TIRANË

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se deri në fund të vitit 2020 do të mbyllen të gjitha sportelet dhe shërbimet të bëhen online.

Ai tha se nuk duhet të ketë më kontakt mes qytetarit që shërbehet dhe atij që shërben dhe se sportelistët do të kthehen nga gjobëvënës në shërbëtorë që do të punojnë për të plotësuar dosjet e njerëzve dhe për t’u dhënë atyre shërbim.

Kreu i qeverisë theksoi se pavarësisht vendimit për mos hapjen e negociatave, maxhoranca do vazhdojë njësoj dhe do fokusohet tek 7 prioritete.

“Nëse do të kishim marrë vendimin pozitiv për çeljen e negociatave dhe këtë ua kam thënë të gjithë kolegëve kryeministri në BE do të kishim një burim të ri energjie në opinionin publik në mbështetje të reformave por nga pikëpamja praktike nuk do ndryshonte asgjë, nuk ka ndryshuar asgjë dhe ne do vazhdojmë sikur ta kishim marrë atë dreq vendimi pozitiv. Do vazhdojmë njësoj dhe ndërkohë duhet të fokusohemi tek mbyllja e mandatit të dytë dhe do fokusohemi tek 7 prioritete ku publiku të shohë produktin final të votës së qershorit 2017.
Deri në fund të 2020 të mbyllen të gjitha sportelet që iu shërbejnë qytetarëve dhe shërbimet të bëhen online. Së paku aplikimet. Në 1 janar do të jenë 40% e shërbimeve që do të jepen online. Nuk ka nevojë të çosh letra të marrësh një shërbim. Deri në qershor do shkojnë në 67% e deri në fund të vitit thuajse 100%. Nuk duhet të ketë më kontakt mes qytetarit që shërbehet dhe atij që shërben dhe atyre që shërbejnë që na e morën fytyrën, na e nxinë jetën nëpër sportelet e shërbimeve. Qytetari duhet të aplikojë duke depozituar vetëm dokumentet e veta individuale, jo dokumente që i jep shteti. Nëse i duhen, vërtetim nga tatimet etj, do t’i marrin ata që sot punojnë në sportele. Ata do të kthehen nga gjobëvënës në shërbëtorë që do të punojnë për të plotësuar dosjet e njerëzve dhe për t’u dhënë atyre shërbim”, deklaroi kreu i qeverisë.
Ai tha se mbyllja e sporteleve dhe dhënia e shërbimeve pa kontakt dhe dërgimi i dosjeve të plotësuara tek familja është prioriteti i dytë. “Prioriteti i tretë është energjia dhe infrastruktura. Kemi tani më një paketë të tërë ndryshimesh dhe investimesh që do fillojë të lançohet që javët e ardhshme. Disa investime në infrastrukturë dhe energji”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë foli edhe për situatën e krimit në vend. Ai deklaroi se është ulur numri i vrasjeve duke iu hedhur akuza opozitarëve për nxirjen e imazhit të vendit.
“Tema që na ka mbledhur lidhet me një fenomen është real, nuk është fantazi, që është krimi. Por për fatkeqësinë e popullit shqiptar është kthyer në një stigmë, shenjë në fytyrën e Shqipërisë si rezultat i sjellës masive të papërgjegjshme të kundërshtarëve politikë në gjuhë të huaj.
Para dy ditësh hapa një nga këto portalet dhe kishte 5 policë të vrarë. Nuk ishin vrarë në Shqipëri por të gjitha krijojnë një ndjesi perceptimit. Në kohën e atyre që sot na flasin për vrasje dhe për krime ishte mbi 100. Janë vrarë 126 veta që i bie 1 në dy ditë thuajse. Sot jemi në shifra më të ulëta. Të bësh të rënin nga qielli është krejtësisht e pamoralshme”, u shpreh Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: