Një koncert i madh festiv do të zhvillohet me rastin e Vitit të Ri në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Në koncertin e zhvilluar nuk do të mungojë muzika më e mirë e momentit dhe spektakli i fishekzjarrëve.

Ndërrimi i viteve do të jetë një moment i paharrueshëm për qytetarët e Tiranës, por edhe për shumë të tjerë që do të vijnë për të festuar në kryeqytet, shkruan Bashkia e Tiranës në njoftimin e saj.

Drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të Qytetit, Julinda Dhame, ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të ndjekin koncertin festiv që organizohet sot në sheshin “Nënë Tereza”.

“Sot Bashkia e Tiranes organizon një koncert të madh festiv ne sheshin “Nënë Tereza”, duke nisur nga ora 23:30 deri në orën 1:30 pas mesnate. Ju ftojmë ta festojmë të gjithë bashkë natën e ndërrimit të viteve, një spektakël i madh fishekzjarrësh, me këngëtarë të njohur të skenës shqiptare”, tha Dhame.

Atmosfera e festës do të përcillet nga Marina dhe Luana Vjollca, ndërsa nuk do të mungojnë dhe performancat e artistëve të tjerë të njohur si Klajdi Selimi, Majk & Onat, si dhe Dren Abazi, së bashku me Zig Zag Orkestra. Një atmosferë të veçantë do të krijojnë dhe Lazer Show, Talentet e Tirana Art Fest dhe Akrobatët e Cirkut Kombëtar.

Mbrëmjen e sotme të ndërrimit të viteve, nuk do të mungojë as numërimi mbrapsht i akrepave të orës që do të shoqërohet nga spektakli i fishekzjarrëve, por edhe urimi i kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, për çdo qytetar të Tiranës dhe të Shqipërisë në këtë fundvit.

 (e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb