Mirela Ruko, studentja që i hodhi salcë ish-ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, është një nga vajzat që u sulmua nga 30-vjeçari Denis Telo në mes të rrugës teksa ishte me motrën e saj.

Albina dhe Mirela ishin vetëm dy vajzat e radhës që kanë pre e dhunës së Denisit, i riu 30-vjeçar që ishte kthyer në tmerr për të rejat në kryeqytet duke i sulmuar fizikisht pa asnjë shkak në mes të rrugës.

Vetë vajzat kanë bërë një reagim në rrjetet sociale duke denoncuar dhunën ndërsa thonë se pasi janë sulmuar për herë të parë, janë drejtuar për në komisariat për të denoncuar por i riu u ka bërë pritë për herë të dytë.

“Sot rreth orës 13:00, një person i panjohur më sulmoi pa arsye mua dhe motrën time. Ne dolëm për të bërë pazar dhe përfunduam të dhunuara në mes të ditës, në një nga rrugët më të frekuentuara në kryeqytet.
Të nisura drejt komisariatit, personi na bëri sërish pritë dhe na sulmoi për të dytën herë. Sipas policisë, nuk është hera e parë që e bën këtë gjë. Denisi ka 8 kallëzime në polici për dhunë në rrugë ndaj personave të panjohur(kryesisht vajzave). Kallëzimi im dhe i motrës time është i 9! Kush e di sa e sa raste të paraportuara. Ama ndaj Denisit nuk ka asnjë rast hetimor të hapur e aq më pak të jetë i dënuar.
Si duket, Denisi ka miqësi të fortë dhe vazhdon palestrohet për të rrahur kë ti dalë përpara! Fajtori këtu është shteti që lë të lirë një njeri i cili dukshëm ka probleme të shëndetit mendor.
Shteti nuk të fal as për një grafiti në rrugë, as nëse e ngre zërin në protestë, por rastet si ky i kalon në heshtje e me prapaskena siç është mësuar zakonisht të bëj. Kësaj radhe as prokuroria dhe as Denisi nuk do ja hedh lehtë! Jo vetëm për vete, por për të gjitha ato vajza që ai ka dhunuar!”, thuhet në postimin e vajzave.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ndërkohë Organizata Politike ku dy të rejat janë aktiviste ka postuar fotot e dëmtimeve që u janë shkaktuar në fytyrë për shkak të dhunës dhe foton e Denisit 30-vjeçar.

Sipas kësaj organizate ndaj Denisit ka të paktën 8 kallëzime në polici për dhunë ndaj vajzave por në të gjitha rastet ai është lënë i lirë.

Postimi i Organizatës Politike
Sot rreth orës 13:00 dy aktivistet e Organizatës Politike Albina Ruko dhe Mirela Ruko janë sulmuar dhe goditur fizikisht pranë vendbanimit të tyre. Pas denoncimit në polici, morëm vesh se keqbërësi, i quajtur Denis, është një personazh famëkeq, i njohur edhe nga policia si dhunues përsëritës i vajzave në rrugët e Tiranës. Ndaj këtij personi ka të paktën 8 kallëzime në polici për dhunë ndaj vajzave, por në të gjitha rastet institucionet ligjzbatuese e kanë lënë të lirë.

Përgjegjës për dhunën kafshërore ndaj shoqeve tona dhe vajzave të tjera nuk është vetëm ky keqbërës, por edhe i gjithë zinxhiri i institucioneve shtetërore që vazhdojnë të tolerojnë krime të tilla: nga policia te prokuroria dhe çdokush që ka në dorë të frenojë dhunën. Për këto institucione, jeta dhe siguria fizike e vajzave janë të parëndësishme.

Edhe sa vajza duhet të dhunohen përpara se shteti të veprojë?! Mos duhet të presim që grushtet keqbërëse të marrin jetë?! Apo ta marrim vetë drejtësinë në dorë?!

Dhuna dhe indiferenca e institucioneve shtetërore na motivojnë edhe më shumë për të luftuar kundër dhunës gjinore dhe diskriminimit të shumanshëm të vajzave dhe grave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: