dhe sinqeriteti i dëshmisë ndërthuren me magjinë e rastësisë të cilat nuk i gjen në dëshmitë pamore të kollarisura të fotografëve të regjimit.

Po sikur me dëshmitë pamore dhe zanore të ngremë Muzeun e Përditësisë së Mohuar? I cili si çdo muze mund të ketë seksione të veçanta si ai i Imazhit Pamor, Imazhit Zanor, i Teknologjisë dhe Dëshmive Materiale etj. Do të ishte muze krejt i veçantë, edhe sepse do të ndërtohej mbi trashëgimi autorësh anonimë, me subjekte të kthyera në personazhe pa e ditur. Në ato dëshmi pamore dhe zanore ka mundësi të gjejmë gjithçka që mungon në artin e realizmit socialist dhe në imazhet e përhapura nga propaganda zyrtare. Më duket sikur e shoh me pavionet e ndriçuara me dritë të zbehtë ku shfaqen njëra pas tjetrës fotot e personave të përgjuar. Po ç’mund të na tregojnë ato foto nëse ekzistojnë vërtet dhe ngjajnë me fotot  e çekëve të përgjuar që shoqërojnë këtë tekst?

Së pari, do të shohim fytyrat e vërteta të shqiptarëve të asaj kohe çk akemi filluar ta harrojmë. Pa ndriçimin e duhur, të fotografuara në shumicën e tyre bardhë e zi me siguri ato duken edhe më depresive dhe të lodhura.. Krejt ndryshe nga fytyrat e punëtorëve të dalluar në revista dhe gazeta të cilat, pasi i falnin shikuesit një buzëqeshje rrezëllitëse tipike socialiste, e hidhnin vështrimin si me komandë larg, si të donin të vërtetonin mëtimin  e teleologjisë dhe mesianizmit laik të Idesë komuniste. Në të gjithë artin e realizmit socialist, përfshirë edhe fotografinë, nuk gjen qoftë edhe një personazh me fytyrë të mërzitur nga hallet e shumta që i kanë rënë mbi kokë, të sëmurë, shkurt, larg shprehjes së kënaqësisë që po jeton në “epokën e ndritur të Partisë”. Siç pohojnë fotografët e asaj kohe, shpesh ata merrnin me vete edhe pudër dhe ndonjë mjet tjetër për t’i “zbukuruar” pak personat e zgjedhur për t’u fotografuar. Kështu, me pak ndriçim dhe pak retushim ata bëheshin pasqyra të optimizmit revolucionar, banorë të denjë të parajsës socialiste. Po ashtu në to nuk gjen asnjë personazh në përditësinë e tij, pra, duke ngrënë, biseduar për qejf me një shok, duke luajtur me letra, etj.

Nëse dëshmitë e fotografëve zyrtarë tregonin personazhet e parajsës, kolegët e tyre të Sigurimit tregonin në fotot e tyre personazhet e ferrit. Këtu jo vetëm që nuk bëhej më fjalë për pudër apo retush, por edhe vetë përzgjedhja e personazheve ishte bërë për arsyet e kundërta, militantizmi dhe besnikëria ndaj regjimit në rastin e parë, biografia “e keqe” ose dyshimi për veprimtari armiqësore në të dytin. Ndërkohë që, për arsyet e mësipërme, dëshmitë e lëna nga fotografët e Sigurimit ka të ngjarë të jenë ku e ku më të vërteta dhe më të sinqerta sepse nuk ishin për konsum publik. Ato janë ana tjetër e medaljes së realitetit të Shqipërisë socialiste që u fsheh me kujdes deri në ditën e fundit të regjimit.. Prandaj këto dëshmi kanë vlerë të pallogaritshme dokumentare dhe historike.

Po ashtu ato dëshmi pamore tregojnë për mjedise urbane “socialiste” të padenja për t’u fotografuar. Njëra nga çuditë e pashpjegueshme të realitetit të vendeve ish-socialiste, përfshirë edhe Shqipërinë, është krijimi nga regjime aq brohoritëse dhe optimiste të mjediseve urbane të hirnosura e depresive, ku zymtësia dhe mediokriteti i  arkitekturës bien menjëherë në sy, fakt që mund ta vëresh ende sot në qytetet e ish-Gjermanisë lindore, megjithë ndryshimet rrënjësore që kanë pësuar.

Në ato copëza peisazhi urban të qyteteve shqiptare të ngecura rastësisht në rrjetën e Sigurimit gjejmë portretin më të saktë dhe më të besueshëm të Shqipërisë së asaj kohe, të pakaluar në sitën e censurës. Copëza rrugësh, shtëpish, muresh të kryeqytetit apo qyteteve të asaj kohe, ku ndihet varfëria, frika, mjedise të zhdukura pa lënë gjurmë, me mure të rrjepura suvarënë, me njerëz të vrenjtur të veshur e të ushqyer keq që ecin pa e ditur se po fotografohen, mbase aty mund të shohim edhe ndonjë rradhë të gjatë për bulmet apo ndonjë produkt tjetër, pra, gjithçka që propaganda e kujdesshme nuk lejonte të shfaqej në shtypin e përditshëm apo në artin zyrtar. Sa të largët do të na dukeshin ato qytete të zbrazëta, gati qytete fantazmë, sidomos natën, pa makina, pa  reklama si do të thoshte Kadareja, pa restorante, klube, jetë nate, lirinë që padyshim qytetet tona e kanë me të mirat dhe të këqiat që sjell kjo liri.

Po atë vlerë mendoj se kanë edhe regjistrimet zanore të bëra fshehurazi subjekteve në mjediset ku shpalosej përditësia e tyre. Në muze ato mund të dëgjoheshin në dhoma të vogla që do të rindërtonin mjedise të asaj kohe prej nga kryhej përgjimi zanor mjedisor ose i telefonave. Në to mund të dëgjojmë plot zhurma tipike për atë kohë që tani i kemi harruar, të ndjejmë magjinë e një bisede të thjeshtë midis dy bashkëshortëve, dy shokëve, dy apo më shumë kolegëve që flasin pa e ditur se po përgjohen, bisedat e tyre subversive, intimitetin e shfaqur pa ditur se po dëgjohen. Aq më tepër, që ka të ngjarë që personat e përgjuar të mos jenë më mes të gjallëve. Në sfond mund të dëgjohen zhurma të ndryshme, mund të hyjë dikush që pasi thotë diçka ikën prapë duke i lënë të qetë ata që përgjohen. Është një univers i tërë fjalësh dhe zhurmash që na u fsheh nga propaganda, që u ndalua të trajtohet nga arti zyrtar, por që për ironi të fatit, vetë ata që e ndaluan pa dashje lanë gjurmë të kësaj përditësie në bobina filmash, foto apo shirita magnetofoni. Diçka e kemi parë të shfaqet si një oborr burgu ku të burgosurit shëtisin lart e poshtë, ekzekutime kundërshtarësh të regjimit etj. Duke parë këto dëshmi kupton se sa surreal, dhe i pavërtetë është realizmi socialist, ndonëse mëtoi të pasqyronte me vërtetësi realitetin e Shqipërisë së atëhershme.

Ndonëse mbeten gjithmonë prova materiale të dhunës dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, të cilat nuk janë mëkatet e vetme të atij regjimi ndaj shqiptarëve, dua të besoj se nuk kanë vetëm vlerave dokumentare dhe historike. Diskutimi i hapjes së dosjeve mund të përfshijë edhe nxjerrjen e këtyre dëshmive të cilat përveç të tjerave, nisur nga fotot e policisë çekosllovake, mund të kenë, në kuptimin poststrukturalist, edhe vlera  artistike të cilat ia vlen të studiohen.

Në këtë muze meritojnë të përfshihen edhe dëshmitë e Goksin Sipahioglu-t, fotografit që arriti të hynte në vitin 1962 në Shqipëri e mbyllur hermetikisht duke përfituar nga një ndeshje futbolli me një ekip turk. Ai arriti të fiksonte momente nga përditësia jonë shpesh edhe fshehurazi. Në njërën, të cilën siç na e tregoi vetë kur erdhi në vitin 2000 në rastin e ekspozitës së tij në Galerinë Kombëtare, e kish shkrepur fshehurazi nga dritarja e autobuzit urban, shihen dy punonjës të sigurimit që po ecin në rrugë. Njërit prej tyre i dallohet qartë doreza e pistoletës (fig. 6).

Në tjetrën shihen dy burra të vjetër tiranas që bisedojnë shtruar si dy miq të vjetër në buzë të trotuarit. Të duket sikur dëgjon bisedën e tyre për motin, apo hallet e përditshme. Përzierja e xhaketës qytetare me brekushet tradicionale, qeleshet  dhe trasta që mban varur në shkop njëri prej tyre janë copëza përditësie dhe dëshmi historike që fotografi turk, më pas themelues dhe drejtues i agjencisë fotografike SIPA në Paris, na i ka përcjellë aq mjeshtërisht (fig. 7).

Ndonëse ideja e Muzeut të Përditësisë lindi thjesht nga biseda me një viktimë të përgjimit, dhe ndonëse si projekt mund të paraqesë shumë vështirësi nga më të ndryshmet, mendoj se mund të jetë projekt me vlerë i cili mund të ndihmojë në nxjerrjen dhe evidentimin e këtyre dëshmive, sidomos  për të rinjtë e sotëm të cilët po rriten pa asnjë njohuri për atë periudhë. Padija thuajse e plotë për atë regjim dhe periudhë nga rinia mund të krijojë parakushte për ringjalljen e fantazmave të së shkuarës që mund të përpiqen  të joshin sërish me premtime mesianike. Historia e neonazizmit e ilustron fare mirë këtë rrezik. Ky do të ishte, po ashtu, hapi i duhur drejt njohjes dhe kuptimit të atij universi të zymtë dhe shtypës nga i cili, megjithë përpjekjet tona, herë të sinqerta e herë jo, nuk po arrijmë të çlirohemi plotësisht.

 

(m.k/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: