Presidenti Donald Trump tha të hënën se ai së shpejti do të vendosë nëse do të rihapë ekonominë Shtetet e Bashkuara pasi ekspertët e shëndetit shprehen optimizëm se më e keqja e pandemisë së koronavirusit në vend së shpejti mund të kalojë.

Në Shtetet e Bashkuara, 42 nga 50 guvernatorët e shteteve kanë vendosur urdhëra për të qëndruar në shtëpi ndërsa virusi po përhapet në të gjithë vendin. Presidenti Trump rekomandoi distancimin shoqëror të amerikanëve deri në fund të prillit, por tani po shqyrton mundësinë e rihapjes së plotë ose të pjesshme të vendit më 1 maj.

Ndërsa raportimet e mediave në Shtetet e Bashkuara kanë sugjeruar se vendimi për heqjen e kufizimeve është përgjegjësi e guvernatorëve të shteteve, Presidenti Trump tha në Twitter, “Duhet kuptohet plotësisht se kjo është e pasaktë.”

Trump tha, “Është vendim i Presidentit, dhe për shumë arsye të mira. Administrata dhe unë po punojmë ngushtë me guvernatorët, dhe kjo do të vazhdojë. Një vendim nga unë, në bashkëpunim me guvernatorët dhe me kontributin e të tjerëve, do të merret së shpejti!”

Ekspertët e lartë të Shëndetit në Shtetet e Bashkuara po shprehin optimizëm se përhapja e koronavirusit në vend po ngadalësohet.

“Në mes të tragjedisë, ka shpresë,” tha zyrtari i lartë i shëndetësisë, Jerome Adams në një postim në Twitter.

Ai tha se shtetet perëndimore të Kalifornisë dhe Uashingtonit “mbeten të qëndrueshme” sa i përket numrit të rasteve të reja. Adams tha se numri i infektimeve në Nju Jork dhe Nju Xhërsi në lindje të Shteteve të Bashkuara dhe qytetet e Detroit në pjesën qëndrore dhe Nju Orlinsit në jug “duket se po nivelizohet”.

“Distancimi shoqëror dhe masat kufizueze po funksionojnë. Po shohim një dritë në fund të këtij tuneli të errët,” tha Adams, pasi ai u bëri thirrje amerikanëve të vazhdojnë të mbajnë një distancë të pakten prej dy metrash larg njëri-tjetrit.

Doktor Robert Redfield, Drejtor i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha për emisionin “Today” të kanalit NBC se, “Ne po i afrohemi pikut tani. Shpresoj këtë javë. Ju e dini që keni arritur pikun kur në një ditë në të vërtetë ka më pak raste së në ditën e mëparshme. Ne jemi duke u stabilizuar në të gjithë vendin tani për sa i përket përhapjes (së virusit).”

Por Redfield, ashtu si zyrtarët e tjerë të shëndetit, shprehu shqetësime për rihapjen e vendit më 1 maj, datë që po shqyrtohet nga Presidenti Trump.

Dr. Anthony Fauci, Drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, tha të Dielën se ekziston një “rrezik i jashtëzakonshëm” i përhapjes së mëtejshme të koronavirusit nëse Shtetet e Bashkuara i kthehen normalitet shumë shpejt.

“Nuk ka dyshim se ne duhet të rihapemi në mënyrë duhet,” për të shmangur një ringjallje të koronavirusit në korrik dhe gusht, tha Redfield. “Do të jetë një proces hap pas hapi, gradual. Duhet të jetë një proces i bazuar në të dhëna”.

Vlerësimi i tyre erdhi ndërsa numri i të vdekurve në Shtetet e Bashkuara vazhdon të rritet, duke arritur në 22,000, me 558,000 raste të konfirmuara.

Redfield tha se shkalla e vdekshmërisë, “megjithëse për fat të keq është ende shumë e lartë, ajo doli të jetë shumë më e ulët sesa e parashikonim” për shkak të distancimit shoqëror.

Trump në janar, shkurt dhe gjysmën e marsit minimizoi kërcënimin nga koronavirusi pas njoftimeve të para për përhapjen e virusit në Kinë, para se të shpallte një emergjencë kombëtare në mes të marsit. Në disa raste, ai ka thënë se kishte pak raste në Shtetet e Bashkuara dhe se sëmundja shumë shpejt të të venitej.

Presidenti Trump të dielën ishte i zemëruar me një vlerësim të zotit Fauci në një intervistë me rrjetin CNN në të cilën tha se “padyshim” reagimi i vendit mund të kishte qenë më i mirë.

Trump ka ripostoi në Twitter një mesazh të një mbështetësi të tij që kërkonte shkarkimin e zotit Fauci, megjithëse Fauci ka vazhduar të shfaqet së bashku me presidentin në konferencat për shyp të Shtëpisë së Bardhë mbi koronavirusin

Të hënën pasdite, Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë njoftimet për shkarkimin e zotit Fauci.

“Këto janë diskutime qesharake të mediave,” tha zëdhënësi i Presidentit Trump Hogan Gidley. “Presidenti Trump nuk po pushon nga puna Dr. Faucin.”

Gidley shtoi se “Dr. Fauci ka qenë dhe mbetet një këshilltar besnik i Presidentit Trump”./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb