Policia në Athinë prej mëngjesit të sotëm ka vënë në pranga dy nga pesë të rinjtë, të cilët goditën me grushte dhe sende të forta duke i shkaktuar vdekjen 42-vjeçarit grek Dimitris Kordas në zonën e Rafinjas, jashtë lokalit të natës, “Sante Rock Bar”.

Dy 24-vjeçarët rezultojnë të jenë shqiptarë, por njëri prej tyre posedon edhe nënshtetësinë greke sipas mesias greke Protothema.

Ndërkohë, sipas informacioneve, policia ka mbërritur në gjurmët e autorëve pasi një dëshmitare okulare ka arritur në panik të regjistrojë targën e makinës me të cilën autorët janë larguar nga zona.

Kështu, në më pak se 24 orë, policia e ka lokalizuar, e ka vëzhguar dhe kur ka parë dikë që e drejtonte, e ka ndaluar dhe ka bërë arrestimet.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes Civile në një postim në Tëitter, ku shkruan: “Policia greke dëshmoi edhe një herë se po vepron efektivisht me arrestimin e dy vrasësve të 42-vjeçarit në Rafina”.

Sipas informacioneve nga ato që ata i kanë thënë policisë, “rrëmuja” ka nisur për një arsye të parëndësishme. Konkretisht, duke shkuar në tualet, 42 -vjeçari ka prekur duke ecur njërin nga grupi prej pesë personash dhe aty ka pasur një sherr të vogël.

Ndërkohë, të arrestuarit kanë rrëfyer se viktima kur është kthyer, i ka parë me një vështrim të egër dhe në atë moment ata kanë vendosur ta sulmojnë. Ata dolën nga dyqani, e pritën dhe kur ai doli me të dashurën e tij, e sulmuan dhunshëm duke i shkaktuar vdekjen nga plagët kraniocerebrale.

Gjithashtu mësohet se janë dy të rinjtë e arrestuar ata që e kanë goditur 42-vjeçarin grek, ndërsa pjesa tjetër e grupit nuk është përfshirë drejtpërdrejt në rrahjen e tij, megjithatë ata janë identifikuar dhe janë në kërkim nga policia. Blutë e Athinës  po përpiqen që të zbulojnë edhe se cili nga të dy ka qenë ai që ka arritur ta godasë në kokë 42-vjeçarin me një dorezë metalike.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Çfarë ndodhi në natën fatale

Siç zbuloi fillimisht “Zougla.gr” në një reportazh të gjerë, mundësitë për episodin që u përlye me gjak dhe i kushtoi jetën 42-vjeçarit janë dy. Informacionet e para tregonin që 42-vjeçari ishte në lokal me një shok. Në një moment ai shkoi në tualet dhe më pas një grup prej pesë personash e ngacmuan. Kur 42-vjeçari është kthyer në tavolinën e tij, është vënë në dijeni nga e dashura e tij për ngacmimin dhe i ka kërkuar të flasin.

Grupi prej pesë personash, të cilët sipas informacioneve janë ngacmues të njohur në zonë dhe kanë lënduar shumë persona, janë ngritur nga tavolina, e kanë sulmuar dhe e kanë nxjerrë zvarrë jashtë dyqanit. Me një dorezë metalike është plagosur rëndë në kokë dhe në pjesë të  tjera të trupit.

Versioni tjetër

Më pas “Zougla.gr” ka kontaktuar me miqtë e Dimitrisit, të cilët japin një version pak më ndryshe. Sipas tyre, Dhimitri ka qenë i ulur me të dashurën e tij në lokal, por ajo është larguar gjysmë ore para ngjarjes së përgjakshme.

Pak më vonë, Dhimitri shkoi në tualet. Aty trupi i tij ra në kontakt me një nga grupi i shqiptarëve. Kanë shkëmbyer disa biseda, por nuk ka pasur asnjë vazhdim. Kur ai pagoi dhe u bë gati të largohej, shqiptari i kërkoi të largohej nga dyqani, gjë që e bëri. Aty, në rrugica atij i kishin ngritur pritë katër personat e tjerë, të cilët nisën ta godasin.

Ashpërsia e goditjeve shkaktoi lëndime kraniocerebrale dhe gjakderdhje të pakontrollueshme. 42-vjeçari ka qenë në gjendje të tillë sa nuk i është përgjigjur asnjë stimuli. Në fakt personat që e njihnin thanë se nga shenjat që i lanë goditjet në fytyrë, nuk e kuptuan që në fillim se ishte ai.

Media greke ka kontaktuar edhe me menaxherin e lokalit, i cili ka konfirmuar si ngjarjen, ashtu edhe faktin se të përfshirë ishin të ftuarit e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: