News24 ka shkuar në shkollën ‘Avni Rustemi’ në Tepelenë, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi pak ditë më parë në këtë qytet, ku një mësues ra pre e dhunës barbare. Por pas hetimeve, ngjarja mori përmasa edhe më të rënda, pasi mësuesi Kleanthi Laçi, nga kallëzues u arrestua nën akuzën e ‘ngacmimit seksual’ dhe ‘Kallëzim të rremë’.

Gazetarja Brikena Metaj në një raportim live për News24 nga shkolla ku punonte 59-vjeçari dhe studionte 13-vjeçarja që kallëzoi profesorin, solli detaje të reja për ngjarjen. Metaj tha se Drejtoria Arsimore e këtij qyteti i ka përcjellë mësuesit vendimin e Ministrisë së Arsimit për pezullimin e tij nga detyra, deri në përfundimin e hetimeve dhe sqarimin e ngjarjes në fjalë. Ndërkohë, nëse vërtetohet që mësuesi ka ngacmuar seksualisht dy vajza të mitura, do të përjashtohet përfundimisht nga sistemi arsimor.

Ishte pikërisht një 13-vjeçare e cila i kishte rrëfyer vëllait të saj emigrant se ishte ngacmuar seksualisht nga mësuesi i saj. Ndaj ky i fundit, bashkë dy të tjerë, pasi ftuan mësuesin për një kafe, e dhunuan këtë të fundit, duke e bërë për spital.

Nga ana tjetër, Metaj ka folur jashtë kamerave me një kolege të Laçit, e cila ka pohuar se në asnjë moment nuk ka parë sjellje jo të hijshme nga mësuesi. “Asnjë sjellje jo të hijshme s’kam parë në këto 6 vite që punoj në këtë shkollë.

E kam të vështirë ta besoj”, mësohet të jetë shprehur mësuesja. Nga ana tjetër vajza që ka denoncuar ngjarjen, prej 3 ditësh nuk është paraqitur në shkollë, ndërsa vëllai i saj Alvi Gumeni ndodhet pas hekurave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: