Bizneset e Lungomares, ashtu siç edhe kishin parashikuar, kanë bllokuar bizneset e tyre duke mos ofruar asnjë shërbim. Protesta e operatorëve turistik nuk u ndal edhe pse pati një njoftim ditën e sotme se pas datës 20 do të rritej fasha orare me një orë duke u mbyllur në orën 23:00.

Duke folur për mediat, Vasil Bedinaj i kërkoi bashkëpunim Policisë së Shtetit dhe ju adresua drejtpërsëdrejti drejtorit të ri të Policisë Vlorë, të cilit i tha se duhet të gjendet një formë bashkëpunimi me qytetarët dhe bizneset.

Kreu i Operatorëve Turistik, Vasil Bedinaj u shpreh se kufizimet që po bën Anglia apo Greqia, nuk ka kuptim, pasi këto dy vende kanë ofruar mbështetje maksimale për turizmin, ndërsa qeveria shqiptare ka dhënë vetëm 3 rroga 40 mijë lekëshe.

Imazhi i qytetit është në rrezik thotë Bedinaj, i cili shprehet se Vlora nuk e meriton një shfaqje të tillë sidomos në sy të turistëve.

“Të gjendet një bashkëpunim mes policisë dhe operatorët turistike. Të shmangim dhe të eliminojmë furgonat e policisë në sy të turistëve. Presim bashkëpunim me ta që të kemi një sezon të mbarë. Flasim për një fashë orari të hapur. Ka njerëz shumë të mirë në policinë e shtetit, por ka dhe nga ata që marrin vesh me presion. Ju bën presion kryeministri dhe veprojnë ata. Ju ka thënë merruni me lokalet.

Nuk e meriton Vlora shfaqje të tilla, me furgona policie, skafandra. Drejtori i policisë duhet të gjejë një formë bashkëpunimi me qytetarët dhe bizneset. Qeveria po justifikohet se po e bën Greqia, Anglia.

Por ata kanë dhënë mbështetje maksimale për turizmin. Kështu që mos të bëjmë këtë krahasim. Qeveria duhet të marri më tepër risk që të ecë ekonomia”, tha Vasil Bedinaj.
Rikujtojmë se në protestën e mbrëmshme të bizneseve të Vlorës pati dhe momente përplasjeje mes policisë dhe protestuesve. Policia ka shoqëruar tre persona, mes tyre një grua e cila u shoqërua me forcë.

Protestuesit kanë qëndruar gjithë natën përpara komisariatit derisa tre personat e shoqëruar u liruan. Ditën e sotme, Komiteti Teknik zgjati orën për lejimin e muzikës në lokale nga ora 22:00 në orën 23:00, pas ‘urdhrit’ të Ramës. Gjithsesi kjo nuk ka kënaqur bizneset e Vlorës, të cilat vazhdojnë të rrinë të mbyllura në Lungomare në formë proteste

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb