Ndonëse anulimi i vizitës së kreut të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, Moska nuk planifikon të heqë dorë nga vasali besnik i saj, presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Kështu e nis media serbe Danas, analizën e saj mbi atë se çfarë do të ndodhë me marrëdhëniet mes Beogradit e Moskës pas ngjarjeve të fundit, përfshirë pamundësimin e vizitës së ministrit rus Sergei Lavrov në Beograd.

Sipas Danas, këtë e konfirmon një koment i publikuar në një nga mediat më të rëndësishme ruse – RIA Novosti, të nënshkruar nga një prej gazetarëve të preferuar të Putinit, Pyotr Akopov. Prandaj, teksti mund të interpretohet si një manifest jozyrtar i politikës së Putinit në Ballkan për momentin.

Ky koment është i rëndësishëm sepse për herë të parë që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës, por bëhet e qartë ajo se si Kremlini sheh rajonin dhe Serbinë.

“Mjafton që Rusia të vëzhgojë sjelljen e evropianëve dhe në të njëjtën kohë të forcojë vazhdimisht praninë e saj në Serbi. Jo vetëm të forcohet, por të zgjerohet sa më shumë, duke shfrytëzuar si potencialet e simpatisë reciproke, ashtu edhe interesat e përbashkëta gjeopolitike.

Nuk është e nevojshme vetëm që Serbia të bëhet dega jonë në Evropë – ne duhet ta ndihmojmë atë të bëhet një qendër e pavarur e pushtetit në rajon. Po, një qendër relative e pushtetit, por që mund të qëndrojë derisa ndryshimi global të çojë në një ekuilibër të ri fuqish, si në Evropë ashtu edhe në skenën botërore në tërësi.

Gjatë tre shekujve të marrëdhënieve tona me serbët, ne kemi përjetuar aq shumë përmbysje sa nuk ka arsye të mos besojmë se do të dalim me nder nga kriza aktuale, madje do dalim edhe më të fortë nga se kemi hyrë”, ka shkruar Akopov.

Ajo që është halë në sytë e gazetarit të RIA Novosti-t , e ndoshta edhe të gjithë Rusisë, është bllokada e ardhjes së ministrit të jashtëm rus në Serbi, e cila, sipas tij, mbështetet nga Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

“Serbia nuk është anëtare e BE-së dhe nuk e ka mbyllur qiellin për avionët rusë dhe gjithashtu nuk ka vendosur ende sanksione kundër Lavrov. Për më tepër, Beogradi gjatë gjithë këtyre tre muajve mbetet i vetmi qytet evropian nga i cili ka fluturime për në Moskë. Teorikisht, Lavrov mund të përdorë një nga këto fluturime, por Ministria jonë e Punëve të Jashtme ka vendosur të testojë mendjen e BE-së,” tha Akopov.

Kur bëhet fjalë për vendet e rajonit që mbyllën hapësirën ajrore për Lavrov, gazetari beson se ata e humbën plotësisht sovranitetin e tyre duke u anëtarësuar në BE dhe NATO.

“Prandaj, tani është e kotë t’u kujtojmë se origjinën e tyre ia kanë borxh Rusisë. Perëndimi dëshiron të vendosë kontroll ushtarak mbi rajonin, por nuk dëshiron të marrë përgjegjësinë për standardet e jetesës së vendeve të varfra me një të ardhme të zymtë. Kjo i referohet kryesisht Bosnjës dhe Hercegovinës, por edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha një gazetar i afërt me Kremlinin.

Kur bëhet fjalë për Malin e Zi, dikur destinacioni i preferuar veror i Rusisë, gazetari kujton se vendi i tij ka investuar një shumë të madhe në këtë vend, i cili në fund të fundit ka zgjedhur NATO-n.

“Tani të gjitha lidhjet me Moskën janë duke u ndërprerë dhe autoritetet e tyre, ndryshe nga Hungaria, as që po përpiqen të mbrojnë interesat kombëtare”, thekson gazetari.

Serbia mbetet shteti i preferuar i Rusisë

Gazetari shpjegon më tej se si Ballkani ka qenë gjithmonë një fushëbetejë e perandorive të mëdha, qytetërimeve të ndryshme që luftuan kundër osmanëve dhe monarkisë së Habsburgëve, vetëm për t’u shpëtuar prej tyre nga rusët.

“Një shekull e gjysmë më parë Rusia siguroi sovranitetin e vendeve të Ballkanit dhe pas luftës u bënë aleatët tanë”, shton Akopov.

Gazetari beson gjithashtu se tani që konfrontimi midis Perëndimit dhe Moskës ka arritur kulmin e tij, BE-ja po përpiqet të përshpejtojë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që duan të bëhen anëtarë të aleancës më të madhe evropiane për të parandaluar Moskën të “mjegullojë ujin në këtë rajon”.

“Ballkani Perëndimor po perceptohet gjithnjë e më shumë si një nga zonat e konfrontimit. Por situata e përgjithshme ekonomike në BE në vitet e ardhshme definitivisht nuk do të jetë e përshtatshme për integrimin e anëtarëve të rinj: në fund të fundit, edhe për këtë nevojiten subvencione. Edhe më e rëndësishme është disponimi në vetë BE-në, popullsia e së cilës nuk dëshiron të bashkohet me Ballkanin”, beson gazetari i RIA Novosti.

Në përfundim, ai dërgon mesazhin më të rëndësishëm për zyrtarët serbë: se Serbia mbetet vendi më i rëndësishëm ballkanik dhe i vetmi që përpiqet të mbrojë marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe se nuk ka dyshim se Lavrov dhe Putin do të zbresin në Beograd.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: