Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka përgëzuar hapat përpara që vendi ka bërë në procesin e integrimit në BE, ku sipas Vokshit Shqipëria duhet të ishte pjesë prej kohësh.

Ajo u ndal në parregullsitë gjatë zgjedhjeve, që sipas deputetes janë paraqitur të zbehta në raport.

“Nëse ka nota pozitive raporti nuk trishtohemi, përkundrazi, na gëzon sepse Shqipëria është një hap më pranë Bashkimit Europian.

Unë gjykoj dhe mendoj se shqiptarët e meritonin shumë më përpara të ishin këtu ku jemi ne sot. Dhe për me tepër mendoj që institucionet shqiptare dhe qeveria shqiptare kanë nevojë për një monitorim me të specializuar nga na e institucioneve të BE.

Ndaj ky raport mendoj se ky raport duhet shndërruar, nuk duhet lexuar ndryshe, duhet shndërruar ne mënyrë emergjente në një plan pune për të gjitha institucionet dhe të ecet me hapa konkretë.

Edhe ne si opozitë kemi vënë jo një gur, por kemi vënë shumë, madje duke tejkaluar edhe axhendat politike për të plotësuar çdo kriter që varej nga ana e opozitës.

Unë mendoj që ne duhet t’i themi disa probleme, duhet t’i trajtojmë dhe duhet t’i zgjidhim sa më parë.

Megjithëse unë në komisionin që unë drejtoj merrem me shëndetësi dhe çështje sociale. Sot unë dua që në shtesë të asaj që edhe kolegu Bylykbashi tha, dua të ndalem në atë çka është kriteri më i rëndësishëm politik, zgjedhjet.

E gjejmë pjesën e zgjedhjeve në raport të zbehtë, të shkurtër, jo në detaje dhe jo të fokusuar në problematikat më kryesore të cilat sot duhet të trajtohen.

Vërtetë sot administrimi ka qenë i mirë. Përshëndesim administratën zgjedhore, çdo numërues, komisioner, vëzhgues; të gjitha palët politike që ndihmuan në mbarëvajtjen e mirë në pjesën më të madhe të zgjedhjeve.

Por ka shumë problematika që nuk janë folur në detaje apo nuk janë trajtuar në këtë raport dhe që unë prisja personalisht, pak më shumë.

Çështja është vota, duke qenë institucioni më i rëndësishëm për një vend, nga i cili varen dhe burojnë të gjitha pushtetet, a është e lirë apo nuk është e lirë?

Sepse nga vota e lirë apo jo e lirë një vend konsiderohet demokratik, më pak demokratik apo diktaturë.

Bazuar dhe në raportin preliminar apo final të OSBE/ODIHR vota në Shqipëri nuk ishte e lirë, nuk ishte e ndershme.

Pse nuk ishte e lirë?!
Sepse u përfshi krimi i organizuar, paratë e krimit të organizuar, u përfshinë paratë e korrupsionit.

Vota u devijua në pjesën më të madhe, u shantazhua në pjesën më të madhe.
Ligji u shkel.
13 mijë punësime muajt e fundit, ndërkohë që ligji e ndalon punësimet.
Legalizime pa fund, certifikatat e të cilave iu dorëzoheshin qytetarëve në shtëpi nga ministrat për tu marrë votën.

U zhduk kufiri mes shtetit dhe partisë.
Të gjithë ne, nuk kishim përballën një forcë politike, kishim institucionet shtetërore përballë. Kishim nënpunësit, vartësit e ministrave të cilët duke u bërë patronazhistë shantazhojnë qytetarët, të cilët u bënë vulnerabël, sepse çdo e dhënë personale e përpunuar nga një institucion qendror, vendor nga AKSH-i u bë publik, u vu në shërbim të shtabeve elektorale të Partisë Socialiste.

Çdo qytetar shqiptar ishte vulnerabël, e përmendur në çdo raport ndërkombëtar.
Edhe sot çdo familje shqiptare është vulnerabël para bandave, para kompanive të marketingut.
Mendoni pak, po të kishte ndodhur në një vend të Bashkimit Europian, vetëm një e dhënë e personale të kishte dalë, çfarë do të kishte ndodhur?! Do të ishte rrëzuar e gjithë qeveria.
Çfarë ndodhi në Shqipëri?
Krimi më i rëndë elektoral, nxjerrja e të dhënave personale, ngritja e skemës monstruoze të patronazhimit ende nuk është hetuar.

Vetëm një statistikë dua të them për të treguar përmasat e tmerrshme që ka kjo skemë e ngritur nga Partia Socialiste.

Në Njësinë Nr.9, 50083 mijë të patronazhuar. 50 mijë votues që përndiqeshin çdo ditë, shantazhoheshin çdo ditë.
Në Njësinë Nr.11, 47 mijë votues. 45 mijë ishin patronazhuar. Gjenden kudo të dhënat personale të tyre.
Ndaj, kërkesa ime është që urgjentisht të shqyrtohen mundësitë për t’u shkatërruar kjo skemë, për tu hetuar çdo kush që ka qenë i përfshirë në krimin elektoral të nxjerrjes së të dhënave personale. Qytetarëve, bazuar edhe në rekomandimin e OSBE/ODIHR, duhet t’u kthehet liria dhe e drejta për të votuar”, tha Vokshi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb