“Platformat e mediave sociale pa inspektim kërcënojnë demokracinë, paqen sociale dhe sigurinë kombëtare të shteteve”- tha Presidenti turk Erdogan ditën e sotme.

Teksa gjatë vizitës së saj disa ditë më parë Merkel i kërkoi presidentit turk që të ketë përparime në lirinë e mediave dhe të njerëzve, Erdogan vazhdon me kursin e tij të politikave ndaj rrjeteve sociale.

“Ashtu siç nuk mbështetemi plotësisht te të huajt në industrinë e mbrojtjes dhe çështjet ushtarake, ne nuk mund t’ua lëmë çështjen e komunikimit të tjerëve,” tha Rexhep Tajip Erdogan në një video-mesazh për Forumin Mediatik të Këshillit Turk të mbajtur në Stamboll.

Erdogan shprehu shpresën që forumi tre ditor i mediave, i organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve të Turqisë, të jetë i dobishëm në forcimin e solidaritetit midis vendeve.

“Ne nuk mund t’i besojmë ndërgjegjes dhe etikës profesionale të atyre që vazhdimisht na japin mësime për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe lirinë nga një këndvështrim orientalist”, tha ai.

Ai deklaroi se miliona njerëz “të pambrojtur” në mbarë botën janë në depresion për shkak të lajmeve të rreme dhe të shtrembëruara, duke pësuar trauma të rënda.

“Ashtu si çështje të tjera strategjike, ne duhet t’i marrim çështjet në lidhje me median dhe komunikimin në duart tona,” tha Erdogan.

Ai i bëri thirrje botës turke dhe vendeve përkatëse që të ndërmarrin iniciativë në këtë drejtim, të ndajnë përvojën, të bashkojnë forcat dhe të kërkojnë mënyra për të shfrytëzuar sa më efektivisht mundësitë. Mundësitë e bashkëpunimit në media, serialet televizive dhe sektorët e filmit në botën turke si dhe mediat sociale dhe lufta e përbashkët kundër dezinformimit janë ndër temat që do të diskutohen gjatë forumit.Këshilli Turk u krijua në vitin 2009 si një organizatë ndërqeveritare me një synim kryesor për të promovuar bashkëpunimin gjithëpërfshirës midis shteteve turqishtfolëse. Ai përbëhet nga Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgistani, Turqia dhe Uzbekistani si vende anëtare dhe Hungaria si shtet vëzhgues.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb