Pjesa e tetëmbëdhjetë

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës.  Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020.  E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Dokumenti sekret me raportin e  hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Bujar Jazexhiu, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Triumfi”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit

Sekret                                                                                     Dhënë nga agjenti “Triumfi”

Marrë nga P.Op. B. Jazexhiu dhe H. Dashi

                                                                                             Datë 26.11.1973

                                                        R A P O R T

Burimi, informon se nga biseda që ka bërë me Myrteza Bajraktarin, i rezulton që Myrtezai t’i ketë thënë’ se ai është dënuar padrejtësisht nga organet e shtetit dhe se do të kërkojë deri lart, që të konsiderohet i pafajshëm.

Myrtezai vazhdon të thotë që nëse nuk i jepet e drejta e tij, atëherë ai nuk do të jetojë në Shqipëri. Në vazhdim Myrtezai, i thotë se të gjithë ata persona që punojnë në kamp, janë servilë. Ai, nuk pranon asnjë formë riedukimi në kamp dhe i quan të padrejta format që përdor komanda, siç janë, ora e leximit të shtypit, estradën, orën gazmore, etj.

Ai ka thënë që; ju që punoni për riedukim në kamp, kur të liroheni, shteti do t’ju lërë rrugëve. Ndërsa ai vetë pretendon që të marri punë të mirë, deri dhe profesor, se ka qenë njeri me kulturë, etj. Ai tani është liruar, dhe ndodhet në Tiranë, pranë familjes.

                                            “Triumfi”

Detyrat nuk ju dhanë për këtë.

Masa Operative: 1. Të studiohet dosja 2/B e Myrteza Bajraktarit, që ndodhet në Degën e IV dhe të tërhiqet për t’u mbajtur nën kontroll.

                                 Puntori Operativ

                                    Haxhi Dashi

Dokumenti i hetuesit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Elham Gjika, me relacionin mbi materialet në ngarkim të Myrteza Bajraktarit

                                                         RELACION

                        MBI MATERIALET NË NGARKIM TË MYRTEZA BAJRAKTARIT

Myrteza Bajraktari, i biri i Fahriut dhe i Remzies, lindur në Gostivar në 1933, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, shtresë e varfër zejtarësh, ka mbaruar shkollën e lartë, degën Gjuhë-Letërsi, U.SH.T., i martuar, ka banuar në Tiranë, Rruga “Grigor Heba”, Nr. 3. Në nëntor 1970, është arrestuar dhe vuan dënimin në Ballsh të rrethit të Fierit. Ka ardhur në vendin tonë më 17.6.1962.

Është marrë në përpunim aktiv 2/A më 10/2/1963, me tendencë: agjent i mundshëm i Zbulimit Jugosllav dhe në vitin 1968, është ulur nga përpunimi aktiv 2/A, në kontroll operativ 2/B. Baza që ka shërbyer për marrjen e tij në përpunim, kanë qenë dyshimet që kanë dalë në Qendrën e Filtrimit në drejtim të tij për jetën dhe aktivitetin që ka treguar ndaj regjimit titist në Jugosllavi.

Sipas thënieve të tij në Qendrën e Filtrimit, është dënuar nga regjimi titist në vitin 1953 me 5 vjet burg dhe në vitin 1960, me 4 vjet burg, për aktivitet kundër regjimit titist dhe si pjesëtarë i një organizate ilegale me emrin “Shkëndia”, të cilën ka pretenduar se e ka krijuar vetë.

Në vitin 1962, kur ka qenë i burgosur, ka pranuar të punojë për U.D.B.-në dhe është larguar nga burgu para afatit. Ka pretenduar se nuk ka dhënë asgjë. Gjithashtu ka pretenduar se ka krijuar një organizatë tjetër patriotike, që ka pasur si qëllim organizimin e një kryengritje të armatosur në Gostivar.

Vjen në Shqipëri për të marrë udhëzime dhe ndihmë e pastaj të kthehej përsëri në Gostivar dhe të organizonte kryengritjen.

Në përpunimin e Myrtezait, janë aktivizuar disa B.p., si: “Shqiponja”, “Adriatiku”, “Liqeni”, “Paketa”, “Vera”, “Molla”, “Korabi”, “Patrioti”, etj. Të dhënat e marra prej bashkëpunëtorëve të mësipërm, flasin për pikëpamje dhe mendime armiqësore të shprehura prej Myrtezait.

Kështu p.sh., në të dhënat e B.p., “Korabi”, datë 29/7/1965, Myrtezai ka thënë: “Nga Shqipëria mos prisni asnjë ndihmë, për ato që kemi biseduar kur unë isha atje, (Jugosllavi), se Shqipëria nuk na ndihmon dhe mua më kanë futur në kampe dhe burgje, prandaj juve të lidheni me Gjermaninë Perëndimore dhe me ata që ju ndihmojnë”.

“Në shtetet e Perëndimit ka liri dhe demokraci, kurse në komunizëm nuk ka. Populli vuan nga shtypja. Komunistët janë banditë dhe do të vijë dita të zhduken. Po të fillojë lufta, populli në Shqipëri do të hidhet kundër qeverisë. Në Jugosllavi, është më mirë se në Shqipëri, etj”.

B.p. “Paketa”, më datë 20.9.1965, thotë se: “Myrtezai më ka thënë se këtu nuk jetohet mirë, më mirë të të futin në burg jugosllavët, por të paktën më shohin familja dhe si të dalë i lirë, rroj si njeri dhe jo si këtu që jetojnë si kafshë. Në Jugosllavi është më mirë, populli ka liri dhe jeton mirë”.

B.p. “Besniku”, në thënien e datës 21/9/1963, ka raportuar se: “Myrtezai më ka thënë se, jashtë shtetit bëhet jetë e mrekullueshme, ndërsa neve kemi mbetur në kamp, duke vrarë miza. Po të mos kishin hyrë brigadat partizane në Kosovë, ne do ta kishim liruar vetë Kosovën, por këta na muarrën më qafë”.

Agjenti “Patrioti”, në të dhënën e datës 2.XI.1970, thotë që: “Kapllan Resuli, më ka thënë se Myrteza Bajraktari, ka dijeni se unë do të arratisem në Jugosllavi. Myrtezai është ashtu siç të kam thënë, edhe me ne, edhe me këta, në disa çështje, por megjithatë, Myrtezai më ka këshilluar që të kem kujdes dhe të mos bie në kurth gjatë arratisjes dhe vritem nga këta. Po e kalove kufirin, tha Myrtezai, shpëtove”.

Duke qenë se i arrestuari Kapllan Resuli, e implikon Myrteza Bajraktarin në veprimtari të përbashkët armiqësore, u bë dhe arrestimi i Myrtezait më datën 12.XI.1970. Si gjatë zhvillimit të hetuesisë, ashtu dhe në gjyq, Myrtezai nuk u zbërthye si agjent i Zbulimit Jugosllav, por pranoi vetëm krimin e agjitacionit e propagandës dhe u dënua me tre vjet heqje lirie.

Duke u bazuar në materialet e mësipërme, arrijmë në përfundimin se dyshimet ndaj tij si agjent i mundshëm i Zbulimit Jugosllav, qëndrojnë, se Myrtezai është një person që nuk e don komunizmin, përkundrazi e urren, dhe që ai duhet mbajtur nën kontroll, sidomos pas lirimit nga burgu.

PUNËTORI OPERATIV                                                       HETUESI

 PETRIT DEDE                                                               ELHAM GJIKA

U shtyp në 1 kopje.

Dokumenti i hetuesit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Elham Gjika, me relacionin mbi materialet në ngarkim të Myrteza Bajraktarit

                                                                  R E L A C I O N

(Mbi materialet në ngarkim të Myrteza Bajraktarit)

Myrteza Bajraktari, i biri i Fahriut dhe i Remzies, lindur në Gostivar në 1933, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, shtresë e varfër zejtarësh, ka mbaruar shkollën e lartë, degën Gjuhë-Letërsi, U.SH.T., i martuar, ka banuar në Tiranë, Rruga “Grigor Heba Nr. 3”.

I përmenduri rrjedh nga një familje zejtarësh, i ati ka qenë oficer në kohën e Turqisë. Në Jugosllavi ka lënë nënën, dy vëllezër, njëri prej të cilëve është major i Marinës Jugosllave dhe tjetri jeton në Shkup, ka lënë dhe dy motra të martuara, njëra prej të cilave është martuar me Mehmetali Hoxhën, kryeredaktor i gazetës së pionierit, “Gëzimi”.

Myrtezai, shkollën fillore dhe 8-vjeçare, i ka kryer në Gostivar në vitin 1948. Gjimnazin e vazhdoi në Tetovë dhe në Gostivar. Mbasi mbaroi dy klasë, në vitin 1950, për shkak të bursës është futur në punë në redaksinë e gazetës “Flaka e Vëllazënimit”, deri në nëntor 1950. Që nga ajo kohë e deri në vitin 1953, ka qenë mësues në rrethet e Tetovës dhe Prishtinës. Më datën 17/VI/1962, ka emigruar në R.P.SH.

Në hetuesi ka deklaruar se përveç këtyre që thamë pak më lart, se kur ka punuar si arsimtar, ka folur kundër hapjes së shkollave turke, si dhe për tendencë arratisje në R.P.SH. Para hetuesisë së U.D.B.-së, ka pranuar se ka formuar një organizatë të fshehtë me emrin “Shkëndija” në Gostivar.

Për këtë është dënuar me pesë vjet heqje lirie dhe në vitin 1958, është liruar prej burgut. Deri në vitin 1960, ka punuar në sektorë të ndryshëm. Në këtë kohë kapet për tentativë arratisje dhe dënohet me katër vjet burgim.

Myrtezai deklaron se në hetuesinë e Tetovës, është rekrutuar nga shefi i U.D.B.-së, Qirio Atanovski, i cili e ka takuar disa herë në burg. Për këtë është liruar para kohe më datën 20.1.1958 dhe mbante lidhje me kolonelin, Qiro Atanovski, i cili i kishte caktuar edhe pseudonimin “Garip”.

Çështjen e arratisjes, Myrtezai e ka biseduar edhe me anëtarë të tjerë të organizatës “Shkëndija. Ai deklaron, se me gjithë lidhjet që mbante me U.D.B.-në, këtu ka ardhur me detyra nga ana e organizatës që të kërkonte ndihmë materiale dhe armë nga qeveria jonë, do kthehej përsëri për organizimin e kryengritjes në Gostivar. Deri në kufi, është shoqëruar nga dy anëtarë të organizatës, me të cilët ka vendosur dhe mënyrën e ndërlidhjes.

Në përfundim të hetimeve shokët e Shijakut, arritën në përfundimin se Myrteza Bajrajrari, duke qenë i kompromentuar nga U.D.B.-ja, është dërguar në vendin tonë me qëllime provokacioni kundër R.P.SH. Mbasi mbaroi hetuesia në Qendrën e Filtrimit në Shijak ai, u dërgua me banim në Seman të Fierit.

Në datën 10.11.1963 është marrë në përpunim aktiv 2/A nga Dega e Punëve të Brendshme e Fierit, si agjent i mundshëm i Zbulimit Jugosllav. Myrtezai gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Seman, ka punuar që emigrantët të mos kthehen në Jugosllavi, duke urryer regjimin e Titos dhe në disa raste shfaqte pakënaqësi për mosbesimin që organet tona, kishin ndaj tij.

Në vitin 1968, është ulur nga kategoria 2/A në atë 2/B, sepse nga përpunimi agjenturor, nuk u vërtetua që ai kishte ardhur me shërbim nga U.D.B.-ja. Dyshimet mbi të kanë lindur vetëm në saj të deponimeve të tij në hetuesi.

Në vitin 1970, mbaroi studimet e larta dhe u emërua me punë si arsimtar në Berat. Këtë punë ai, e refuzoi. Myrtezai është martuar me Kimete Berishën, që punon në orkestrën e Radio-Tiranës.

Nga përpunimi agjenturor doli, se i lartpërmenduri ka pasur miqësi me Kapllan Resulin, që përpunohej si agjent jugosllav nga D.P.B. e Lushnjes. Madje ai ishte në dijeni se Kapllani do të arratisej.

Nga disa burime Myrteza Bajraktari, flet keq për jetën në vendin tonë dhe i quan komunistët, “banditë”. Reklamon gjoja “jetën e bukur” që bëhet në Perëndim, sidomos në Gjermani.

Duke qenë se i arrestuari Kapllan Resuli, e implikoi Myrteza Bajraktarin në veprimtari armiqësore, u bë dhe arrestimi i tij në datën 12.11.1970.

Si gjatë zhvillimit të hetuesisë ashtu edhe në gjyq, Myrtezai nuk u zbërthye si agjent i Zbulimit Jugosllav, por pranoi vetëm agjitacionin dhe propagandën. Ndaj dhe ai, u dënua me tre vjet heqje lirie.

Materiale për qëndrimin e tij në burg nuk kemi, por duke u mbështetur në materialet e mësipërme, kemi bindjen se dyshimet ndaj tij si agjent jugosllav, nuk vërtetohen.

Myrtezai është një nacionalist, që urren sistemin tonë socialist ashtu dhe atë titist. Njëkohësisht ai pëlqen jetën në shtetet e Perëndimit.

Një person i tillë si Myrtezai, nuk besoj që do të dërgohej nga UDB-ja, pasi ajo e di që qeveria jonë nuk mund të sakrifikojë për njerëz të tillë të dashuruar pas “Kosovës së lirë” dhe kundër Shqipërisë Socialiste. Prandaj mbajtja e tij në kontroll operativ 2/A si agjent jugosllav për mendimin tim është i panevojshëm.

                               Punëtori Operativ

                                  Haxhi Dashi

Tiranë më 6. II.1974

Shënimi me shkrim dore mbi raportin e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Haxhi Dashi

Argumente të pabazuara. Ky është plotësisht për 2/B dhe me rrezikshmëri të theksuar. Memorie.al

7.8.1976