Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka thënë liderëve të NATO-s, se Ukraina ka nevojë për më shumë armë të rënda dhe më shumë mbështetje financiare për t’u përballur me pushtimin rus në Ukrainë, duke paralajmëruar se ambiciet e Moskës nuk do të ndalen në këtë shtet.

“Ne na duhet të ndalim avantazhin e artilerisë ruse…ne na duhen më shumë sisteme moderne, artileri moderne. Kjo nuk është luftë që ka nisur nga Rusia vetëm kundër Ukrainës. Kjo është luftë për të diktuar kushtet në Evropë për atë sesi do të duket e ardhmja në botë”, ka thënë Zelensky, teksa i është adresuar Samitit të NATO-s që po mbahet në Madrid.

Ai ka bërë thirrje edhe për më shumë ndihmë financiare, duke thënë se Ukrainës i duhen 5 miliardë dollarë në muaj për mbrojtje kundër agresionit rus. Më tej Zelensky bëri thirrje për më shumë sanksione ndaj Rusisë, të cilat do t’ia pamundësojnë këtij shteti sigurimin e parave për luftë.

“Rusia ende merr miliarda dollarë çdo ditë dhe i shpenzon ato për luftë. Ne kemi deficit në vlerë të disa miliarda dollarëve, ne nuk kemi naftë dhe gaz për ta mbuluar atë”, ka thënë Zelensky.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO-ja po përballet me sfidat më të mëdha prej Luftës së Dytë Botërore. Sipas tij, Moska përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e vendeve anëtare të aleancës.

Në nisje të ditës së dytë të samitit të NATO-s në Madrid, në të cilin pritet të miratohet strategjia e re për të ardhmen e aleancës, Stoltenberg ka thënë se aleatët do të takohen në “kohën e krizës më serioze”, duke shtuar se “samiti do të jetë historik dhe transformues”.

“Ne do të deklarojmë qartë se Rusia përbën kërcënim për sigurinë tonë”, tha Stoltenberg.

Teksa përditësimi i fundit i politikave të NATO-s rezulton të jetë bërë më 2010, Stoltenberg theksoi se pret ratifikim të shpejtë të marrëveshjes për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në aleancën ushtarake, pas heqjes së vetos nga ana e Turqisë.

“Ne do të marrim vendim për të ftuar Suedinë dhe Finlandën që të bëhen anëtare, kjo bëhet me shpejtësi të pashembullt”, deklaroi ai në Madrid.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb