Festat e fundvitit vijnë tepër të ngrohta në ekranin e “News24”, i cili ka vendosur që natën e ndërrimit të viteve të mbërthejë shikuesit, me një festival të madh festiv.

Një festival, që do të bëjë bashkë e do të ndërthurë me një mjeshtëri të jashtëzakonshme të gjitha figurat më në zë të artit, muzikës, kulturës e humorit shqiptar, por edhe më gjerë. Një festival, që do të bashkojë të gjitha audiencat, pasi të gjitha moshat do ta gjejnë veten në të, që nga adhuruesit e Vaçe Zelës, e deri tek ata që duan sportin, poezinë e humorin, por duke përjashtuar në çdo rast banalitetet.

Risia e këtij viti do të jetë paralelizmi midis kryeveprave muzikore, humorit e situatave gazmore të viteve ’70-’80, me të njëjtat suksese të kohës moderne. Programi, i cili do të drejtohet nga Gjergj Leka, do të trajtohet në formën e një dokumentari artistik, ku situatat e ndryshme në kohë do të lidhen natyrshëm me njëra-tjetrën. Programi do të zgjasë gjashtë orë, prej orës 21.00 të datës 31 dhjetor, deri në orën 03.00 të datës 1 janar 2020.

Gjithashtu, do të ritransmetohet edhe gjatë datës 1 dhe 2 janar 2020. Janë zgjedhur nga stafi i programit perlat e muzikës shqiptare e botërore nga Anita Take e Vaçe Zela, te këngëtaret më në zë që muzika shqiptare ka sot, madje disa prej tyre do të vijnë në program me surpriza ekskluzive në natën e ndërrimit të viteve; perlat nga muzikat botërore e këngët e filmave, si dhe atmosfera e Krishtlindjes dhe e festave të fundvitit në mbarë botën.

Gjergj1

Gjithashtu, edhe humori më i bukur shqiptar i viteve 70-80 do të ndërthuret me humorin e pantomimen ndërkombëtare, nga Stanley e Olio te Mr. Bean e Pitkin. Programi do të karakterizohet nga niveli i lartë artistik e asnjëherë nuk do të ketë banalitet, sidomos në tekstet e humorit. Nuk do të mungojë në fillim të programit tavolina e mbushur plot me ushqimet tradicionale të Vitit të Ri, të cilat do të gatuhen e do të tregohen në ekran, njësoj si gatuanin dikur gjyshet tona.

Këto gatime do të konsumohen gjatë programit me të ftuar të ndryshëm. Programi do të moderohet nga Gjergj Leka, në tre studio të ndryshme, për t’i dhënë larmi spektaklit. Nuk do të mungojë edhe muzika e bukur popullore shqiptare, si dhe ajo e vallëzimit e interpretuar nga majat botërore të spektaklit.

Nuk do të harrojmë edhe gafat e të papriturat nga futbolli botëror, gjatë vitit 2019. Risi tjetër e këtij spektakli do të jetë edhe karaoke me telespektatorin nga studio e programit “Na ishte një herë muzika” me këngët më të bukura shqiptare të të gjitha kohëve! Për filmimet origjinale kemi bashkëpunuar me arkivin shtetëror të filmit, filmime të rralla nga subjekte private, si dhe nga arkivi personal i familjes së kompozitorit Gjergj Leka.

Menduam që ky spektakël i këtij fundviti t’i dedikohet në radhë të parë familjeve shqiptare të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ndaj gjatë gjithë këtyre ditëve Gjergj Leka do të mbledhë edhe kërkesat e përshëndetjet e tyre muzikore për t’i plotësuar gjatë programit të datës 31.

Ky spektakël i dedikohet në çdo element të tij, familjes shqiptare e në radhë të parë vlerave të vërteta të muzikës, humorit, madje edhe fjalës poetike (herë pas here do të ketë edhe përshëndetje poetike nga kolosët e fjalës shqiptare, si Reshat Arbana, Mirush Kabashi …etj). Gjatë gjithë programit do të ketë vendosje të produkteve tregtare, si dhe në shumë raste edhe promovimi i tyre direkt nga moderatori Gjergj Leka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb