DURRËS

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka falënderuar Myftininë e Durrësit për seancën e dhurimit të gjakut të organizuar sot.

Kreu i Shtetit tha se ky është një moment i rëndësishëm për të intensifikuar dhurimin e gjakut për shkak se kufizimet e COVID-19 e bëjnë më të domosdoshëm angazhimin e vullnetarëve për të mos iu munguar gjaku atyre që kanë nevojë.

“Ishte kënaqësi të vizitoja sot Myftininë e Durrësit dhe mbi të gjitha të isha dëshmitar i një seance model të dhurimit të gjakut të organizuar me thirrjen e Myftinisë së Durrësit dhe vetë Myftiut. Ishte kënaqësi të shihja shumë besimtarë, veçanërisht të rinj dhe të reja që i ishin përgjigjur pozitivisht kësaj thirrjeje dhe pse kushtet atmosferike këtu janë tepër të rënduara. Është një moment i rëndësishëm për të intensifikuar procesin e dhurimit të gjakut pasi kufizimet për shkak të pandemisë e bëjnë dhe më të domosdoshëm angazhimin e vullnetarëve për të kontribuuar për të mos iu munguar gjaku atyre që e kanë të domosdoshëm. Ky është një rast i shkëlqyer se si besimet dhe komunitetet fetare kontribuojnë konkretisht për të nxitur dhe për të motivuar të gjithë besimtarët e tyre, por edhe të gjithë qytetarët që me akte dhe veprime konkrete të jenë dhe më afër atyre që janë më të pamundur, më në vështirësi dhe kanë nevojë për ndihmën dhe kontributin tonë. Falënderime të përzemërta për myftininë e Durrësit, besimtarët, të rinjtë dhe të rejat që iu bashkuan kësaj iniciative”, tha Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb