Në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar. Kështu mund të përkufizohet situate e një 32-vjeçari nga Tepelena, i cili që prej shkurtit të vitit të kaluar qëndron i izoluar në burg si i dyshuar për veprën penale “kultivim dhe shitje të lëndës narkotike”. Megjithëse prokuroria ka argumentuar me prova ndalimin e tij dhe e ka kaluar çështjen në gjykatë për marrjen e një vendimi, 32-vjeçari Armando Hajdinaj këmbëngul se është i pafajshëm.

32-vjeçari thotë se mëkati i tij i vetëm është se i ka dhënë telefonin për të kryer biseda disa miqve të tij dhe është gjendur në makinën e tyre, kur ka ndërhyrë policia. Përveç apelit të tij, në studion e emisionit “Me zemër të hapur” të gazetares Evis Ahmeti, në News24, ishte edhe babai i 32-vjeçarit, i cili rrëfeu situatën e vështirë ekonomike dhe shëndetësore, në të cilën ndodhet pas arrestimit të të birit.

Babai i 32-vjeçarit: Armandi kishte shok, lëvizte, punonte. Në 28 shkurt 2020 erdhi policia në banesë dhe e arrestuan. Para arrestimit djalin e pashë të shqetësuar.
E pyeta ç’ka policia me ty? Më tha kot babi. Djali pretendon se ka ngrënë vetëm drekë në Këlcyrë. Djali rrinte vetëm me ata të lagjes, nuk është marrë me këtë punë.


Prokuroria nuk ka asnjë të drejtë se djalit nuk i kanë gjetur asgjë. E mbajnë pa asnjë provë. Telefonata është bërë nga telefoni i Armandos, por nuk e ka bërë Armandi. Personi që ka folur është në Greqi për momentin.

Armandi nga burgu: Në 16 tetor jemi ndaluar nga policia dhe na kanë vënë prangat. Pas kontrollit nuk gjetën asgjë të paligjshme.

Evis Ahmeti: Ku keni qene?

Armandi: Jemi nisur nga Tepelena dhe kemi shkuar në Përmet e Këlcyrë. Na shoqëruan në polici në Gjirokastër dhe pastaj u lamë të lirë pas 10 orësh. Policia gjeti 3 mijë e 500 euro, që shoku im i kishte për të blerë një makinë. Shoku u shkëput nga ne vetëm 10 minuta në këtë udhëtim, por jam i sigurt që s’bëri asgjë të jashtëligjshme. Unë nuk kam bërë asgjë. Nga telefoni im është bërë një telefonatë nga një shoku im Skënderi. Ai ma mori telefonin, më tha do marr një shok. Skënderi dhe vetë është në burg.

Unë dhe shokët jemi të pafajshëm. Prokurori ka prishur paratë e sekuestruara dhe prandaj na mban të ndaluar. Pretendohet se në këtë çështje është sekuestruar drogë, por kur e kemi kërkuar si provë, nuk na e kanë sjellë. Ai po e zvarrit çështjen, sepse s’ka dalë ende në Veting.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb