Skënderbeu është në mbyllje të kampi onatit dhe pa dyshim që në këtë pikë mbetet e rëndësishme kapja e zonës europiane në pritje për vendimin final që do të jepet nga KAS.

Në kushtet kur korçarët janë në fund të edicionit, kapiteni Marko Radas ka bërë një analizë të plotë të kampionatit për ekipin e tij, në të cilën kroati ka prekur gjithçka, që nga ajo nisje e mirë dhe më pas vijimi i sezonit me shumë humbje.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, kapiteni i Skënderbeut ka treguar edhe të ardhmen dhe vijimin e karrierës së tij. Kapiteni mohon negociatat me Tiranën, ndërkohë që komenton ecurinë e bardhebluve në garën për mbijetesë.

Marko, në fund të sezonit, me Luftëtarin një ndeshje që duhet fituar?

Pa dyshim që po, është takim që duhet ta fitojmë. Ne e kemi thënë me kohë se ndeshjet e fundit janë mjaft të rëndësishme, pasi është një objektiv që duhet arritur. Mund të them se pas fitores me Kukësin jemi të detyruar që të fitojmë edhe ndeshjen e radhës, që për ne do të jetë e fundit. Nëse fitojmë këtë takim, shpresat për Europë rriten ndjeshëm.

Besoni tek Europa edhe në kushtet kur Teuta është shumë pikë larg?

Ne duhet të besojmë deri në fund të kampionatit, më pas do të jetë verdikti final ai që do të na tregojë nëse e kemi arritur apo jo një gjë të tillë. Europa për ne është objektiv dhe mund të themi se nuk është vetëm vendi i tretë, pasi shpresojmë që edhe Kukësi të fitojë kupën dhe të arrijmë edhe përmes vendit të katërt. Kjo nuk është e pamundur.

Një sezon i nisur mirë, por nuk vijoi ashtu. Çfarë i mungoi Skënderbeut?

Po, është e vërtetë, nuk ishte një sezon i gjithi për t’u hedhur tej, pasi kemi bërë një pjesë të parë mjaft të mirë dhe më pas kemi rënë në nivelin nënmesatar. Gjithsesi, duhet të kishim bërë më mirë, por nuk ia dolëm. Mendoj se ekipi i ri dhe cilësia që vinte nga stoli ishin ato që na penalizuan. Nuk kishim vijimësi në pjesën e dytë dhe e gjitha ka ardhur nga mungesa e eksperiencës.

Sa kanë ndikuar problemet financiare dhe KAS te ky sezon?

Nuk mendoj se paraqitja jonë lidhej me probleme të tilla. Nuk kemi pasur shumë probleme financiare sa të themi që ndikuan. Ishte diçka kalimtare që u zgjidh shpejt dhe më pas gjithçka në rregull. Për sa i përket KAS-it, mund të them se të gjithë e kishim në mendje, por kur hynim në fushë mendonim vetëm për lojën dhe kaq.

Besoni që në KAS do të fitoni pafajësinë?

Klubi është optimist dhe na ka folur edhe neve për optimizëm. Besoj se tashmë është drejt fundit ky kalvar i gjatë pritjesh. Presim vendimin final me bindje se drejtësia do të jetë vënë në vend. Kjo është e gjitha. Është një ekip që ka treguar shumë në Europë dhe meriton të jetë sërish atje. Nuk kemi asgjë për t’u fajësuar.

Gjithsesi, vendimi do të vonohet edhe një muaj. A ndikon kjo te ju?

Ne të gjithë presim që të dalë. Kemi pritur një sezon të gjithë që ky vendim të bëhet publik, por është zgjatur si pasojë e afateve të caktuara nga KAS. Nuk kemi çfarë të bëjmë, na duhet të presim për të marrë vesh gjithçka.

Kjo do të thotë se edhe për të rinovuar do të prisni KAS-in?

Për mua personalisht KAS nuk ka qenë asnjëherë problem për sa i përket rinovimit. Mund të them se është një çështje që nuk ka lidhje me mua për këtë pjesë. Unë nuk u vara nga KAS kur pranova të vijoja edhe këtë vit. Korça dhe Skënderbeu më kanë dhënë shumë dhe unë e shoh jetën time të lidhur me këtë ekip dhe me këtë qytet. Nuk duhet asgjë tjetër, thjesht një takim me presidentin dhe jam gati të firmos për pesë minuta.

Partizani fitoi titullin, a ishte i merituar nga të kuqtë?

Pa dyshim, kur një titull fitohet, nuk fitohet rastësisht. Është një punë e madhe që bëhet nga i gjithë ekipi për të gjithë sezonin. Partizani ka qenë në krye për shumë kohë dhe e ka të merituar këtë titull. Ndoshta nuk ka qenë një ekip spektakli, por ka qenë cinik, ekip që nuk i ka lënë asgjë rastësisë, por ka kërkuar të mbyllë ndeshjen. Urime për ta që rikthehen pas shumë vitesh te titulli.

A është e vërtetë se keni folur me Tiranën për sezonin e ardhshëm?

Unë jam totalisht i fokusuar te Skënderbeu dhe po qëndrojmë të përqendruar për ndeshjen e radhës. Jam kapiteni i këtij ekipi dhe si i tillë nuk hyj në bisedime me askënd për respekt të kësaj fanelle. Nuk kam folur me askënd, pasi e ardhmja ime është në Korçë dhe te Skënderbeu. E thashë më sipër, është një pjesë e jetës dhe normale që nuk mund të largohem. Jam gati të rinovoj pavarësisht gjithçkaje.

Lufta për mbijetesë bëhet e fortë në këto dy javë. Kush bie nga kategoria sipas jush?

Është një luftë e fortë dhe e bukur, si për Europën ashtu edhe për mbijetesë. Nuk e di të them se kush shpëton. Kastrioti ka bërë ecuri shumë të mirë në dy fazat e fundit, ndërsa Tirana e komprometoi mbijetesën në ndeshjen e fundit që nuk fitoi. Është e gjitha e bukur./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb