Tirana do të presë në stadiumin “Selman Stërmasi” Egnatian për sfidën e vlefshme të javës së 11-të të Superiores. Në konferencën për shtyp, trajneri i bardhebluve, Orges Shehi, u shpreh se rrogozhinasit nuk duhet të nënvlerësoheshin dhe se gjithashtu kërkon vazhdimësinë nga ekipi i tij.

“Kjo ndeshje na gjen me mentalitetin që duhet. Nuk mund ta quash një skuadër surprizë Egnatian. Është një skuadër që është ndërtuar për të qenë gjithnjë rivale për vendet e para. Skuadër me elemente cilësor. Këto dy ndeshjet e fundit ka marrë rezultate pozitive, gjë që i ngre dhe moralin dhe kërkojnë pritshmëri akoma dhe më të mëdha. Shumë pak ditë kishim në dispozicion. Po mundohemi që të kemi sa më shumë energji fizike për të qenë nesër të gatshëm, përballë një kundërshtari që ka rrezikshmëri.

Kampionati është i gjatë, është maratonë. Ne duhet të mësojmë nga ecuria jonë. Ecuria jonë në këtë sezon nuk ishte si ai i kaluar, edhe pse këtë periudhë vetëm 3 pikë na mungojnë nga ecuria e vjetshme. Gjatë gjithë këtyre ndeshjeve ne vetëm një moment kemi bërë dy fitore radhazi. Kërkoj të jemi te vazhdimësia. Një ekip që kërkon të jetë në majë duhet të ketë vazhdimësi, mentalitetin për të vazhduar me ritëm dhe kjo është ajo që ne duhet të na udhëheqë nesër. Pa parë fare kundërshtarin, por te e jona, për të përmirësuar veten dhe për të marrë vazhdimësi në çdo situatë.

Nuk është çdo gjë te mentaliteti, por mentaliteti është shumë i rëndësishëm. Është shumë i rëndësishëm sepse nëse ti nuk je i përqendruar, nëse nuk ke mentalitet nga sistemi qendror, atëherë nuk je i gatshëm për të përballuar sfidat ose situatat, sepse dihet që në futboll situatat ndryshojnë nga momenti në moment.

Unë e thashë dhe pak më parë që shumë pak ditë na ndajnë nga ndeshja në ndeshje. Kemi vetëm pak ditë në dispozicion. Mendoj që ne pak a shumë dimë si vendoset kundërshtari ose si ta interpretojë ndeshjen edhe mbas kësaj mundohemi për të nxjerrë strategjinë tonë. e thash dhe pak më parë se situata në futboll mund të ndryshojë nga momenti në moment dhe duhet të kemi gjithmonë një plan B.

Të gjithë duam perfeksion. Perfeksioni është i vështirë për t’u arritur, por përmirësimi sigurisht që të kënaq. Unë e kam thënë që ky është një mënyrë loje që përdorim ne. Ka përqendrim, ka agresivitet, ka vlerësim situatash dhe mendoj që në ndeshjen me Kukësin i bëmë vlerësimin e duhur të situatave.

Ndeshjet kanë qenë afër. Të tre zëvendësimet me Kukësin i kishim të detyruara. Mund të kishim kursyer ndonjë, por ishin të detyruara dhe për të ruajtur gjendjen fizike. Sigurisht dhe nesër mund të ketë ndonjë rotacion, sepse ndeshjet janë afër dhe rotacioni është i nevojshëm, pa prishur strukturën dhe mënyrën e lojës.

Nga vjet në këtë vit vetëm 3 pikë na ndajnë nga performanca. Tre pikë janë diçka e vogël. Mos të harrojmë që Tirana është pothuajse e ndërtuar nga e para. Kemi 60% lojtarë të rinj, të cilët kanë ardhur pas Europës. Ne jemi të kënaqur me performancën e ekipit. Sigurisht nga performanca individuale edhe mund të ndryshojmë ndonjë gjë, për të na çuar te rezultati, sepse rezultati është primarë. Mendoj se pikët që na mungojnë nga viti i kaluar janë shumë pak. Barometrin e kemi vetë dhe barometri është të përmirësojmë ecurinë tonë”, u shpreh Shehi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb